“Kampionët e Vlorës 1930-1990”, emrat që historia nuk i harron

832
Nga Ergys ALUSHI

(Vijon nga numri kaluar)
Libri u kushtohet gjithë atyre sportistëve që nuk u bënë dot kampionë, edhe pse kishin pasionin për sportin e derdhën shumë djersë, por që nuk i lejuan të dilnin kampionë 
Kujt i kushtohet libri “Kampionët e Vlorës 1930-1990”
Autori, gazetari Ergys Alushi jua kushton librin gjithë atyre sportistëve që nuk u bënë dot kampionë edhe pse kishin pasionin për sportin e derdhën shumë djersë, por që nuk i lejuan të dilnin kampionë…Mohimi i kësaj të drejte nga ata që mohuan shumë të drejta dhe në fusha të tjera të jetës shqiptare në atë periudhë, ka qenë pjesë e dëshpërimit të tyre personal, por, padyshim duhet parë edhe si dramë e një qyteti të tërë si Vlora, që jetonte, gëzonte e vuante bashkë me sportin e sportistët e saj. Të gjithë tifozëve vlonjatë, që shkonin me këmbë, biçikleta, trena e makina të rastit në Fier, Lushnjë, Berat, Elbasan, për të parë ndeshjet e “Flamurtarit”. Të gjithë qytetarëve të Vlorës, burra, gra e fëmijë,që e gdhinin në Sheshin e Flamurit për të pritur ekipin e zemrës që kthehej triumfues pas çdo Kupe e kualifikimi jashtë Vlorës. 
Kampionët e Vlorës, për librin “Kampionët e Vlorës”
Violeta Çala (basketbolliste): “Shumë faleminderit për çfarë po bëni dhe që po na kthen mbrapa në kujtimet tona më të bukura”. 

Afërdita Laçi (basketbolliste): Nuk e mbaj mend t’ju njoh personalisht, por sapo lexova se po shkruani një libër për kampionët e Vlorës. Ju uroj suksese, por ju kujtoj (nëse nuk keni harruar) basketbollin e femrave të viteve ’77-’90, krenarinë jo vetëm të Vlorës, por të Shqipërisë me trajnerin e madh Petrit Stefa. Kam qenë pjesëtare e asaj skuadre me Nr. 6, Afërdita Laçaj, nëse më mbani mend. Ato vite sa të bukura dhe të lumtura kishin dhe shumë vështirësi. Ju uroj jetë e shëndet dhe suksese. 

Mirela Çollaku (basketbolliste): Ju falënderoj për kërkesën dhe gëzohem shumë që më në fund një vlonjat mundohet të nxjerrë në dritë epokën e ndritur të basketbollit. Ju uroj shëndet personalisht dhe familjarisht. 

Elida Xhindi (notare): Nuk kam asnjë plan të shkruaj libër për veten, dhe të jam mirënjohëse që ju keni marrë iniciativën të botoni librin për gjithë sportistët e Vlorës. 

Albana Dhima (gjimnaste): Unë jam në Itali, dhe mbase takohemi kur të vij. Po bën gjënë më të bukur që po shkruan këtë libër, se na kanë harruar fare. 

Muhina Kuqi (basketbolliste): Po shikoj disa momente që ke hedhur në facebook. Historia e basketbollit shqiptar u ngrit që kur “Flamurtarin” e Vlorës e mori Petrit Stefa, i cili na bëri ne me emër të madh e me personalitet. Unë jam një nga ato lojtaret e Vlorës që e ngritëm flamurin brenda dhe jashtë shtetit. Ju uroj suksese! 

Pavllo Kisi (notar): Për sa i përket asaj që ju doni, ka materiale boll tek libri “SPORTI I NOTIT”. Mendoj që ju të organizoni një takim me të gjithë protagonistët e sportit në Vlorë, që të mundeni nga afër të njiheni me ta, dhe njëkohësisht të pasurojnë edhe arshivën tuaj që të dalë sa më i plotë libri. Ju uroj gjithë të mirat! 

Vasilika Beja (notare): Nga zemra ju falënderoj për këtë dhuratë të bukur që më bëni mua, familjes sime, fëmijëve të mi, nënës time që e kam larg, shoqeve dhe shokëve të mi të notit. Erdhi momenti që ju të flisni me shkrim për një realitet. 25 vite me radhë, përditë, në mes të dallgëve me orë të tëra në det, pa një ditë pushim, për të realizuar një rekord. Një libër është pak. I kam kujtimet, gazetat, në një bllok. Malli më ka marrë për shoqet e mia, për shokët e notit që i përqafoj shumë nga larg. Emigracioni na ndau, zoti Ergys. Një libër i veçantë i takon trajnerit tonë, profesorit Pavllo Kisi, të cilit i jam shumë mirënjohëse që na drejtoi për dhjetë vjet rresht mbushur me rekorde. Me vjen të shkruaj shumë, pasi kujtimet nuk mbarojnë. Ju uroj një punë të mbarë dhe përsëri ju falënderoj!
Si u zhvilluan sportet, terrenet e shoqëritë sportive në Vlorë
Po si u zhvilluan sportet në qytetin e Vlorës? Cilat janë veprimtaritë e para? Gjendja e terreneve sportive? Krijimi i shoqërive të para sportive? Përvoja e trajnerëve të huaj? Si u kalua nga futbolli ku: “Dy pikët e fituara në një ndeshje nga futbollistët mbulonin, si të thuash, humbjen e pësuar në një tjetër aktivitet kombëtar. Për sportet e tjera shumë pak mendohej, ose, më mirë, shumë pak kërkohej llogari…” tek zhvillimi i sporteve të tjera? K%to dhe pyetje të tjera marrin përgjigje brenda materialit që shpaloset në libër. Zhvillimi i stërvitjes e të tjera ngjarje sportive të ndodhura deri në fillimin e viteve shtatëdhjetë, ku disa sporte në Vlorë filluan të arrijnë rezultatet e para në nivel kombëtar. Në libër, do të ketë një historik të shkurtër, për çdo sport, për fillimet e tyre në qytetin e Vlorës apo edhe në Shqipëri. Ndaj dhe nuk ka një histori të përgjithshme. Në disa shkrime më poshtë, për të arritur deri tek sporti i parë ALPINIZMI, jam munduar të përzgjedh disa materiale, me qëllim për të treguar etapat nëpër të cilat ka kaluar zhvillimi i sporteve në qytetin e Vlorës. 
Këndi i lojërave “Spartak”
Ndërtohet këndi sportiv “Spartak”. Është këndi sportiv, me rëndësinë më të madhe në zhvillimin e sporteve në qytetin e Vlorës. Është fusha me dheun me ngjyrë kafe, rreth së cilës mblidhej i gjithë qyteti, mblidheshin ata që kishin fatin të uleshin në shkallët e pakta të tij dhe ata qindra e mijëra të tjerë që qëndronin jashtë e prisnin me ankth përfundimin e një ndeshjeje. Aty kanë lindur kampionët e kampionet e para. Aty do të shpërthente adrenalina tipike vlonjate. Aty, ku për herë të parë, një ekip femrash do të ngrinte Kupën e Parë të Kampionit, si ekipi i volejbollit “Flamurtari”. Në vitin 1966, krijohen për herë të pare, në të gjitha rrethet e Shqipërisë, Zyrat e Urbanistikës dhe Projektimit (ZUP), të cilat u ngarkuan zyrtarisht me detyrën e projektimit të objekteve të ndërtimit për rrethet përkatëse, krahas projektimeve që bënin Institutet e Projektimit në Tiranë. Në periudhën 1966-1969 në qytetin e Vlorës, do të projektohen e ndërtohen disa objekte. Njëra prej tyre do të ishte këndi sportiv “Spartak”, projektuar e ndërtuar nga inxhinier, Vangjel Loli, që në atë periudhë ishte edhe përgjegjësi i Z.U.P në Vlorë. Këndi kishte 6 shkallë, dhoma modeste zhveshjeje, një fushë që shërbente për ndeshjet e basketbollit, volejbollit, mundjes dhe peshëngritjes.

Pjesë nga libri
“Atë natë, si dhe të premten e kaluar, Vlora fjeti shumë vonë. Dhe u zgjua më herët, më e freskët, më krenare. Në këto raste, ndërmarrjet e shtetit në Vlorë raportonin plane e detyra të realizuara nga kolektivat punonjëse. Entuziazmi e kënaqësia nga rezultatet e “Flamurtarit” në sport, jepnin rendiment të lartë dhe përkushtimin e vlonjatëve në punë”. Më të paduruarit nxituan në PTT, u lidhën me Korçën dhe morën sihariqin: “Flamurtari” kishte fituar përsëri, dhe kësisoj ishte shpallur edhe një herë kampion në basketboll për femra”. “Atë ditë, Vlora ishte në një festë të vërtetë dhe rrugët e qytetit ishin të mbushura me njerëz që gëzonin e brohorisnin për fitoren. Në restorant “Sazani”, pushteti i kohës organizoi një darkë për nder të vajzave dhe ekipit kampion, ku çdo lojtare ishte e ftuar të ishte e shoqëruar me një pjesëtar të familjes”. “Me mbështetjen e qindra e qindra vlonjatëve që kishin bërë një rrugëtim epik, në këmbë, e mjete çfarëdo të transportit, nga Vlora në Elbasan. Të atyre mijëra vlonjatëve që e pritën në Sheshin e “Flamurit”, kur u kthye në Vlorë me Kupën e Republikës”. “Kur u kthye nga Durrësi, ku kishte thyer katër rekorde kombëtare në ndërmarrjen ku punonte, të rritjes së shpendëve, vendosën t’i organizonin një mbrëmje tematike”. “Nga mesi i shëtitores “Pionieri” dhe brenda kuadratit të fabrikës së zhveshjes së orizit, gjendet poligoni i qitjes i ekipit të ”Flamurtarit. Për çdo pasdite, kalimtarët dëgjojnë krismat e armëve të qitësve të qytetit tonë. Ata stërviten.”

“Flamurtari”-“17 Nëntori”, 68-66
“Flamurtari” fiton për herë të katërt Kupën e Republikës, përballë rivalit të përjetshëm “17 Nëntorit”.“Pallati i sportit në Vlorë nuk ka parë kurrë kaq dendësi. Janë 3000 shikues që presin të dalin skuadrat… Papritur pallati pushtohet një një gjallëri e pazakontë. Në fushë kanë dalë Çala, Ruci, Sadushi, Laçaj, Birçe dhe në anën tjetër Dibra, Goxhi, Mirza Alibegaj, Edra Alibegaj dhe Hoxha… Janë të parat tiranaset që realizojnë. Është sërish Edra Alibehaj që realizon një tre pikësh dhe rezultati 7-0… Ndërkaq, vlonjatet nuk gjejnë shtigjet e lojës së tyre… Iu desh Laçajt që të çlirojë atë ngurtësi duke realizuar 3 pikët e para. Ishin pikërisht këto 3 pikë që i hapin udhë një përpjekje të fortë, të pareshtur gjer në mbarim… “Kur gjyqtari hungarez Molnar sinjalizoi përfundimin e takimit, nuk e dinte që ai takim kishte hyrë në Histori. Sepse “Flamurtari” kishte fituar 2-0 dhe ishte kualifikuar për në turin e tretë të Kupës UEFA. Asnjë ekip tjetër shqiptar nuk kishte arritur të kalonte në turin e tretë. Ndeshjen e parë “Flamurtari” e kishte humbur 1-0 në Gjermani, edhe pse kishte zotëruar lojën për 70 minuta. Stadiumi i Vlorës atë ditë të 4 nëntorit 1987 do të ishte plot e përplot. Më shumë se 13 mijë vlonjatë ishin në stadium. Një qytet i gjithë e kishte zemrën aty. E gjithë Shqipëria ishte sy e veshë nga Vlora. Futbolli shqiptar kishte arritur një sukses të madh, pikërisht në Vlorë…”

“Kur “Barcelona” erdhi për herë të parë në Vlorë në vitin 1986, nuk gjeti kushte të përshtatshme në stadium, as dhoma zhveshjeje e as dhoma shtypi. Kur erdhën pas një viti, mbetën të çuditur se si ishte bërë gjithë ajo punë brenda një viti. Herën e parë që ishin në Vlorë, ata shkruan shumë mirë vetëm për akomodimin në kampin e punëtorëve, duke qenë të parët nga ekipet e huaja që u akomoduan atje. Shkruan aq mirë sa në vitin 1987, kur na ra shorti me “Partizanin” e Beogradit, një javë para na erdhi telegram nga ekipi jugosllav që kërkonte të qëndronte aty ku kishte qëndruar “Barcelona”, në kampin e punëtorëve. Atëherë kampi i punëtorëve ka qenë i bukur, me gjelbërim, i pastër, me pamje nga deti. “Barcelona” e parë erdhi me valixhe frigoriferike, me ushqime me vete, por nuk i përdorën, pasi konsumuan e pëlqyen ushqimet bio që gjetën te ne. Vitin e dytë erdhën si zakonisht, hëngrën e pinë çfarë u ofronte kampi, kuptohet sipas kërkesave të tyre”.
Vlerësime e konsiderata
Roland Minga (regjisor i TV Amantia)
“Pas atyre që u paraqitën, mua dhe Petro Papakostës na u duk se Edi kishte trajtuar e zhvilluar një problematikë të caktuar…Kështu fillon edhe jeta mediatike e Edit. Ajo çfarë u vu re më vonë, ishte se ai dinte të kapte problemet duke i trajtuar ato drejtpërdrejt, ndonjëherë “vrazhdë” dhe pa shumë ‘stil’, por e rëndësishme ishte që godiste. Të mos harrojmë që ishte i pari gazetar i një televizori privat në Vlorë dhe që duhet të krijonte një fizionomi që nuk do të ishte vetëm e tij. vetjake, por dhe orientim i televizionit”

Genci Demiraj (Drejtor i TV Amantia)
Ergysi ishte pjesa me solide e stafit te pare te televizionit “Amantia”, duke u bërë shumë shpejt “miku i domosdoshëm”apo “armiku i padëshiruar” i shumë pushtetarëve, politikaneve apo zyrtareve lokalë. Krijoi ne mënyrën e tij origjinale dhe të pa tjetërsuar emrin dhe autoritetin e gazetarit të vërtetë dhe të besueshëm.

Efrosina Arapi (Gazetare TV Amantia)
Me vjen mirë qe shkollën e gazetarisë së terrenit e mësova pikërisht në TV “Amantia” dhe mësimet e para i mora duke punuar me Ergysin
Rezear Xhaxhiu (Gazetar TV Arbëria)
Me Ergys Alushin kam punuar ne televizionin kombëtar “Arbëria” në
periudhën 1998 – 2001, kohë kur unë isha drejtor i informacionit dhe Ergysi korrespondenti i TVA në Vlorë. Ergysi ishte një nder korrespondentet më profesionistë me të cilët
kam punuar në pesë vitet si drejtor informacioni në këtë televizion.
Ergys Alushi – 20 vjet gazetari!
Më shumë se 30 mijë shkrime dhe 7 libra të botuar!
E ka nisur punën në gazetari në një gazetë lokale të Vlorës, “Vlora Expres”, në tetor të vitit 1997. Me rihapjen e televizionit të parë privat të qytetit, dhe të dytin në Shqipëri, “Teleblu”, që e ndërroi emrin në “Amantia TV”, do të përzgjidhej si gazetari i vetëm që do të punonte në këtë televizion. Në datën 20 shkurt 1998, së bashku me një grup të vogël njerëzish, do të fillojë të parin edicionin e parë të mirëfilltë informativ në një televizion privat.
Pak biografi e autorit
Gazeta lokale “Vlora Expres”; Televizioni lokal “Amantia”; Televizioni “Arbëria”; Televizioni “Klan”; Gazeta lokale “Today Vlora News” (Drejtor); Televizioni “Vizion +”; Gazeta “Standard”; Gazeta “Tema”; Televizioni lokal “Vlora Channel” (Drejtor i TV); Gazeta lokale “Imperial City”(Drejtor); Gazeta lokale “Sun City”(Drejtor); Gazeta “Telegraf”; Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, botuar në Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Në muajin dhjetor të vitit 2011 ka botuar librin publicistik “Trazuar”, Fitues i çmimit të parë për librin më të mirë publicistik në Vlorë për vitin 2011. Në vitin 2011 është zgjedhur një ndër “10 Protagonistët e Vlorës”. Ka botuar edhe librat: “Poezi miqsh” (poezi); “Prostitucion në Lidhjen e Shkrimtarëve”(roman); “Monica të keqen” (publicistikë); “Përse në Vlorë?” (histori); “Legjenda 50 000 ton” (monografi kushtuar peshëngritësit Hysen Cenaj); “Kampionët e Vlorës 1930-1990”; Aktualisht është bashkëpunëtor për përgatitjen e një Guide Turistike për Bashkinë e Selenicës, në përbërje të së cilës janë 46 fshatra. Është duke punuar për përgatitjen e një libri Monografi për qytetin e Vlorës, Projekt i Bashkisë së Vlorës.
Njoftim
Kam kënaqësinë t’ju ftoj në: 
1. Promovimin e librit tim “Kampionët e Vlorës 1930-1990”; 
2. Vlerësimin nga Bashkia e Vlorës të disa sportistëve e trajnerëve kampionë; 
3. Në 20-vjetorin tim në gazetari. 
Ju mirëpres, ditën e shtunë, më 28 prill 2018, ora 18.30 në bar “Industry lounge”, përgjatë Lungomares. 
Ju lutem, konfirmoni pjesëmarrjen! 
Miqësisht, Ergys Alushi


Sigal