INTERVISTA/ Për situatën aktuale në futbollin shqiptar, flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça

525
Kampionati pa gola, më shumë është i varfër
Nga Agron KAJA
 
Këto ditë të ftohta dhjetori, ku po i kalon Shkëlqim Muça?
Në punë dhe në shtëpi, në një monotoni që zakonisht e thyej gjatë fundjavës me ndeshjet sportive të shumësportëshit të Partizanit, por edhe me ato të futbollit.
Që do të thotë se Çim Muça është larg futbollit për momentin?
Sa larg, aq edhe afër, sepse unë tashmë jam shef i Klubit Shumësportësh “Partizani”, dhe është vetë kjo detyrë të obligon t’i qëndrosh sa më pranë, në kuptimin e drejtimit për postin që kam. Më pëlqen kështu.
Pas një përvoje të suksesshme si trajner në futbollin elitar, ka ndonjë ofertë për ju në këtë moment?
Jo jo, nuk kam. Unë po e bëj publike te ju, se e kam mbyllur me trajningun në futboll dhe jam përkushtuar në këtë detyrë që po kryej. Këtu kam gjetur veten, sepse është një klub sportiv i madh që kërkon angazhim e përkushtim. Unë me futbollin punova gjatë, arrita sukses dhe jam i kënaqur, por ka edhe një shprehje: “ Kurrë mos thuaj kurrë!”
Po për ndeshjet e Kategorisë Superiore, sa interes keni pasur për t’i ndjekur në këtë periudhë?
Paralelisht me punët e mia e detyrimet në familje, unë nuk i jam larguar futbollit, kryesisht ndeshjeve të Kategorisë Superiore. Ndeshjet e Tiranës i kam parë si tifoz, ndërsa Partizanin e kam parë, si pjesë e tij. Kështu që  ndjehem sikur jam ende pjesë e futbollit dhe asnjëherë java nuk më ka ikur pa një axhendë që të ketë brenda ndeshjet e futbollit.
Keni qenë trajner në disa skuadra, po Tiranën si e shikoni në krahasim me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar?
Deri në këtë moment, Tirana duket se është në pozicion të përafërt me atë që kishte në sezonin e kaluar dhe, realisht, është larg asaj që presin tifozët, ndoshta dhe vetë drejtuesit e saj. Në këndvështrimin tim, kjo Tiranë nuk bind për titullin kampion, e kësisoj duket se do të jetë në grupin e skuadrave më të mira, në një renditje që mund të luajë në Ligën e Evropës.
Cili është këndvështrimi juaj në përgjithësi për Kategorinë Superiore shqiptare sot?
Kjo pyetje mund të marrë një përgjigje relative, sepse për mendimin tim, ka shumë gjëra për të ndryshuar. Çdo klub ka idetë e tij dhe sa më shumë të rriten klubet, aq më shumë do të rritet niveli i skuadrave. Ekipet e vendeve të para i japin bukuri kampionatit, por janë disi larg cilësisë. Ndërsa pesë apo gjashtë ekipet që renditen në gjysmën e dytë, duken pa nivelin që kërkon një Superiore. Kampionatit i bie cilësia me këto nivele që ato paraqesin.
Janë luajtur 14 javë të Superiores, çfarë dukurie do të veçonit në përgjithësi për 70 ndeshjet e zhvilluara?
Në përgjithësi mendoj se, te pjesa më e madhe e skuadrave mungon konkludimi në portën kundërshtare. Nuk kemi gola shumë, sepse në fazën sulmuese ka varfëri dhe nuk ka fantazi për të shkuar te goli. Loja e skuadrave në fazën sulmuese bëhet e lexueshme dhe pa shpejtësi veprimesh, pra mungon konkludimi nga lojtarët golashënues, element që e dobëson garën.
Nisur nga renditja aktuale, mund të themi se skuadrat e kanë konturuar pozicionin real për mundësitë që kanë?
Jo vetëm nga renditja aktuale, por edhe nga lojërat që kanë në përbërjet e tyre, për titullin kampion duket se do të rivalizojnë deri në fund tre ose katër skuadra. Distanca nuk është e madhe, e përderisa nuk kemi shkëputje do të ketë më shumë rivalitet, sidomos në fazën e tretë.
Por për golashënuesit, mund të thuhet se kanë hyrë në “pit stop”?
Ju e thoni bukur kur e krahasoni me fjalën “pit stop”, ndërsa unë mendoj se që të jesh golashënues, duhet ta kesh në ADN golin. Edhe Hamdi Salihi duket se është i fundit, sepse nuk po shikojmë ndonjë emër të ri që të jetë kësaj kategorie për golin. Një kampionat pa shumë gola, është i varfër.
Duhet të presim merkaton e janarit, për një mendim më të plotë teknik në përcaktimin e skuadrave për titull e për mbijetesë?
Jo, unë e përmenda më sipër se, duke qenë që kampionati luhet me katër faza, në fazën e tretë është më e mundshme të japësh përcaktimin e duhur se si mund të mbyllet renditja. 
Jemi në periudhën dimërore e terrenet në këtë kohë pësojnë dëmtime, sa duken të përshtatshëm stadiumet tona për ndeshjet e Superiores?
Gjithmonë ka qenë ky problem në periudhën dhjetor-janar, sepse këto janë kushtet atmosferike në vendin tonë. Kjo është një periudhë e ngjeshur me ndeshje, e kësisoj, në këtë stinë terrenet rëndohen shumë, sado që të jenë të mirëmbajtur. Nëse do të rralloheshin ndeshjet në këtë periudhë, ndoshta terrenet do t’i kishim më të mira.
Po gara, si po menaxhohet nga FSHF-ja, kur shohim se ka probleme në stadiume me energji elektrike të munguar?
Normalisht nuk them, se ka mangësi në organizimin e garës dhe do ta nis nga energjia. FSHF-ja kur pranon skuadrat që të luajnë në orare me drita, energjinë duhet që t’ua bëjë taksative për linjat e furnizimit. Kush nuk e siguron energjinë, të humbasë ndeshjen. Kjo duhet të vendoset me rregullore dhe cila skuadër që nuk e plotëson, të largohet një kategori më poshtë.
Duke marrë shkas nga tre momentet problematike me energjinë elektrike në Shkodër, Tiranë e Vlorë, çfarë tregojnë këto për lojën e futbollit shqiptar?
Prandaj e theksova më sipër, që raste të tilla duhet të përcaktohen fort në rregullore ku klubet që do t’i luajnë ndeshjet me drita, të kenë linja alternative të furnizimit, që ndeshjet të zhvillohen normalisht.
A mendoni se tifozeritë në disa raste janë bërë edhe tregues që dalin jashtë logjikës së ndjekjes së lojës së futbollit në Shqipëri?
Sikundër kemi parë në disa ndeshje, ana më e errët e kampionatit duket se është dhuna nga tifozeritë. Kjo është gjëja më e shëmtuar e një e gare, pasi me ato veprime ata dëmtojnë veten. Veprimet e tyre dënohen, por edhe financat e klubeve të tyre dobësohen nga gjobat që paguajnë. Të luash pa tifozë, pa ta je pa identitet, por edhe të dënohesh si tifozeri, nuk je në shërbim të skuadrës së zemrës.
Deri në javën e 14-të ka pasur shumë largime trajnerësh, si ish-trajner, ju duken këto lëvizje të pavend në vazhdimin e garës?
Lëvizjet e trajnerëve bëhen nga presidentët e klubeve. Duke qenë se ata janë zgjedhje e tyre, bëhen edhe “pre” në çdo moment kur në logjikën e tyre mendohet, se trajneri bëhet pengesë për rezultatet. Ndryshimet në mesin e garës nuk japin shumë shanse për ndryshime të menjëhershme dhe rezultate të larta, e kjo situatë mendoj, se ka të bëjë me menaxhimin e dobët që bëhet në klubet tona të futbolli. Kush di të menaxhojë mirë në kohën e vendin e duhur, edhe rezultatet do t’i ketë në rritje.
Po arbitrat, si po e përballojnë ngarkesën e ndeshjeve të Kategorisë Superiore?
Ka arbitrime normale, me pikatore ka edhe arbitra që kanë treguar nivel të mirë gjykimi, por ka edhe shumë gabime prej tyre. Shpesh këto kanë 
ndikuar në rezultate, dhe në disa ndeshje i kanë dëmtuar skuadrat. Janë disa të tilla, por e rëndësishme është që të ketë reagim për ndryshim pozitiv. FSHF-ja duhet ta vazhdojë garën me më shumë seriozitet te gjyqtarët.
Sipas jush, çfarë duhet të përmirësohet në aspektin teknik, organizativ e në infrastrukturë?
Të tre këta elementë të garës mendoj se janë në ngjitje nga sezoni në sezon, por klubet duhet të punojnë me strategji të afateve të mesme e të gjata, sepse me afatshkurtra nuk e risin cilësinë e lojës së skuadrave. Me përmirësimin e tyre, gara do të bëhet edhe më e mirë. 
Mund ta mendojmë edhe një Superiore me 12 apo 14 skuadra?
Aktualisht ne shohim që edhe me 10 skuadra ka probleme. Një Superiore me më shumë skuadra mundet të ishte kur të kemi më shumë stadiume. Kemi skuadra që po enden për një stadium, e kështu që variantet me 12, 14 apo 16 skuadra mendoj se nuk i shërbejnë cilësisë. Masiviteti mendoj se po bëhet mirë te moshat dhe te kategoritë më të ulëta.
Për Tiranën, e keni një urim për këtë Kampionat?
Tiranën e mendoj sa më lart në çdo sezon, por edhe Partizanin e dëshiroj njësoj si Tirana. Ka nostalgji, por ka edhe realitet, besoj se kjo është logjika normale.
Si ish-futbollist i Kombëtares, i keni ndjekur ndeshjet eliminatore për Botërorin 2018 që ka luajtur skuadra jonë në Grupin G eliminator?
I kam ndjekur me shumë vëmendje dhe mendoj se pas pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian, Kombëtarja jonë ka një rënie në lojën e saj. Është duke bërë hapa prapa, dhe me këtë situatë duket sikur jemi kthyer në identitetin e kohërave të shkuara. Gjithsesi, të presim muajin mars 2017, kur do të rinisin ndeshjet në grup dhe ne do të luajmë me Italinë.
E mendoni nevojën e rigjenerimit të Kombëtares sonë me më shumë elementë të rinj? 
Mendoj që në radhë të parë që Kombëtarja jonë duhet të ketë më shumë stabilitet në formacionin bazë dhe në rezultate. Ndryshimet duhen, por jo drastike, sepse ashtu më shumë dëmtohet skuadra.
Dhe, axhenda Çim Muçës për vitin sportiv 2017 ku do të jetë?
Pa asnjë ndryshim nga ky ku jam aktualisht.
Skeda/ Shkëlqim Muça
Datëlindja: 19 maj 1960/ Vendlindja: Tiranë
Arsimimi: Inxhinier Gjeolog 1979-1983 
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushën e lojës: Mesfushor
Skuadrat ku ka luajtur: 17 Nëntori (Tirana) 1978-1989 
Tituj e trofe të fituara: Kampion me 17 Nëntorin 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989; Kupën me 17 Nëntorin 1982-1983, 1983-1984, 1985-1986
Me Kombëtaren: Luajtur në 23 ndeshje, shënuar 5 gola 
Si trajner: Tirana 1994-1996, Teuta 1996-1997, Besa 1998-1999, Tirana 2000, Tirana 2005-2006 dhe 2007, Dinamo 2009-2010, Skënderbeu 2010-2011, Flamurtari 2011-2012, në 2014 Kukësi, 2015 Tirana
Tituj e trofe si trajner: Kampion me Tiranën 1994-1995, 1999-2000, 2006-2007; me Dinamon 2009-2010, me Skënderbeun 2010-2011 (nuk e mbylli sezonin të plotë); Kupën e Shqipërisë me Tiranën 1995-1996, 2005-2006; me Dinamon 2009-2010; Superkupën me Tiranën 1995 dhe 2005
Aktualisht: Sekretar i Klubit Shumësportësh “Partizani”; Specialist futbolli
 
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet/ Java e 15-të
Datë 9 dhjetor 2016
Teuta-Skënderbeu 18:00
Datë 10 dhjetor 2016
Kukësi-Flamurtari 14:00
Partizani-Laçi 14:00
Vllaznia- Luftëtari 14:00
Tirana-Korabi 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 14 28
2.Skënderb 14 28
3.Partizani 14 25
4.Tirana 14 22
5.Vllaznia 14 19
6.Luftëtari 14 15
7.Flamurtari 14 13
8.Teuta 14 11
9.Laçi 14 11
10.Korabi 14 6
BOTËRORI 2018
Trajneri Ventura: Me Shqipërinë, ndeshja e vështirë 
Për trajnerin e Kombëtares së Italisë, Giampiero Ventura, “ethet” e ndeshjes në Grupin G eliminator të “Botërori 2018” duket se vazhdojnë edhe në këtë periudhë pushimi për skuadrat kombëtare. Gjatë një vizite që ai ka bërë ditë më parë në Palermo, ku në stadiumin e këtij qyteti do të zhvillohet më 24 mars 2917 ndeshja Itali-Shqipëri, e quajti atë si më të vështirën e të gjithë edicionit. “Unë do të uroja që tani që, faktori fushë të ndjehet në këtë stadium. Në kujtesën time, sa herë kam luajtur këtu në Palermo si kundërshtar, më ka bërë përshtypje ngrohtësia e tifozerisë në stadium. Në ndeshjen kundër Shqipërisë besoj se do të jenë të tillë, pasi mendoj se do të jetë ndeshja më e vështirë e të gjithë grupit. Në rast se nuk do ta mundim Shqipërinë, bëhet i vështirë vendi i parë në grupin tonë eliminator”, ka deklaruar trajneri i Kombëtares së futbollit të Italisë.
KOMBËTARJA
Portieri Berisha gati për operacionin
Lajmi për shtyrjen e operacionit në gju për portierin e Kombëtares sonë, Etrit Berisha, tashmë është bërë publik. I parashikuar që të kryhej në datën 30 nëntor, mjekët e shtynë për faktin se portieri Berisha kishte një ënjtje në zonën e dëmtimit, çka e bënte të pamundur ndërhyrjen kirurgjikale. Ky operacion është lënë për ditët në vazhdim, atëherë kur pjesa e ënjtur e gjurit të normalizohet, dhe ndoshta brenda kësaj jave ai  pritet t’i nënshtrohet operacionit në klinikën “Villa Steuart’ në Romë. Për pasojë, Berishës do t’i duhet të qëndrojë jashtë fushës së lojës për gati një muaj dhe rikthimi i tij mendohet në fundin e muajit janar 2017. Kështu, Etrit Berisha do t’i mungojë Atalantës në katër ndeshjet e fundit të fazës së parë të Serisë A. Nga ana tjetër, për Berishën shqetësim do të jetë vazhdimësia te Atalanta, e cila duhet të bindet që të blejë kartonin e tij nga Lacio.
Partizani
Arbitrat, të telekomanduar për rezultatet
Dje pasdite, Klubi i Partizanit ka dalë me një komunikatë  me anën e së cilës kërkon nga FSHF-ja që të shpjegohen gabimet e gjyqtarëve në ndeshjen Partizani-Kukësi 0-0. Sipas tyre, ka qenë një gjykim tendecioz, për të cilin kërkojnë nga federata që t’i sqarojë në mënyrë institucionale, përse këto raste të diskutueshme në ndeshjet ndaj rivalëve direkt janë në dëm të Partizanit. Komunikata është e gjatë, ku zyrtarisht FK Partizani ka menduar të japë qartësisht ato çka i quan si kundërvënie, si domosdoshmëri për të evituar “telekomandimin” e rezultateve nga arbitrit. “ Në ndeshjen kundër Kukësit ishte dënimi i radhës që arbitrit po nxijnë mbi lodhjen dhe meritën e futbollistëve tanë. Në 14 javë, në rreth pesë Partizani është dëmtuar nga arbitrit. Ju bëjmë me dije se emri i Partizanit nuk mund të përdhoset në këtë mënyrë, dhe ne si klub kemi ndërmarrë një rrugë në të cilën mund të jemi edhe të vetëm, por jemi të vetëdijshëm që kërkojmë të drejtën dhe transparencën që jo në pak raste ka munguar. Jemi në pritje të një reagimi zyrtar nga FSHF-ja, nga institucioni që ka marrë përsipër të zhvillojë një garë futbolli të ndershme…”, theksohet midis të tjerave në komunikatën e djeshme të FK Partizani.
Sigal