Intervista/ Gentian Begeja: Në Superiore mungon përshtatja e duhur trajner-lojtar

36

Ish-futbollisti dhe trajneri i Teutës, Gentian Begeja, skanon pesë javët e para

Sigal

Agron Kaja

“Renditja në javët e para gjithmonë është provizore, ka shumë ulje e ngjitje. Por skuadrat nuk janë aty ku duhet, dhe këtu i referohem më shumë Teutës, që duhet të kishte renditje më të mirë”

Janë luajtur pesë javët e para në Abissnet Superiore, si i përshkruani problematikat në zhvillimin e tyre?

Si në çdo kampionat në fillimin e tij, skuadrat nuk janë të kolauduara mirë. Ndodh, sepse disa trajnerë ende nuk e kanë njohur mirë realitetin e skuadrave të tyre dhe përshtatjen në lojë. Kësisoj ato duan kohën e vet, e po kështu ndodh me lojtarët.

Referuar realitetit, pse shikueshmëria e Abissnet Superiore po përqëndrohet  më shumë nga ekrani?

Mendoj se shikueshmëria në stadium është njësoj si në sezonin e kaluar, në mesataren nuk ka ndryshim. Mendoj se kjo ka qenë si shkak që nuk ka një rritje, duke përjashtuar ndeshje të veçanta, si ato “derbi” me një numr të madh tifozerie.

Nga sfidat e javës së pestë, cilën prej tyre e veçoni në lartësinë e një Superiore të duhur?

Në logjikën e saj, mendoj se ndeshja Dinamo City-Partizani u luajt në nivelin e Superiores, por me diferenca në favor të Partizanit. Sepse, Partizani u tregua më i kolauduar në të gjitha repartet, Dinamo duket se nuk ka përshtatjen trajner-lojtar.

Në këto pesë javë të para, mbi 50% e fazës së parë, si e përshkruani renditjen e skuadrave?

Renditja gjithmonë është provizore dhe në javët e para kështu ndodh, ka shumë ulje e ngjitje. Por dua të them se skuadrat nuk janë aty ku duhet, dhe këtu po i referohem më shumë Teutës, e cila duhet të kishte një renditje më të mirë.

Shënimi i golave filloi vrrullshëm në dy-tri javët e para, pse ra në javët e tjera, ku në javën e pestë u shënuan vetëm 11?

Shënimi i golave mendoj se varet edhe nga disa faktorë, sidomos për çiftet që përballen mes tyre. Pozitive është që po shënohen gola dhe loja sulmuese e bën më të bukur ndeshjen. Është e kënaqshme si tregues, por duhet të ketë stabilitet.

Java e gjashtë luhet mbas tre ditësh, cilën ndeshje e veçoni si më të vështirën, apo të lexueshme si rezultat?

Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Mendoj se Teuta i ka të gjitha mundësitë për tri pikët me Kukësin, sepse i ka të nevojshme edhe për moralin. Ndërsa Vllaznia-Egnatia një ndeshje e fortë dhe e hapur, të dyja luajnë futboll sulmues.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojnë skuadrat në vazhdimësinë e tyre në këtë kampionat?

Skuadrat duhet të kenë objektiv të qartë se çfarë synojnë, dhe duhet që të vendosin aty ku duhet, të pozicionohen mesa mundësi kanë që t’i arrijnë këto objektiva. Sepse e nisin me Europën, dhe më pas e vazhdojnë e përfundojnë për mbijetesë.

2 ndeshje

Në gjashtë javë, Partizani është skuadra me dy ndeshje të shtyra. Në javën e parë me Teutën, në të gjashtën me Tiranën.

3 trajnerë

Në pesë javët e para të Abissnet Superiore 2023-2024, deri tani janë larguar tre trajnerë nga drejtimi i skuadrave të tyre.

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 6

E mërkurë, 27 shtator 2023

Erzeni-Skënderbeu           15:00

Vllaznia-Egnatia             18:00

Teuta-Kukësi                  20:15

E enjte, 28 shtator 2023

Laçi-Dinamo City           15:00

Ndeshje e shtyrë

Partizani-Tirana, 19 tetor 2023

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              5        10

2.Tirana                5        10

3.Vllaznia             5        8

4.Partizani            4        8

5.Erzeni                5        8

6.Laçi                   5        7

7.Skënderbeu        5        6

8.Teuta                 4        4

9.Dinamo City      5        3

10.Kukësi             5        3

Shtyrja e “Derbi-t” i bën mirë stadiumit

Ndeshja “Derbi” e javës së 6-të të Abissnet Superiore, Partizani-Tirana u shty për datën 19 tetor. Kjo sepse, më 12 tetor Kombëtarja luan një ndeshje vendimtare me Çekinë për kualifikueset në “Euro 2024”, dhe tri ditë më pas një miqësore me Hungarinë. Ndërkohë, një shtyrje e tillë duket e drejtë nëse duam që stadiumi AIR Albania të jetë në kushte normale, sepse ndaj Çekisë fitorja vlen sa kualifikimi në europianin “Euro 2024”. Shtyrja e “derbit” bëhet edhe sepse nuk ka një stadium tjetër që ta plotësojë këtë ndeshje, si në infrastrukturë, ashtu dhe për tifozerinë e tyre.

Dorëheqje apo largim, “Ciao Longo”!

Ishte dorëheqje, apo ishte largim i Diego Longos nga stoli i Teutës!? Kjo ende mbetet e pasqaruar, edhe pse në klubin e futbollit durrsak drejtuesit ia kanë dhënë lajmin e shkarkimit trajnerit italian. Dy humbjet, me Laçin e Vllazninë duket se e kanë “mbushur kupën” e durimit nga drejtuesit e klubit të futbollit durrsak. Është dorëheqje apo largim, kjo është e kuptueshme, e tashmë Edi Martini ka dalë si emri i parë i mundshëm për t’u rikthyer në bankinën e Teutës. Ky është largimi i tretë në pesë javët e para të Abissnet Superiore, pas Stavri Nicës nga Laçi e Rrahman Hallaçit nga Kukësi.

LEGJIONARËT NË FUNDJAVË

E pranon trajneri: Uzuni luajti i dëmtuar

Në fundjavë, skuadra e Granadës në La Liga të Spanjës në të cilën aktivizohet edhe sulmuesi i Kombëtares sonë, Myrto Uzuni, e ka humbur sfidën me Las Palmas. Në javën e gjashtë të këtij kampionati, Granada ka marrë vetëm tri pikë, ndërkohë që për ndeshjen e fundit trajneri Lopez sikur e ka justifikuar paraqitjen e beratasit në këtë përballje. “Ishte i sëmurë, por mua testet m’u dukën të rregullta, ndaj e aktivizova si titullar”! Gjithsesi, Uzuni nuk mundi të linte shënjë në këtë ndeshje, dhe deri tani ka shënuar vetëm 2 gola në kampionat. Ndoshta kjo situatë mbetet shqetësim edhe për Kombëtaren, ku më 12 tetor presim Çekinë në Tiranë.

Asllani pa hapësirë, do rikthehet te Empoli

Në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Real Sociedad, ku trajneri i Interit, Simone Inzagi e kishte vendosur si titullar, mesfushorin shqiptar Kristian Asllani nuk tregoi se e kishte merituar këtë vlerësim. Me një paraqitje jo të kënaqshme, ai nuk u preferua nga tekniku edhe në fundjavë në ndeshjen e fituar minimalisht 0-1 në Empoli. Ndaj dhe në hapësirën mediatike të merkatos në fcinterneës, ai mendohet i larguar nga Interi, vetëm në formë huazimi. Destinacioni kryesor mbetet Empoli, skuadër nga u “peshkua” prej Interit dhe aty ai gjen edhe trajnerin Aurelio Andreacoli, adhuruesin e tij.