Ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli: Me Çekinë e Ukrainën ndeshje delikate, janë për t’u fituar

46
Sigal

LIGA E KOMBEVE/ Ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli analizon kuqezinjtë para dy sfidave të fundit

 

Nga Agron KAJA

NOA

Ju po jetoni në emigrim, po me se merret Altin Rraklli në këtë kohë pa futboll?

Unë merrem me futboll, nuk e mendoj veten jashtë tij. Aktualisht jam Drejtor Akademie me një klub të Kategorisë së 6-të. FC Riza quhet, që përfaqëson një qytet me 40 mijë banorë. Është një qytet shumë futbolldashës.

Përpos angazhimeve tuaja, po Kombëtaren si e ndiqni nga Gjermania?

Kombëtaren e ndjek më shpesh në televizion, por kur kam patur mundësi, edhe në Tiranë. Gjithsesi, unë e ndjek ritmikën e ndeshjeve të Kombëtares gjatë gjithë kohës, madje edhe ritmikën e futbollistëve që luajnë në klube në Europë.

Situata në Ligën e Kombeve në Grupin B1 duket me rivalitet, ju si e përshkruani Shqipërinë?

Kështu e kisha parashikuar Grupin B1, me katër skuadrat që janë thuajse në të njëjtin nivel. Çekia ka ndryshuar ritmin e përbërjen, por është një skuadër më e mbledhur kur luan ndaj nesh. Grupi është i ekuilibruar, secili mund të fitojë dhe mund të humbasë.

Silvinjo ka thirrur 28 futbollistë, cilët i mendoni se janë më në gjëndje për të qënë titullarë në këto dy sfida?

Është normal me 28 futbollistë, se janë dy ndeshje. Kështu ka qënë edhe në kohën kur unë luaja, por se kush do jetë në formacion e di trajneri. Silvinjo është i vendosur tek disa emra, se në karakterin e tij si trajner beson tek ata.

Me Çekinë dhe Ukrainën luhen dy ndeshjet e fundit në grup, ku duhet të ndryshojë trajneri, referuar ndeshjeve të kaluara?

Te formacioni i mundshëm unë nuk do hyj, por mendoj se Silvinjo duhet të jetë më rezultativ te zëvendësimet që bën. Këtu trajneri duhet të përmirësohet në emra e karakteristika të lojtarëve, jo si veproi në Gjeorgji. Gjithsesi, ka punuar mirë.

Gjimshiti është mungesa e fundit, Manaj është në dyshim, Daku i skualifikuar dhe Bare i dëmtuar, sa do ndikojnë këto te skuadra jonë?

Patjetër që ndikojnë, sidomos mungesa e Gjimshitit. Ismajli e ka zëvëndësuar mirë deri diku, por Gjimshiti është i pazëvëndësueshëm dhe mungesë e madhe. Uroj që zëvendësuesi të jetë në më të mirën e duhur, ndërsa për Manaj pres lajme të mira.

Nisur nga situatat që kanë të dyja skuadrat, Çekia dhe Ukraina, si e parashikoni ndeshjen me çekët?

Janë të dyja ndeshje të forta, sepse kemi një grup të ekuilibruar. Por jemi të avantazhuar se luajmë në fushën tonë. Na duhet shpirti i garës, sepse do vijnë të armatosur me forca të shumta. Duhet të tregohemi rracionalë, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet që të dalim në kreun e grupit.

Mendoni se tifozeria në stadiumin “Air Albania” do jetë faktor pozitiv për Kombëtaren tonë?

Kur flasim për tifozerinë tonë, ne jemi kampionë të Europës. Natyrisht që në Tiranë do jetë atmosferë fantastike. Ata bëjnë maksimalen dhe i japin skuadrës adrenalinën dhe moralin e duhur. Skuadra duhet t’i përgjigjet brënda fushës.

Sa vlerë ka kjo Ligë e Kombeve për futbollin europian në tërësi?

Unë jam skeptik, apo i paditur në të mirat që të sjell kjo Liga e Kombeve. Nuk di që kur u krijua, sepse ishte me qëllim që të eliminoheshin ndeshjet miqësore me këto ndeshje zyrtare. Ka të mira si qasje.

 

Lajmi i fundit, Gjimshiti mungon!

Mediat italiane bënë me dije dje, se gjendja e Gjimshitit do të monitorohet në vazhdimësi, por qendërmbrojtësi nuk do të udhëtojë drejt Tiranës për t’iu bashkuar Shqipërisë. Ai do të qëndrojë në Bergamo për të nisur fazën e riaftësimit.

LISTA E TË GRUMBULLUARVE

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Simon Simoni.

Mbrojtësa: Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Marjo Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Enea Mihaj. Marrash Kumbulla.

Mesfushorë: Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Kristian Asllani, Feta Fetai, Jasir Asani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Keidi Bare?

Sulmuesa: Ernes Muçi, Indrit Tuci, Marlind Daku, Myrto Uzuni, Rei Manaj.

Trajner: Silvio Mendes Campos Junior (Silvinjo)

Munguan dje: Berat Gjimshiti, Marrash Kumbulla dhe Keidi Bare

 

LIGA B-GRUPI B1

Ndeshjet e luajtura

Ukrainë-Shqipëri         1-2

Shqipëri- Gjeorgji       0-1

Çeki-Shqipëri              2-0

Gjeorgji-Shqipëri         0-1

RENDITJA

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Çekia            4          7

2.Gjeorgjia      4          6

3.Shqipëria      4          6

4.Ukraina        4          4

Ndeshjet që do luhen

Datë 16 nëntor 2024

Shqipëri-Çeki              20:45

Datë 19 nëntor 2024

Shqipëri-Ukrainë         20:45

 

SITUATA ME KARTONËT

I pezulluar nga kartonët

Mirlind Daku              2 kv

Rrezikojnë nga kartonët

Thomas Strakosha      1 kv

Qazim Laçi                 1 kv

Marjo Mitaj                 1 kv

Myrto Uzuni               1 kv

Jasir Asani                   1 kv

(Një lojtar që ndëshkohet me 2 kv, nuk luan në ndeshjen e radhës)

 

DJE NË KONFERENCËN PËR SHTYP

Strakosha: Luajmë dy finale, do ja dalim

Portieri Thomas Strakosha, dje në konferencën për shtyp u ndal tek ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë. Fillimisht Strakosha foli për Çekinë, tifozët, konkurrencën në Kombëtare, si dhe për kolegët Alen Sherrin dhe Etrit Berishën. “Në Çeki, ndoshta kemi luajtur ndeshjen më të keqe në dy vitet e fundit, pësuam gol në minutat e para. Por këtë herë vetëm më mirë duhet të bëjmë, se më keq jo. Luajmë dy finale në shtëpi, kemi publikun tonë edhe mendoj që jemi të gjithë të përgatitur mirë. Edhe pse kemi mungesa them se do t’ja dalim, veç të jemi të përqëndruar. Jemi të barabartë me pikë e na duhet të japim maksimumin, dhe me zemër të luftojmë për çdo top”.

Feta Fetai: Ndaj Çekisë, rëndësi ka fitorja

Mesfushori i Shqipërisë, Feta Fetai, është thirrur nga trajneri Sylvinjo në listën e 28 lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, me Çekinë dhe Ukrainën. Dje ai ka dalë në konferencën për shtyp, ku kërkoi kryesisht fitoren me Çekinë. “Hera e parë është më e veçantë, por edhe kësaj here shumë mirë. Më kanë pritur shumë mirë dhe me shumë ngrohtësi. Natyrisht që ëndrra e çdo fëmije është të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë, dhe që të luajë shumë ndeshje në Europian ose Botëror. E preferoj shumë si lojtar Modriçin, por në Shqipëri preferoj shumë Asllanin dhe Bajramin. Do doja të asistoja dhe shënoja si Modriç, por ndaj Çekisë më shumë rëndësi ka fitorja”.