Intervista për “Telegraf”/ Saimir Dauti: Kombëtarja dhe Skënderbeu, faktorë pozitivë në futbollin shqiptar

632
INTERVISTA/ Nga kuqezinjtë te Superiorja, ja si e përshkruan situatën në futbollin tonë, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i disa skuadrave shqiptare
Nga Agron KAJA
Ta nisim këtë bisedë me Kombëtaren, si ju duket situata pas largimit të De Biazit?
Kombëtarja bëri ndryshime në pankinë këtë verë, duke u zëvendësuar De Biazi me Panuçin, që sa i përket emrit, ai ka qenë futbollist i madh, ka luajtur me skuadra shumë të mëdha, por suksesi ose jo me Kombëtaren tonë, do të varet nga shumë faktorë. 
Mendoni se edhe Panuçi, nuk do të ketë sukseset e De Biazit?
Nuk jam skeptik e paragjykus, por nuk mendoj se kushdo që të vijë trajner në Kombëtaren tonë, nuk do të ketë sukseset e De Biazit, sepse ai qëndroi gjatë në krye të Kombëtares. E veçanta e tij ishte se zgjodhi lojtarë nga të gjitha trevat shqiptare, kudo ku luanin. Këto arritje, bënë që skuadra e De Biazit të kishte një fytyrë europiane, ishte me të vërtetë një grup futbolli europian. 
Pse duhet të mos besojmë tek ndryshimi që mund të sjellë Panuçi në stolin e Kombëtares sonë?
Ndryshimi qëndron në faktin se, Panuçi nuk është i konfirmuar si trajner, por, nëse e krahasojmë me Zidanin që nuk ishte i tillë, por që po korr suksese si teknik, atëhere na mbetet që të besojmë tek ai. Unë kam bindjen se Panuçi do të bëjë gjëra të mira, dhe nëse do të qëndrojë gjatë do të ketë sukses, sepse gjërat e mëdha duan kohë të arrihen.
Shkojmë te futbolli superior shqiptar, cilën skuadër do të veçonit në këtë periudhë?
Mendoj se Skënderbeu në pesëvjeçarin e fundit, ka qenë skuadra më e mirë e futbollit tonë dhe vlerësimet e dhëna për të kanë qenë të merituara. Bën lojë kolektive dhe të rrjedhshme dhe kjo e dallon atë në kampionatin tonë. Nga ana tjetër, Skënderbeu ka ditur të zgjedhë edhe trajnerët, pasi, si Josa ashtu dhe Daja, janë teknikë të spikatur dhe kanë drejtuar si duhet, por mbi të gjitha, Skënderbeu ka një presidencë serioze që ka investuar për skuadrën.
Po sa i takon shanseve të kualifikimit në turin play-off me Dinamon e Zagrebit, ekzistojnë për skuadrën tonë, nëse i referohemi edhe statistikave në rënie të skuadrës kroate?
Nuk mendoj se Dinamo ka rënie, sepse e pashë në ndeshjen që zhvilloi me Rijekën, të cilën e fitoi 2-0. Në këtë edicion, treguesit e Dinamos janë të mirë, ndaj nuk jam me ata që deklarojnë se është një Dinamo e dobët. Përkundrazi, mbetet një prej skuadrave më të mira të rajonit, një skuadër e madhe që ka prodhuar shumë talente që luajnë me klubet më të mëdha në Europë. në këtë fazë rivali është shumë i fortë dhe i vështirë.
Duke qenë se ndeshja e parë luhet në Kroaci, e mendoni këtë një avantazh për Skënderbeun?
Jo, nuk mendoj se luan shumë rol. Skënderbeu mund të bëjë një hap, duke pretenduar një barazim në transfertë, por duhet parë fundi i të dyja ndeshjeve, dhe koha e vërteton këtë. Kam një eksperiencë personale me Dinamon në Tiranë, ku na mundi Ajaksi në Holandë 1-0 në minutën e 87-të me penallti, ndërsa në Tiranë na mundi më lehtë 2-0. Dua të them se, nuk është shumë vendimtar ky fakt.
Po në tërësi, si ju duket organizimi dhe kompletimi që bëjnë skuadrat shqiptare në këtë periudhë merkatoje?
Është folur shpesh për organizimin dhe kompletimin e skuadrave tona, jo vetëm në periudhë merkatoje. Të gjithë jemi dëshmitarë që, prioritet po u jepet më shumë futbollistëve të huaj, dhe më pak tregut vendas. Ky është një problem shqetësues që ka ndodhur me futbollin tonë ndër vite, ndoshta sepse klubet ende nuk i kanë të konsoliduara skuadrat e të rinjve. Kam parë shpesh ekipe të rinjsh që stërviten në kalçeto, apo që vrapojnë kuturu pa një plan të shëndoshë stërvitor, por, nuk mund bëhesh futbollist cilësor, nëse nuk ke një organizim të mirë stërvitor.
Çfarë sugjeroni ju si specialist me përvojë, se duhet të ndryshojë në futbollin shqiptar?
Mendoj se, që të ndodhë ndryshimi, duhet një infrastrukturë stërvitore e mirë. Por, edhe nëse kjo është në disa ekipe, problem janë presidentët e klubeve, të cilët i kushtojnë rëndësi vetëm ekipit të parë, sepse duan rezultate në një kohë të shkurtër. Marrin lojtarë të huaj, duke i paguar shumë, që të mundësojnë fitimin e trofeve. Kjo situatë i le pas dore të rinjtë, sepse, nëse këto para do të ishin investuar për të rinjtë, me siguri që do të kishim më shumë lojtarë cilësorë.

Si e përshkruani ju, ka të bëjë vetëm me fitimet, dhe jo me strategji profesioniste të klubeve?
Nuk mund të paragjykoj strategjitë, por po i rikthehem përsëri skuadrës së Skënderbeut, e cila e ka ruajtur grupin bazë prej shtatë apo tetë lojtarësh, që po përbëjnë bërthamën e ekipit. Nuk mund të bëhen ndryshime të menjëhershme në skuadër me të tjerë futbollistë të rinj, duke larguar të gjithë lojtarët e vjetër, sepse humbet kohezioni, dhe për pasojë, humbet vazhdimësia, duke i bërë gjërat të nisin nga e para.

Cili është roli i trajnerëve tanë në këtë situatë që ndodhet futbolli shqiptar?
Unë për trajnerët, kam përshtypje pozitive. Kemi një elitë trajnerësh të aftë, teknikë të rinj që drejtojnë skuadra edhe në Europë. Unë vetë kam drejtuar para disa vitesh Shkëndijën e Tetovës, e cila sot po paraqitet mjaft mirë në Europë. Por, më vjen keq se, në Shqipëri shumë teknikë të rinj po digjen pa pasur mundësi të tregojnë aftësitë e tyre, sepse klubet marrin trajnerë të huaj.
Sigal