Kukësi “sundon” në javën e tersit të Superligës, të tjerat e ndjekin

498
Sigal

Asgjë nuk shkoi siç pritej në këtë javë të kampionatit, ku rezultatet ishin normale, por mënyra se si u arritën, jo. Një Kukës që konfirmohet për titull në Shkodër, Partizani që lëshon terren ndaj Laçit, Tirana që nuk e ka problem Apoloninë, një Flamurtari që fiton ndaj Teutës (?) dhe takimi përmbyllës ishte ai që dha edhe më shumë gola, mes Elbasanit dhe Skënderbeut, ku korçarët fituan 4-1. Superliga filloi disi me kokë ulur javën e 19-të, duke parë mbi të gjitha zhvillimet që ndodhën në ndeshjen mes Flamurtarit dhe Teutës, ku këta të fundit hapen portën që vlonjatët të shënonin gol. Që të shtunën, kur edhe u luajt ndeshja, tifozët dhe jo vetëm, e cilësuan këtë ndeshje si një farsë e turpshme, që me keqardhje mund ta quajmë një tragjikomedi sportive. Nuk është se mund të thuhet shumë për këtë takim, por rezultati 2-1 në fund të fundit i jep 3 pikë shumë të çmuara vlonjatëve, duke e vendosur para Vllaznisë në renditje. Ky takim bëri shumë bujë, sidomos për ato minuta të fundit që dukej sikur futbollistët lëviznin me sistemin “përsëritje” që përdoret në videoregjistrime. Duke mos u ndalur shumë këtu, për të kaluar tek takimet e tjera, ishte Tirana ajo që hapi vitin 2015 me ndeshje në Superilgë, duke fituar 2-0 ndaj Apolonisë së vendit të fundit, në një ndeshje që nuk e diskutoi asnjëherë supremacinë e vet në rezultat dhe në cilësi loje. Fitorja Tiranës i jep më shumë siguri dhe një rritje të lehtë krahas Partizanit që barazoi me Laçin. Tirana aktualisht ka 38 pikë, duke u pozicionuar e treta në renditjen e përgjithshme. Skuadra tjetër e kryeqytetit, Partizani, hodhi një hap fals në ndeshjen ndaj Laçit, duke barazuar 1-1, e duke lënë kështu dy pikë të çmuar, në një kohë që të tre skuadrat e tjera pretendente fituan. Ky barazim për Partizanin vjen ndaj një skuadre shumë të organizuar si Laçi dhe padyshim që fitorja do të ishte shumë e vështirë, ashtu siç edhe u pa. Nisur nga kjo, Partizani ngelet pothuaj në vend numëro ku të tria skuadrat e tjera pretendente janë më përpara në renditje. Duke ndjekur këtë linjë, është Skënderbeu e fituara e radhës që shënoi 4 gola në portën e Elbasanit, duke ia bërë jetën akoma edhe më të vështirë këtij ekipi, që rikonfirmohet si pretendente me “meritë” për t’i dhënë lamtumirën në fund të sezonit kategorisë Superiore. Skënderbeu shpalosi, kundrejt të gjitha të dhënave të para fillim sezonit, një fuqi sulmuese duke shënuar kështu një mori golash, plot katër. Kjo fitore e lë përsëri skuadrën korçare në vendin e dytë, duke qenë se kryesuesit e kampionatit, Kukësi, vazhdojnë të jenë përsëri të tillë pas asaj fitoreje me Vllazninë. Duke u ndalur tek ky takim, pa dyshim ishte një nga ndeshjet më të shumëpritura për këtë javë, ku kuksianët shpalosen edhe një herë forcën e tyre këtë sezon, duke i bërë qëndresë Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”. Fitorja i jep mundësinë Kukësit që të dërgojë presionin tek skuadrat që e ndjekin, duke qenë se Skënderbeu ndodhet vetëm 2 pikë larg, por përsëri me kalendarin e ngjeshur që kanë përpara, situata vetëm sa do të rëndohet në vijimësi. Në mbarim të kësaj jave të 19-të, ajo që vihet re më së shumti është padyshim vijimi në një linjë i skuadrave që luajnë për kreun, duke mos përjashtuar as Partizanin, pavarësisht barazimit, pasi kujtojmë që edhe në ndeshjen e parë në fazën e parë, Partizani nuk shkoi më shumë se një barazim me Laçin.

 Duro: Barazimi si humbje. Ndeshja nuk u tolerua nga Laçi

 Pjesa e parë ashtu si edhe pjesa e dytë pati shumë raste që u shpërdoruan nga lojtarët tanë. Goli i anuluar nga arbitri e shoh të dyshimtë. Tensioni ne fushën e lojës na bëri të mos ishim të përqendruar përpara portës. Barazimin e sotëm e shoh si humbje pasi janë dy pike të lëna, me shumë raste që duhej të ishin zgjidhur shpejt edhe pse e kam thënë dhe më parë që përballe kishim një ekip të fortë i cili të hap probleme. Bylykbashi është lojtar që bën diferencën dhe sot e trego mjaft mirë edhe me realizimin e atij goli dhe lojës së zhvilluar sot. Kurrsesi nuk shoh tolerim në këtë ndeshje nga ana e Laçit. Nëse do kishte tolerim atëherë portieri i Laçit nuk do të realizonte ato pritje që na ndaloi nga goli i fitores. Ne humbëm ndeshjen, jo na la Laçi ndeshjen. James është kapitull i mbyllur për ne pasi ai është lojtar i Laçit.

 Lika është “kuq e blu”, një vit e gjysmë kontratë me Vllazninë

 Mërzia e humbjes me Kukësin nuk është se do të zgjasë shumë për tifozët e Vllaznisë, pasi vetëm dje është zyrtarizuar deri në firmosjen e kontratës, prania e Gilman Likës në kampin kuqeblu për një vit e gjysmë. Kishte ditë që qarkullonin zëra në lidhje me këtë kalim, e vetëm para dy ditësh u konfirmua çdo gjë nga krerët e klubit, për të ardhur tek firmosja e kontratës ditën e djeshme. 6 vite që ky futbollist u largua nga skuadra që e “rriti”, për tu rikthyer përsëri në një kohë ndoshta jo edhe aq të mirë për ish-skuadrën,  e sigurisht që prania e tij tek Vllaznia do të ketë avantazhet e veta, por që ngelet për tu parë në ndeshjet në vazhdim. Mesfushori është prezantuar dje si blerja më e re e Vllaznisë nga administratori Kalamishi, i cili dha detaje të marrëveshjes. “Siç e shikoni, po bëjmë prezantimin e Gilman Likës, blerjes sonë më të re për këtë merkato. I urojmë mirëseardhjen në Shkodër mesfushorit, i cili tashmë do të jetë pjesë e ekipit të tij të zemrës. Akordi që kemi arritur me të, na bën të lumtur e me këtë rast duam ta falënderojmë futbollistin, sepse siç dihet ai nuk ka parë anën financiare për këtë kontratë. Preferoi të kthehej e të luante për Vllazninë, ndonëse kishte edhe disa oferta të tjera, edhe më të mira se kjo e jona. Mund t’ju bëj me dije se kontrata e firmosur është 1 vit e gjysmë e në të është një opsion që nëse lojtari ka një ofertë më të mirë jashtë vendit, mund të largohet”, u shpreh administratori. Ndërkohë Lika tha se e ndiente si borxh rikthimin në këtë skuadër dhe se do të jepte më të mirën. “Kam vërtet emocione, sepse rikthehem tek ekipi i qytetit tim, pikërisht aty ku nisa karrierën. E kisha si obligim dhe si borxh një rikthim të tillë. Ajo që premtoj unë është që të bëj më të mirën për Vllazninë, në mënyrë që ajo të arrijë objektivat maksimalë që ka”, deklaroi lojtari më i ri i shkodranëve

Reagon Flamurtari: Nuk duam fitore të tilla. Ishte komedi e turpshme!

 Një komedi e turpshme në një vend që nuk ka rregulla të qarta loje në asnjë fushë të jetës. Kemi të bëjmë me një kampionat i cili ka shumë pikëpyetje”. Kështu shprehet Sinan Idrizi, administratori i klubit vlonjat të Flamurtarit, që sipas tij çdo gjë është stisur në mënyrë të turpshme dhe se ata nuk dëshirojnë fitore të tilla. Ajo ndeshje vazhdon akoma të kundërshtohet nga tifozët e nisur nga kjo erdhi edhe kjo deklaratë e bordit drejtues të Flamurtarit, që jo më larg se dje lëshuan deklaratën e tyre zyrtare ku thuhej se Flamurtari distancohej nga ato veprime dhe se ftonin organet kompetente të botës së futbollit që të bëheshin pjesë e hetimit për të nxjerrë në “dritë” të vërtetën.

 “Kur kemi ardhur për të menaxhuar klubin e futbollit Flamurtari me bashkinë ka qenë një kusht dypalësh, që ne do të ishim investitorë, financues të këtij projekti, ndërsa bashkia dhe shteti shqiptar do të na jepte garancitë ligjore, të cilat tashmë nuk ekzistojnë më dhe investimet tona vihen në rrezik. Në këtë vend që nuk ka rregulla loje ne kemi menduar edhe tërheqjen direkte”, deklaron administratori i klubit Flamurtari, Sinan Idrizi.

Ai tha madje, ndër të tjera, se një mënyrë e mirë për të sjellë pastërtinë e sistemit futbollistik në Shqipëri është edhe heqja e Superligës nga kuotimet e basteve..