Intervista/ Dorian Bylykbashi: Partizani, më i përgatitur për ta fituar garën në Superiore

147
Sigal

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Elbasanit dhe Partizanit, Dorian Bylykbashi

Agron Kaja

Në javën e 11-të, kreu i renditjes nuk lëvizi, mendoni se në javët në vazhdim do vijë ndryshimi?

Me sa kemi parë deri tani, të dy skuadrat e kreut janë memeritë në krye të renditjes. Kampionati është i gjatë dhe mund të ketë surpriza, por deri në fund po ta shohësh me kujdes, ka shumë pak diferencë në pikë midis skuadrave në renditje.

Cila nga ndeshjet ishte më përcaktuese për skuadrat, që lëvizën në tabelën e renditjes?

Mendoj se Partizani vazhdon vijueshmërinë e rezultateve pozitive pas minutës së 90-të, sepse loja mbaron kur arbitri i bje bilbilit për fundin. Mendoj se të gjitha skuadrat u ngjeshën në renditje, ku vendin e tretë me të dhjetin i ndajnë 6 pikë.

Sa kanë ndikuar në rezultate ditët e ngjeshura të kalendarit në këto javë?

Ndeshjet janë njësoj për të gjithë ekipet, kurdo që ato të luhen. Por përgatitjet janë ato që bëjnë diferencën, sepse çdo skuadër ka lojtarë në dispozicion dhe këto hapësira të vogla në ditët e zhvillimit sjellin ndikim të vogël.

Partizani po ngrihet gradualisht në kreun e renditjes, sa ka ndikuar largimi i trajnerit Zekiç?

Besoj se ata që e drejtojnë Partizanin e dinë më mirë, por nga jashtë duket se kur një trajner nuk dëshiron, të lejohet. Sepse nuk do jepte maksimumin e tij dhe u bë shumë mirë që e lejuan. Por Abilaliaj ka marrë maksimumin, ka shumë shpirt gare.

Mund të themi se largimet e trajnerëve në disa skuadra po e zbehin ecurinë e garës?

Jo, nuk besoj se do kemi zbehje të garës. Të gjitha ekipet nuk duhet të marrin vendime të nxituara me trajnerët, sepse atyre duhet t’u lenë më shumë kohë. Në pjesën më të madhe unë mendoj se janë të nxituara largimet e tyre, por gara nuk do zbehet.

Pas tre ditësh luhen ndeshjet e javës së 12-të, mos kjo Superiore po kërkon të arrijë sa më shpejt finishin?

Të gjitha ndeshjet e kësaj jave të 12-të duken të vështira. Këtë e tregon edhe diferenca në renditje mes skuadrave dhe performancën që ato po tregojnë. Nuk mund të kesh një ide fikse, por do doja të kemi ndeshje të bukura dhe me shumë tifozeri.

Në gjithçka të zhvilluar në 11 javë, ju çfarë veçoni si elementët më pozitivë të garës?

Si element pozitiv do të thoja se më pëlqen afërsia në pikë në tabelën e renditjes. E përmënda më sipër, janë vetëm gjashtë pikë diferencë nga vendi i tretë me vendin e dhjetë. Kjo dukuri mendoj se do ta bëjë edhe më të fortë garën në vazhdim.

Orari i ndeshjeve

FSHF njoftoi dje se, moti i keq në fundjavë e ndryshon orarin e ndeshjeve të Abissnet Superiore, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë. Të gjitha ato që janë programuar të luhen në orën 14:00, do të nisin 30 minuta më herët, më 13:30.

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 12

Të shtunën 4 nëntor 2023

Erzeni-Egnatia             17:00

Të dielën 5 nëntor 2023

Kukësi-Dinamo City   13:30

Teuta-Laçi                    17:00

Skënderbeu-Tirana               17:00

Të hënën, 6 nëntor 2023

Partizani-Vllaznia                 18:00

RENDITJA  

Skuadrat            Nd    Pikë

1.Egnatia             11     23

2.Partizani           10     23

3.Tirana               11     17

4.Laçi                            11     14

5.Kukësi              11     13

6.Vllaznia           11     13

7.Skënderbeu     11     13

8.Erzeni               11     13

9.Dinamo City   11     11

10.Teuta              10     11

Si po trazohen bankinat, pika e “dobët” e presidentëve!

Nëse do t’i referohemi ecurisë së garës në Abissnet Kryesore, veç elementëve të shumtë që ajo prodhon, ka edhe një dukuri, e cila ka të bëjë me lëvizjet e trajnerëve. Sepse në këtë sezon, në 10 javë lëvizën bankinat në shtatë skuadra, madje te Laçi edhe tre herë, me Mirel Josën që është i treti në këto javë te skuadra laçiane. Kësaj dukurie i kanë shpëtuar vetëm Egnatia, Skënderbeu dhe Erzeni, për të thyer një rekord, që veç pretendimeve për mosrealizim synimesh, ka edhe domethënie të tjera. Ndërkohë që Tirana, Partizani, Laçi, Kukësi, Vllaznia, Teuta dhe Dinamo, i kanë larguar trajnerët. Dhe një ndër to është edhe padituria e presidentëve që drejtojnë këto klube, karizma e tyre për të arritur sa më shpejt synimet. Dhe kur ngecin, gjithçka ia faturojnë trajnerit, i cili e ka edhe pjesën e tij të fajit, por jo gjithçka e keqe u përket vetëm atyre. Ndoshta ky rekord nuk do të prekë shifra me largime të tjera, por duke qenë se janë edhe 25 javë, gjithçka mund të ndodhë.

7 skuadra

Tirana, Partizani, Laçi, Kukësi, Vllaznia, Teuta dhe Dinamo, i kanë larguar trajnerët.

3 skuadra

Vetëm Egnatia, Skënderbeu dhe Erzeni nuk i kanë larguar trajnerët në 11 javët e luajtura.

SUPER TOPI I ARTË

Rikthehet beteja Mesi-Ronaldo, mbeten kandidatë

Argjentinasi Lionel Mesi fitoi për herë të tetë trofeun “Topi Artë”, por ai mund të marrë një tjetër dhuratë nga “France Football”. Bëhet fjalë për “Super Topi i Artë”, trofe që kjo revistë prestigjioze e akordon për lojtarin më të mirë në tre dekadat e fundit. Tashmë po mendon për vitin 2029 dhe favorit kryesor shihet sërish Leo Mesi, i cili pritet të ketë sërish rival Kristiano Ronaldon, fitues i 5 herë “Topit të Artë”. Në këtë garë priten të jenë edhe yje të tjerë si Ronaldo fenomeni, Zidane, Ronaldinho, etj. Për herë të parë, “France Football” e akordoi një çmim të tillë në 1989, ku me “Super Topin e Artë” u vlerësua legjenda Alfredo Di Stefano.

FORMULA 1

Gara në Brazil, Verstapen për fitoren 17 të sezonit

Në 19 garat e zhvilluar në sezonin 2023, piloti i Red Bull, Maks Verstapen ka fituar 16, dhe janë tre gara deri në mbyllje. Holandezi ka grumbulluar 491 pikë dhe është i shkëputur me 251 pikë nga kolegu i tij te Red Bull, Serxhio Perez. Sot nisin provat e lira për garën e Brazilit, dhe Verstapen kërkon të sfidojë, teksa në faqen zyrtare të Formula 1, ai ka deklaruar se është për të vazhduar suksesin. “Kjo është gara e radhës, natyrisht që dua ta fitoj”, ka theksuar dje holandezi, ndërkohë që sot në ora 15:30 nisin provat e lira, ndërsa gara do zhvillohet në pistën e “Interlagos” të Sao Paolos të dielën, nisur nga ora 18:00.