INTERVISTA/ Specialisti i futbollit, Krenar Alimehmeti, për “Telegraf” skanon rrugëtimin në 26 javë
Agron KAJA

Në javën e kaluar u shkarkua një trajner, i 11-ti në këtë sezon, çfarë tregon kjo shifër?
Kjo që ndodh me trajnerët, mendoj se nuk është e mirë për futbollin shqiptar, aq më tepër për presidentët e klubeve, por edhe për trajnerët. Tek trajnerët duhet të kemi durim, nuk duhet të ndodhë kaq shpesh se nuk i shërben askujt.
Me kartonët e kuq, arbitrat po kërkojnë protagonizëm, apo futbolli e do “kurën” e tyre?
Kartonët mendoj se kanë qënë të merituar, por kjo tregon edhe faktin se lojtarët janë nën presion nga presidentët, trajnerët e tifozët. Duhet që të jenë më të qetë, edhe për faktin se kampionati është në një pikë kritike e ndarë në dy grupe në renditje.
U luajtën tre ndeshje të rradhës, si i përshkruani për rezultatet që u arritën?
Dinamo luajti me autoritetin e një skuadra pretendente, ndaj Laçit që sikur e dinte rezultatin humbës. Vllaznia luajti me një nerv që nuk e ngjiti më shumë se barazimi. Ndërsa Bylisi veçohet për fitoren ndaj Partizanit, tri pikë mbijetese.
Cila prej tyre mund të veçohet për rezultatin që u arrit, dhe cila për lojën që zhvilluan skuadrat?
Të treja ndeshjet patën të veçantat e tyre dhe mes tyre thuajse barazohen sa i përket pritshmërive. Dinamo tregoi diferenca ndaj Laçit, ndërsa Bylisi me fitoren ndaj Partizanit, tregoi se ka më shumë për të thënë. U shënuan 9 gola, tregues pozitiv.
Me këto rezultate, zona e mbijetesës duket edhe më e komplikuar për skuadrat që e rrezikojnë?
Natyrisht që po, dhe ndeshjet nesër (sot) do zbardhin më shumë situata në këtë zonë mbijetese të renditjes. Tashmë, çdo fitore e Teutës, Tiranës apo e Skënderbeut, do ta bëjë edhe më të fortë grupin e skuadrave në fundin e renditjes.
Sot mbyllet java e 26-të me dy ndeshjet e tjera, janë të rëndësishme për skuadrat që kërkojnë mbijetesën?
Tirana me fitoren që arriti javën e kaluar me Skënderbeun, e mendoj si 6 pikë, jo 3. Erdhi në kohën e duhur, por me Teutën ndeshje delikate, e fortë dhe e luftuar. Ndërsa në Korçë do luajnë dy ekstremet, ky mund të jetë treni i fundit për korçarët.
Edhe një javë duhet që të mbyllet faza e tretë, si e përshkruani rrugëtimin në këto tre faza të luajtura?
Ka qënë një rrugëtim ku brenda tij çdo skuadër ka treguar performancën e saj, ndërsa vlerat i kanë treguar në mundësitë e tyre. Atë që kanë dhënë në fushë, atë kanë marrë. Në këto 26 javë është kohë e pranueshme të tregosh vlerat.
Mendoni se renditja në mbyllje të fazës së tretë do të jetë ajo edhe deri në mbylljen e kampionatit?
Unë mendoj se ndryshime do ketë nga vëndi i pestë e poshtë, sepse katër skuadrat e “Final 4” e kanë të siguruar kryesimin. Por edhe mes tyre mund të ketë lëvizje deri në fund, ndërsa pjesa e poshtme e renditjes duket se është shumë delikate.
Sot ka sfida mbijetese, test për tre skuadra
Sot mbyllen ndeshjet e javës së 26-të të Abissnet Superiore, ku kalendari ka vënë përballë Teutën me Tiranën dhe Skënderbeun me Egnatian. Në Durrës është një sfidë për t’iu larguar vëndeve në fundin e renditjes, ndërsa në Korçë ekstremet e renditjes luajnë me synime të kundërta. Duke i parë këto ndeshje në raport me renditjen e skuadrave, do jenë test për Teutën, Tiranën dhe Skënderbeun. Egnatias nuk i tronditet kreu, edhe nëse humbet.

ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java 26
Dje, 21 shkurt 2025
Dinamo City-Laçi 2-0
Partizani-Bylis 2-3
Vllaznia-AF Elbasani 1-1
Sot, 22 shkurt 2025
Teuta-Tirana 17:00
Skënderbeu-Egnatia 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 25 48
2.Vllaznia 26 45
3.Dinamo City 26 44
4.Partizani 26 40
5.AF Elbasani 26 31
6.Laçi 26 30
7.Bylis 26 28
8.Tirana 25 26
9.Teuta 25 24
10.Skënderbeu 25 20
NDESHJET DJE
DINAMO CITY-LAÇI 2-0
Dejvi Bregu “blindon” skuadrën në “Final 4”
Ndeshja Dinamo-Laçi çeli dje javën e 26-të të Superiores, një sfidë ku të dyja skuadrat e kishin si objektiv fitoren, por që ajo i buzëqeshi me meritë Dinamos. Sepse Laçi nuk tregoi shumë vlera në fushë dhe nuk arriti që ta pengonte Dinamon të gjente rrjetën që në minutën e 4-t me autor Dejvi Bregun, pas një gjuajtje nga jashtë zonës. Me avantazhin e këtij goli u mbyll pjesa e parë dhe pritej ndryshim kursi për laçianët në pjesën e dytë. Por penalltia e realizuar nga Bregu e çorientoi dhe deri në fund sikur luajti si një skuadër pa busull në fushë. Me këtë fitore, Dinamo konsolidon pozicionin e saj në zonën “Final 4”, ndërsa Laçi mbetet i shkëputur nga këto skuadra, duke qëndruar në mesin e renditjes.
PARTIZANI-BYLIS 2-3
Në “Arena e Demave”, Bylisi tregoi se di të fitojë
Është dështim apo situatë kritike e Partizanit, ndoshta këtë e konfirmoi edhe dje në fushën e tij në humbjen ndaj Bylisit. Edhe pse Partizani e komandoi mirë ndeshjen dhe rezultatin e saj në pjesën e parë dhe ballshiotët kërkuan që barazpesha të ishte prezente në fushë, loja e tij nuk dha më shumë siguri. Me avantazhin e pjesës së parë, “Demat e kuq” menduan se do ta ruanin edhe në pjesën e dytë, por ndoshta gabimet në mbrojtjen e tyre sollën ndëshkimin. Nga mbrojtja dhe mesfusha, por edhe me një sulm jo në ditën e tij, kjo ishte dobësia e skuadrës së Partizanit. Ndërsa nga ana tjetër, te Bylisi u ndje dora e ndryshimit e trajnerit Gentian Mezani, duke marrë tri pikë të vlefshme për mbijetesën.
VLLAZNIA-AF ELBASANI 1-1
Nuk tremb Vllaznia, Abalora i mohon fitoren!
Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, elbasanasit nuk dukej se kishin shkuar për një shëtitje, por as edhe për një barazim. Sepse mundet që të merrnin edhe fitoren, por edhe mund të ndëshkoheshin nëse Balaj nuk do gabonte nga penalltia. Me dy gola të shënuar dhe me një penallti të pritur nga portieri Abalora i Elbasanit, kështu u mbyllën 45 minutat e para në Shkodër. Shënuan të parët me kapitenin Balaj, por gëzuan avantazhin vetëm 13 minuta, sepse Musta barazoi në 1-1. Vllaznisë i erdhi mundësia e avantazhit, por “snajperi” Balaj këtë herë gaboi shënjestër nga pika e bardhë e penalltisë, pasi portieri i Elbasanit e priti gjuajtjen e tij. Në të dytën kishte më shumë shëtitje në fushë dhe paqe në rezultat.



















