Kliton Bozgo: Kualifikimi vendoset në Beograd, me Letoninë fitorja si detyrim

KOMBËTARJA/ Ish-sulmuesi kuqezi Kliton Bozgo, analizon pragndeshjet kuqezi dhe mundësitë.

Agron KAJA

Sigal

Nga dita e hënë, Kombëtarja jonë ka nisur grumbullimin në Spanjë, në përgatitjet për miqësoren me Gjilbraltarin më 4 shtator ora 18:00, dhe më 9 shtator ora 20:45 do luajë me Letoninë në stadiumin “Air Albania”, për kualifikueset e Botërorit 2026. Dhe nisur nga këto dy ndeshje, njëra miqësore testuese dhe tjetra sfidë. Kombëtarja jonë ka tre ditë që po përgatitet, dhe sot do testohet në stadiumin “Europa Point” të Gjilbraltarit. Për këtë situatë, ish-sulmuesi i Kombëtares sonë, Kliton Bozgo, analizoi pragndeshjet dhe mundësitë. “Gjithmonë puna e parë për trajnerin është lista fillestare, e cila bëhet nga disa faktorë. Shëndeti i lojtarit dhe minutat që kanë luajtur. Këtë herë, me emrat që ka publikuar, Silvinjo i qëndroi besnik listës së vjetër në 80% të saj, edhe pse kishte lëvizje me Brojën dhe Ramadanin e dëmtuar, si dhe Bajramin e ri që nuk pranoi të luante si kuqezi. Gjithsesi, këto lëvizje janë normale, kjo ndodh në çdo kombëtare. Por unë mendoj se në Kombëtare duhet që të thirren lojtarët më të mirë të momentit, jo ata që kanë pak minuta lojë dhe janë të vjetër në formacionin e Kombëtares”, kështu e nisi Kliton Bozgo bisedën me gazetën “Telegraf”, ndërsa theksoi më pas se nuk ka kohë për të provuar nga trajneri, por kjo duhet të bëhet me zgjuarsi. “Duke i marrë të dyja ndeshjet që Kombëtarja ka në kalendar, them se trajneri Silvinjo nuk e ka kohën për të provuar lojtarët e rinj. Sepse kemi bërë dy gabime në ndeshjet e Letoninë dhe me Serbinë, e këto pikë duhet t’i zëvendësojmë patjetër me Letoninë në Tiranë. Nisur nga emrat në listë, për këtë ndeshje trajneri nuk ka menduar që të provojë. Sepse kjo është ndeshja deçizive për renditjen në Grupin K, ndaj do të luhet me lojtarët e provuar. Vetëm tek ata ai ka besim, ndërsa sipas ecurisë së ndeshjes mund të krijohen mundësi aktivizimi edhe për të tjerë lojtarë”. Nga data 1 e deri më 9 shtator në ndeshjen me Letoninë, çfarë ka mundësi të bëjë Silvinjo me skuadrën? “Natyrisht që grumbullimi dhe miqësorja janë një plus i madh. Kjo edhe për faktin se Lituania luan me Serbinë dhe më pas vjen në Tiranë. Kështu që është një plus i madh për skuadrën tonë, sepse Letonia nuk është Spanja që të ketë lojtarë të të njëjtës cilësi. Kjo është përparësi për Kombëtaren tonë pas nxemjes me Gjilbraltarin, dhe me Letoninë nuk duhet që ta diskutojë fitoren. Kualifikimin për Kombëtaren tonë e vendos ndeshja në Beograd, sepse Anglia e ka të sigurtë vëndin e parë”, kështu e përshkruan situatën Kliton Bozgo, teksa Kombëtarja është në pragun e një ndeshje vendimtare me Letoninë.

LISTA E LOJTARËVE TË GRUMBULLUAR

Portierë: Thomas Strakosha, Simon Simoni, Mario Dajsinani

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Maldini Kacurri

Mesfushorë: Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Ernest Muçi, Jasir Asani, Enis Çokaj

Sulmues: Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku, Kristian Shpendi

Trajner: Silvinjo

NDRYSHIMET ME LARGIME DHE AFRIME

Në këtë fillimjavë, FSHF-ja njoftoi publikisht disa lëvizje në listën e lojtarëve të Kombëtares, të cilët do jenë të gatshëm për trajnerin Silvinjo në miqësoren me Gjilbraltarin më 4 shtator dhe me Letoninë më 9 shtator. Mbrojtësi Adrian Bajrami nuk do të jetë pjesë e Kombëtares pasi ka vendosur të largohet nga Shqipëria për të luajtur me Zvicrën. Trajneri Silvinjo ka thirrur mbrojtësin Maldini Kacurri, ndërsa në vend të Ylber Ramadanit që është i dëmtuar, është thirrur Enis Çokaj. Pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet nuk do të jetë as Ernest Muçi, Silvinjo ka thirrur sulmuesin Kristian Shpendi, i cili grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren A.

Muçin e “kapin” radarët e Rubin Kazan në Rusi

Mediat turke dje kishin një lajm të fundit, sa i përket futbollistëve shqiptarë. Fjala ishte për Ernest Muçin, aktualisht sulmues te Beshiktashi, të cilin e kanë “zënë” radarët e skuadrës së Rubin Kazan në Rusi, i cili ka bërë ofertë zyrtare. Por Muçi mund të huazohet nga Beshiktashi te Rubin Kazan, ku i afrohet një pagë mujore 74 mijë euro, ndërsa në huazim mund të përfshihet edhe mundësia e blerjes së kartonit. Lëvizjet e fundit gjithmonë kanë qenë surprizuesë. Kujtojmë se e tillë ishte edhe transferimi i Muçit nga Legia te Beshiktashi.

Miqësorja me Gjilbraltarin, test historik me inferiorë!

Sot në stadiumin “Europa Point” të Gjilbraltarit, Shqipëria shkruan historinë, sa i përket takimeve të zhvilluara me këtë shtet të vogël. Në ora 18:00, Shqipëria do të luajë miqësoren në transfertë, në përgatitje për ndeshjen e 9 shtatorit ndaj Letonisë, e cila vlen për kualifikueset e Botërorit 2026, Grupi K kualifikues. Prej të hënës, Kombëtarja është duke u stërvitur në Malaga të Spanjës për këtë duel, ku nuk do jenë të gatshëm të dëmtuarit Ylber Ramadani, Ernest Muçi dhe Elhan Kastrati. Në ekip janë thirrur Simon Simoni, Enis Çokaj, Maldin Kaçurri dhe Kristian Shpendi. Një treshe nga Uellsi, me kryesor Aaron Vyn Jones, ndihmësa Daniel Beckett e Harry Hendricks. Ndërsa arbitër i katërt do jetë vendasi Jason Barcelo (Gjibraltar).

Kualifikueset-Botërori 2026

Shqipëria në Grupin K

 

Ndeshjet e luajtura

Datë 21 mars 2025

Angli-Shqipëri                        2-0

Datë 24 mars 2025

Shqipëri-Andorra                    3-0

Datë 7 qershor 2025

Shqipëri-Serbi                         0-0

Datë 10 qershor 2025

Letoni-Shqipëri                       1-1

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       P

1.Anglia                      3          9

2.Shqipëria                  4          5

3.Serbia                       2          4

4.Letonia                     3          4

5.Andorra                    4          0

Ndeshjet që do të luhen

Datë 9 shtator 2025

Shqipëri-Letoni                       20:45

Datë 10 tetor 2025

Serbi-Shqipëri                         20:45

Datë 13 nëntor 2025

Andorra-Shqipëri                    20:45

Datë 16 nëntor 2025

Shqipëri-Angli                       18:00