Sot sfida ishullore, flet për “Telegraf” ish-mesfushori kuqezi Haxhi Ballgjini
Nga Agron Kaja
“Do dëshiroja që kur të mbyllen eliminatoret e këtij Europiani, Shqipëria në renditet minimalisht në vendin e dytë, sepse edhe vendi i parë nuk është i paarritshëm. Më 20 nëntor do të doja që të gjithë shqiptarët të festojnë, dhe për këtë jam besimplotë.”
Si ish-futbollist i Kombëtares po ju rikthej në historinë tuaj. Si ndjeheni?
Ndjej nostalgji për atë periudhë kur isha pjesë e Kombëtares, sepse ajo mbetet nga më të bukurat e karrierës sime. Ndërkohë që kur pyetemi për Kombëtaren sot, unë mendoj se është edhe një vlerësim, sepse kështu ju na respektoni.
Kombëtarja kori një fitore me Moldavinë. Cili është këndvështrimi juaj për tri pikët e para?
E para dhe më kryesore, mua kjo ndeshje më pëlqeu, sepse stadiumi “AIR Albania” ishte i tejmbushur. U realizuan pritshmëritë dhe nuk u vu në diskutim asnjëherë fitorja, e kështu objektivi u arrit.
Ku mendoni se ishte pika më e fortë e skuadrës sonë?
Në atë ndeshje të gjithë vrapuan, kishte lëvizshmëri, kishte besim në fitore dhe u qarkullua mirë topi. Goli i parë e çliroi suadrën emocionalisht, por duhet të kemi parasysh se ne nuk kemi kualitete mbi të tjerët, funskionojmë mirë në grup.
Po defektet ku mendoni se ishin gjatë ndeshjes me Moldavinë?
Nuk mund të them për ndonjë defekt të veçantë, sepse moldavët u rreshtuan shumë mbrapa në pjesën e parë dhe ishte e vështirë që t’i hapje. Nëse shtylla e Cikalleshit do ishte gol, ndeshja do bëhej edhe më e lehtë për fitoren tonë.
Pas dy ndeshjeve, Shqipëria renditet e treta në Grupin E, çfarë tregon kjo situatë?
Nëse do të isha edhe unë pjesë e ekipit Kombëtar, do thoja se vendi i tretë nuk thotë asgjë, duhet të ishim më lart. Ne duhet t’i marrim 6 pikë Moldavisë dhe 6 pikë Ishujve Faroe. Me barazime e fitore me çekët e polakët, shkojmë në Europian.
Sot me Ishujt Faroe, si ju duket skuadra në këtë përballje të parë me ishullorët?
Në letër ndeshja duket e lehtë, por nuk duhet të vetkënaqemi nga rezultati me Moldavinë. Mendoj se ndeshja duhet zgjidhur sa më shpejt, që fitorja mos kthehet në boomerang. Duhet që t’i mbyllim hapësirat kundërshtarit, luajmë në fushën e tyre.
Nëse i referohemi ndeshjes me Moldavinë, si mund të luajë Kombëtarja jonë sot?
Mendoj se në të njëjtën mënyrë. Kundërshtari është më i dobët dhe kështu ndërtohet edhe manovra. Nuk besoj se do ketë ndryshime të mëdha, por mbi të gjitha duhet të ruhet qetësia, sepse nervoziteti nuk ndikon pozitivisht në arritjen e synimit.
Mendoni se nga lojtarët që luajtën me Moldavinë duhet të ketë edhe ndryshime, dhe ku?
Ne nuk kemi shumë luks që të bëjmë lëvizje të mëdha në skuadër. Kur Asllani futet nga stoli, do të thotë se kemi grup lojtarësh që të bëjmë rrotacion. Dhe në këtë sfidë besoj se do të ketë e loja në grup do ndikojë për fitore ndaj Ishujve Faroe.
2 ndeshje
Në këto eliminatore, Shqipëria ka luajtur vetëm dy ndeshje në Grupin E.
3 pikë
Me 1 fitore dhe 1 barazim, Shqipëria renditet në vendin e tretë me 3 pikë.
EURO 2024
Ndeshjet-Grupi E
Janë luajtur
Datë 24 mars 2023
Rep. Çeke-Poloni 3-1
Moldavi-Ishujt Faroe 1-1
Datë 27 mars 2023
Poloni-Shqipëri 1-0
Moldavi-Rep. Çeke 1-1
Datë 17 qershor 2023
Shqipëri-Moldavi 2-0
Ishujt Faroe-Rep. Çeke 0-3
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Rep. Çeke 3 7
2.Polonia 2 3
3.Shqipëria 2 3
4.Moldavia 2 2
5.Ishujt Faroe 1 1
Do të luhen
Datë 20 qershor 2023
Ishujt Faroe-Shqipëri 20:45
Moldavi-Poloni 20:45
Ndeshjet e tjera të Shqipërisë
Datë 7 shtator 2023
Rep. Çeke-Shqipëri 20:45
Datë 10 shtator 2023
Shqipëri-Poloni 20:45
Datë 12 tetor 2023
Shqipëri-Rep. Çeke 20:45
Datë 17 nëntor 2023
Moldavi-Shqipëri 20:45
Datë 20 nëntor 2023
Shqipëri-Ishujt Faroe 20:45
Përballja në ishull drejtohet nga një ishullor

Sfidën Ishujt Faroe-Shqipëri do ta drejtojë arbitri qipriot, 34-vjeçari Krisovalantis Theuli. Ai e ka ndeshjen e tij të parë me Kombëtaret A, ndërsa ka drejtuar dy miqësore vitin e kaluar: Portugali-Nigeri 4-0 dhe Maltë-Irlandë 0-1. Për këtë arbitër, Shqipëria nuk është e panjohur, sepse në vitin 2020 ai ka qenë gjyqtar i katërt në fitoren 2-0 të Teutës ndaj izraelitëve të Beitar Jerusalem. Ndërkohë që ka drejtuar edhe një ndeshje të Kombëtares U17 të Shqipërisë në kualifikueset e Europianit në vitin e kaluar, në fitoren 3-1 ndaj Suedisë.
Formacioni i mundshëm
Renditja: 1-4-4-2
Strakosha
Hysaj Ismajli Gjimshiti Mitaj
Asani Bajrami Ramadani Asllani
Cikalleshi Uzuni
Liga e kampioneve
Partizani pret short të vështirë
Dje u ndanë vazot e shortit të raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampioneve, ndërsa shorti do të hidhet ditën e sotme. Skuadra e Partizanit, si kampione e Abissnet Superiore ka deklaruar se do tentojnë kalimin e një turi, për të shkuar më pas në “play off” të Ligës së Konferencës. Por sot shorti nuk duket shumë i lehtë, duke parë që rivalë të mundshëm janë Ferencvaroshi, Karabaku, Sherif Tiraspol, Zrinjski, Ludogorets dhe Makabi Haifa. Shorti do të hidhet ditën e sotme dhe ndeshjet e para të këtij turi do të luhen më 8 e 15 korrik 2023.
Prezantim te Tirana
Nënshkruan mbrojtësi i Kombëtares, Albi Doka

Albi Doka rivishet bardheblu, ky është njoftimi i djeshëm i klubit të Tiranës i postuar në faqen zyrtare të Facebook-ut. Pas një aventure tre vjeçare jashtë Shqipërisë, dy në Kroaci me HNK Gorica dhe një sezon në Hungari me Honved të Budapestit, Doka rikthehet në Tiranë, nga e cila ishte larguar pas mbylljes së sezonit 2019-2020. Tashmë prapavija bardheblu merr një përforcim të rëndësishëm, edhe për faktin se nga ky repart u larguan pas mbylljes së sezonit të kaluar dy futbollistë.






















