Kombëtarja shqiptare ia del, kuqezinjtë kalojnë në fazën e grupeve të finaleve në Gjermani

107
Sigal

Kombëtarja shqiptare e minifutbollit për meshkuj ia ka dalë të shkruaj histori. Kjo pasi ka kaluar në fazën me eliminim direkt në Botërorin që po zhvillohet në Esen të Gjermanisë. Barazimi 0-0 kundër Kolumbisë bëri që djemtë e Irtan Sejkos të kalonin më tej, aty ku i pret Ukraina më 8 qershor në orën 20:35.

Kuqezinjtë e mbyllën grupin F në vendin e tretë pas dy barazimeve dhe një humbjeje. Me suksesin dhe arritjen “në xhep”, Shqipëria do tentojë të kalojë ukrainasit për të vijuar garën dhe shkruar një tjetër faqe në historinë e minifutbollit.

Në këtë fazë të finaleve të Botërorit, kuqezinjtë kanë zhvilluar deri më tani 3 ndeshje, ku në të parën ajo me Portugalinë ishte ndër ndeshjet më emocionuese, ku pavarësisht pësimit të golit 4 minuta nga fundi, atmosfera në kompleksin sportiv, ku po zhvillohej ndeshja ishte e mbushur me qindra tifozë kuqezi, të cilët mbi fushën e lojës ngritën një tjetër dron, këtë herë me flamurin shqiptar për të inkurajuar djemtë.

Në ndeshjen e dytë me Moldavinë, një ndër pretendentet kryesore të këtij Botërori, kuqezinjtë udhëhoqën për disa minuta takimin, falë golit të Xhuliano Reçit, por në fund takimi u barazua.

Me këtë pikë të marrë dhe me atë të ndeshjes së fundit ndaj Kolumbisë 0-0, Shqipëria ka shansin të marrë pjesë në fazën e eliminimit direkt, ku ditën e enjte në orën 20:35, do të përballet me Ukrainën, e cila në fazën e grupeve ka arritur të marrë 3 fitore dhe 9 pikë të plota.

Ditën e nesërme në Gjermani është festë kombëtare dhe si rrjedhojë priten edhe më tepër tifozë shqiptarë që të jenë të pranishëm në arenën ku do të luhet ndeshja.