Kreshnik Çipi: Kujdes! Në Beograd të shkojnë për sport, jo për politikë

454
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Ish-kapiteni i Flamurtarit kërkon të ruhet qetësia me serbët e Partizanit, të anashkalohet politika
Në këtë periudhë verore, më shumë pushime për Kreshnik Çipin apo edhe me punë?
Të dyja bashkë, por pjesën më të madhe e zë puna. Biznesi privat ka shumë privacione, sepse kërkon më shumë angazhime, ndaj e kam shumë të vështirë të shkëputem për pushime. Gjithsesi, koha është e plotë për të gjitha detyrimet që kemi në punë, familje dhe shoqëri.

Kësisoj, me këtë ngarkesë, keni hequr dorë nga ndjekja e futbollit vlonjat, apo edhe në tërësi?
Nga futbolli asnjëherë nuk e mendoj jashtë veten, por jo shumë afër. Kjo është situata, por kur ndjek një ndeshje futbolli live në stadium, jam shumë më optimist për vazhdimësinë e punëve. Por, edhe kur ndjek nga televizioni, më duket sikur do të jem në fushë, natyrisht kur shoh situata të veçanta, kryesisht në repartin e mbrojtjes.

Aktualisht jemi në një moment suksesi të Skënderbeut, si e përshkruani skuadrën korçare për fazën e grupeve në Evropa Ligë?
Skënderbeun në këtë sezon të Evropa Ligë, e kam ndjekur hap pas hapi, dhe fillimisht do të thoja se na ka bërë krenarë për këtë arritje. Por, deri tani kjo ishte fazë eliminatore dhe te grupet fillon prova e Evropës, ndaj duhet më shumë përqendrim për vetë ngarkesën që ka, fizike dhe emocionale.

Në raport me skuadrat e tjera të Grupit B, sa shanse mund të ketë Skënderbeu për kualifikim?
Në këtë grup, ka skuadra shumë të forta dhe me emër nga historia e tyre në futbollin europian. Por, mendoj se gjërat kanë ndryshuar shumë, pasi sot ato mbajnë emrin e mirë, ndërsa realititein nuk e kanë në nivelet e historisë, dhe këtu kam parasysh Dinamon e Kievit dhe Partizanin e Beogradit.

Kështu, mendohet se Skënderbeu do ta ketë të vështirë të këtë fazë në Grupin B?
Vështirësitë ekzistojnë për të gjithë skuadrat, dhe nuk duhet të anashkalojmë zviceranët e Jong Boys. Madje unë këtu e shoh vështirësinë më të madhe, sepse dy skuadrat e tjera, nga vetë emri, të japin më shumë mobilizim në lojë.

Rastësi apo kapriçio e shortit, Skënderbeu e nis dhe e mbyll në transfertë këtë fazë të grupeve?
Këto janë shanset, asnjëherë nuk mund të aludosh për mënyrën se si hidhet shorti në Evropë. Duke e nisur në Kiev, dhe për të mbyllur në Zvicër, këtu them se Skënderbeu duhet të japë maksimumin në përqendrimin me të gjithë kundërshtarët.

Ju keni luajtur kundër Partizanit të Beogradit, e shikoni këtë si një sfidë të dyfishtë mes nacionalizmit dhe futbollit?
Në kohën kur ne luajtëm me Partizanin e Beogradit në Kupën UEFA, viti 1987, Partizani në atë periudhë ishte shumë më lart se sa sot. Futbolli në ish-Jugosllavi kishte nivel shumë më të lartë. Por është fakt, se atje ndikon shumë ndjenja e nacionalizmit dhe albanofobisë të theksuar. Për ata që kanë kulturë e vizion, nuk do të ketë ndikim, por tek tifozët e Partizanit kjo do të reflektohet.

Pra, mundësia e një rezultati pozitiv në Beograd bëhet e vështirë?
E theksova më sipër, se të gjitha ndeshjet në transfertë do të kenë vështirësi, kjo është normale. Por, në Beograd duhet të ruhet qetësia, sepse tifozët do të ndikojnë negativisht te loja e skuadrës sonë. Duhet menduar që, trysnia e shkallëve të stadiumit të mos sjellë ngarkesë në fushën e lojës. Në Beograd do shkojnë për sport, jo për politikë.

Flamurtari në këtë periudhë përgatitore ka bërë shumë ndryshime në merkato, si e përshkruani gjendjen e skuadrës sot?
Mendoj se ndryshimi do të duket vetëm gjatë kampionatit, por nisur nga emrat që ka marrë dhe përgatitjet që ka bërë, mendoj se lojtarët duhet të mirëkuptohen sa më shpejt në fushën e lojës. Koha është e shkurtër, por ka edhe mundësi përshtatjeje, dhe ky Flamurtar do të jetë shumë më i mirë nga i sezonit të kaluar. Këtu veçoj punën e mirë e bashkëpunimin mes Administratorit Idrizi dhe trajnerit Duro. 

Po merkato e Superiores në përgjithësi, si mendoni se është zhvilluar?
Të gjitha mbeten për tu parë, sepse deri më tani janë pjesë e marketingut. Futbolli është kompleks, si në merkato dhe në fushën e lojës, dhe këtu më mirë është për tu krahasuar me rastin e Pejiçit, i cili në çdo skuadër ku luajti doli disa herë krye golashënues.

Për ta mbyllur me Kombëtaren, si ish-futbollist kuqezi, si e mendoni skuadrën në dy ndeshjet me Litehshteinin e Maqedoninë?
Do të jenë dy ndeshje të ndryshme për nga shkalla e vështirësisë. Me Litehshteinin duhet pasur vlerësim për ta kolauduar skuadrën për ndeshjen me Maqedoninë. Edhe aty do të ketë trysni nacionaliste, por do të jenë 30-40% shqiptarë, dhe ata do ti japin më shumë krahë skuadrës sonë në fushë. Mendoj për dy fitore.
Në ndeshjen e Beogradit duhet të ruhet qetësia, sepse tifozët do të ndikojnë negativisht te loja e skuadrës sonë. Duhet menduar që, trysnia e shkallëve të stadiumit të mos sjellë ngarkesë në fushën e lojës. Në Beograd do shkojnë për sport, jo për politikë
Sigal