Eduard Prodani: “Po nisim një cikël të ri të ekipit tonë Kombëtar”

548
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së: “Do të marrim gjithmonë masa të ashpra kundrejt dhunës në stadiume”

Eduard Prodani, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, i bën një “skaner” të detajuar gjithë zhvillimeve dhe problematikës së fundit në futbollin shqiptar, përfshirë dhe performancën së mirë të Kombëtares A, të drejtuar nga italiani Xhani De Biazi, por dhe talenteve që po militojnë në Kombëtaren U-19 të Foto Strakoshës. “Gjithsesi, – tha Prodani për gazetën “Telegraf”, – Optimizmin e krijuar do ta vlerësoja pozitiv për aq sa nuk cenon të kalojë në vetëkënaqësi dhe eufori pasi koha ka provuar se kjo është rruga e sigurt drejt zhgënjimit”. Njeriu më i afërt i presidentit Armand Duka jep dhe një vlerësim për trajnerin De Biazi: “Trajneri De Biazi është një profesionist që, vjen nga një vend futbolli i të cilit është një prej 2-3 shkollave më të suksesshme të Botës. Përveç dedikimit dhe seriozitetit të veçantë në punë, duhet vlerësuar pa dyshim dhe guximi dhe aftësia e tij për të përfshirë në ekip lojtare të rinj dhe për t’i motivuar ata të japin maksimumin, si dhe është provuar në disa nga ndeshjet e zhvilluara së fundi”.

NOA

– Zoti Prodani, Kombëtarja arriti brenda katër ditëve dy rezultate në kontrast, pas humbjes së hidhur dhe të papritur me Islandën, tek fitorja e rëndësishme me Slloveninë, duke rihapur sërish opsionin për kualifikimin në Botërorin e Brazilit. Si do ta vlerësonit dhe optimizmin që mbizotëron?

– Natyrisht që ndihem mirë jo vetëm unë, po gjithë personeli i Federatës Shqiptare të Futbollit kur lojërat dhe sidomos fitoret e ekipit Kombëtar i bëjnë njerëzit të ndihen mirë sot dhe të shpresojnë për edhe më mirë në të ardhmen. Optimizmin e krijuar do ta vlerësoja pozitiv për aq sa nuk cënon të kalojë në vetëkënaqësi dhe eufori pasi koha ka provuar se kjo është rruga e sigurt drejt zhgënjimit. Të mos i kalojmë limitet: korrëm një fitore të merituar ndaj një kundërshtari të niveleve të larta, kemi një ekip të ri në konsolidim e sipër, na presin dy ndeshje shumë të vështira ndaj dy pretendentëve të drejtpërdrejtë.

– Statistikat e rezultateve të marra deri tani, në ndeshjet zyrtare dhe ato miqësore, e vendosin Xhani De Biazin, si trajnerin më të suksesshëm, jo vetëm në raport me ata shqiptarë, por dhe të huaj. Cili është gjykimi juaj për projektin De Biazi?

– Shifrat janë kokëforta, por unë mendoj se është ende shpejt të flitet për suksesin e një projekti që është ende në hapat e para. E kemi thënë edhe më parë që, ne po përpiqemi të nisim një cikël të ri të ekipit tonë Kombëtar. Trajneri De Biazi është një profesionist që, vjen nga një vend futbolli i të cilit është një prej 2-3 shkollave më të suksesshme të Botës. Përveç dedikimit dhe seriozitetit të veçantë në punë, duhet vlerësuar pa dyshim dhe guximi dhe aftësia e tij për të përfshirë në ekip lojtare të rinj dhe për t’i motivuar ata të japin maksimumin, si dhe është provuar në disa nga ndeshjet e zhvilluara së fundi.

– Në fund të eliminatoreve të kaluara, Federata Shqiptare e Futbollit, e konsideroi prioritare rinovimin e ekipit Kombëtar. A mendoni se ai ka filluar?

– Kjo nuk ka nevoje për konfirmimin tim, pasi procesi i rinovimit të ekipit Kombëtar është një fakt, diçka që po ndodh në sytë e të tërëve. E rëndësishme është të përcaktojmë se sa cilësor është ky rinovim dhe ku do të na çoje ai. Unë do jua lija eksperteve të shprehen në terma teknike mbi kualitetet e atyre që janë ofruar sot në ekip apo të tjerëve që potencialisht mund të thirren në muajt që do të vijnë. Unë di të them pa ndrojtje se me politikat qe janë ndjekur dhe masat që janë marrë, do të kemi në vijimësi “furnizim” me lojtarë të talentuar, te niveleve nga me cilësore të përgatitjes, që padyshim do t’i ofrojnë mundësia gjithnjë e me të mëdha zgjedhjeje trajnerëve dhe diapazone më të gjëra lojës së ekipit tonë Kombëtar.

– FSHF-ja organizoi në Vlorë dhe në Fier, ndeshjet kualifikuese të Euro 2003 për moshën U-19, ku morën pjesë përveç Shqipërisë, edhe Italia, Belgjika dhe Bjellorusia. Tej keqardhjes së rezultateve dhe vendit të fundit, a është organizimi një vlerësim për kapacitetet organizative të veprimtarive ndërkombëtare nga ana e Federatës?

– Pavarësisht humbjes që, pësuam në ndeshjen e ditës së fundit kundër Bjellorusisë që dhe na eliminoi, duhet të them se lojërat e ekipit tonë U-19 dhe cilësia e lojtarëve të përzgjedhur kane krijuar një përshtypje të mire si në opinion ashtu dhe ndër specialistë. Përsa i përket rezultatit, duhet të dini se ekipi ynë kishte moshën më të re ndër tërë pjesëmarrësit dhe një pjesë e madhe e grupit do të ketë mundësi të luajë edhe në edicionin tjetër po për U-19, ku natyrisht dhe do të shfaqin tjetër efikasitet. Gjithsesi, gjëja me e rëndësishme për ekipet e moshave është të “zbulojnë” dhe përgatisin lojtarë cilësorë për ekipin “A” dhe këtë qellim ekipi ynë U-19 e ka arritur që në këtë fazë. Pohoj se janë të paktën 4-5 lojtare të atij ekipi që, specialistët por dhe mbarë opinioni i vlerëson si talente me të ardhme dhe që shpejt do të kemi mundësi t’i shikojmë me fanellën e U-21 dhe, pse jo atë të ekipit “A”. Përsa u përket kapaciteteve organizative të FSHF-së, e them pa drojë se me gjithë kufizimet shumë problematike në infrastrukturë (fusha, stadiume, etj.), FSHF-ja është në gjendje të përballojë paralelisht edhe 2 apo 3 turne të këtij niveli, në standarde organizimi aspak më inferiore se ato të federatave të vendeve të mëdha.

– Ndeshja kundër Sllovenisë ishte dhe e fundit ndërkombëtare në stadiumin “Qemal Stafa”. Cilat janë masat e mara nga FSHF-ja në bashkëpunim dhe me aktorët e tjerë, MTKRS-në apo Ministrinë e Mbrojtjes, për nisjen e prishjes së stadiumit dhe vendosjes së tullës së parë për stadiumin e ri?

– Është pohuar publikisht shpesh se FSHF-ja është në negociata me disa grupe te interesuara për t’u bërë partneri strategjik i Federatës në projektin e ndërtimit të stadiumit të ri. Këto negociata vazhdojnë dhe shpresojmë që shpejt të kemi rezultate pozitive nga ky proces. Me përzgjedhjen e partnerit strategjik do të fillojë menjëherë puna konkrete për zbatimin e këtij projekti. Gjatë kësaj kohe kemi punuar paralelisht dhe për projektin e prishjes së ndërtimit ekzistues që, për nga volumi i punimeve dhe aspekte te tjera është një proces jo pak i ndërlikuar. Plani është që prishjen ta bëjnë forcat e specializuara të Ministrisë së Mbrojtjes por, për këtë ende nuk është marrë vendim përfundimtar.

– FIFA dhe presidenti i saj Blater pritet të marrë në muajin dhjetor një vendim që do të lejojë Kosovën të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Cili është kontributi i lobingut të FSHF-së?

– FSHF-ja i ka shfrytëzuar të tëra mundësitë që, ka pasur në dispozicion për të lobuar dhe ndikuar maksimalisht për çështjen e anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA dhe UEFA. Pozicioni i presidentit të FSHF-së, zotit Armand Duka (deri në fillimin e vitit 2012) si anëtar i Komitetit të Federatave në FIFA, ndihmoi dukshëm përpjekjet e FFK-së për ta sjelle vazhdimisht këtë çështje në vëmendjen e organeve vendimmarrëse të FIFA-s. Në Kongresin e fundit të FIFA-s ishte qëndrimi i delegacionit të FSHF-së ndër faktorët që penguan vënien në diskutim të vendimit e Komitetit Ekzekutiv te FIFA-s për lejimin e FFK të zhvillojë një kategori ndeshjesh miqësore. Gjithsesi, ne e shikojmë çështjen e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare të futbollit si një kontribut për çështjen e konsolidimit të Pavarësisë së Kosovës, gjë që është detyrë dhe obligim patriotik për çdo organizate apo individ shqiptar që ka një votë apo thjesht një zë në forumet ndërkombëtare, të çdo natyre apo lloji qofshin.

– Le të kthehemi në futbollin vendas. Sa besoni se do ta rrisë luftën e ndershme sportive masat e marra nga Komisioni i Disiplinës, ku të paktën kemi mbi 10 raste ku stadiume të ndryshme të tre niveleve kanë zhvilluar ndeshje pa shikues?

– Lufta a ndershme sportive favorizohet, kur në radhë të parë gjen zbatim etika e ndershme sportive dhe kur zbatohet me rigorozitet rregullorja sportive. Për ç’luftë e ndershme sportive mund të zhvillohet atje ku lojtarët kundërshtarë, zyrtarët apo spektatoret udhëtues goditen me gurë, shishe apo kushedi se çfarë? Duhet te marrin fund këto shfaqje që t’i jepet hapësirë luftës së ndershme sportive që ju përmendni.   Unë personalisht, i gjej krejt pa vend kritikat apo vërejtjet që janë bëre në ndonjë media apo nga ndonjë gazetar ne lidhje me vendimet e Komisionit të Disiplinës, për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatore. Ligjet dhe rregullat ose zbatohen ose nuk zbatohen. Në qoftë se, nuk do të merreshin masa të tilla jam i sigurte se, FSHF-ja do te akuzohej se nuk po lufton dhunën dhe shfaqjet jo sportive në stadiume. Historia e njerëzimit, por dhe ajo e futbollit na mëson se rregulli dhe qytetërimi janë krijuar kudo dhe në çdo kohë nëpërmjet dhunës së ligjit, sado e papëlqyeshme që mund të duket në ndonjë moment ajo. Çështja është e thjeshtë; futbolli bashkëkohor që duam të zhvillojmë në Shqipëri nuk bashkëjeton dot me mungesën e edukatës qytetare dhe sportive. Duhet të zgjedhim.

– FSHF-ja ju ka bërë thirrje shpesh herë klubeve, drejtuesve të lartë të tyre, për të mos influencuar direkt apo indirekt në tensionimi e situatave gjatë ndeshjeve. A mendoni se e ka dhënë efektin e duhur?

– Natyrisht që klubet dhe drejtuesit e tyre kanë rol themelor për të luajtur kur bëhet fjalë për eliminimin e tensioneve dhe kushteve që cilat sjellin dhune në futboll. Thirrjet e FSHF të shoqëruara këto me aktet e Komisionit të Disiplinës, për klubet fajtore kanë dhënë padyshim efekt pozitiv. Por, duhet kuptuar se eliminimi i dhunës bëhet nëpërmjet angazhimit të një spektri të gjerë faktorësh ku rol të parë duhet të luajë padyshim ligji, zbatimi rigoroz i tij.  Për ta thënë më thjesht, në ambientet e futbollit duhet të ndihet dora e shtetit ligjor.  Rregulloret sportive dhe performanca e zyrtarëve të FSHF-së janë të rëndësishme në trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me ndeshjet e futbollit, por duhet kuptuar nga të gjithë se kur është fjala për dhunën ato nuk mund të garantojnë sukses pa pjesëmarrjen dhe rolin aktiv të shtetit. Në këtë diskutim unë nuk do të lija pa thirrur në skene dhe mediat të cilat kanë efekt të pazëvendësueshëm kur vjen fjala për të ndërgjegjësuar dhe aftësuar komunitetin që, të krijojë klimë mbytëse ndaj dhunës dhe sjelljeve jo civile.