INTERVISTA/ Blendi Nallbani: Superiorja është në fazën me delikate, zona për mbijetesë mbetet më e vështirë

832
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-portieri i Tiranës, Partizanit e Kombëtares, e shikon me shumë dritë-hije fazën e katërt
Janë luajtur 4 nga 5 ndeshjet e javës së 28-të të Superiores, ju si i vlerësoni rezultatet që u arritën?
Mendoj se të katër rezultatet janë të drejta, me pak rezerva për barazimin në Gjirokastër, Luftëtari-Teuta 0-0. Skuadrat fituese treguan se janë më lart nga kundërshtarët, ndaj unë më shumë do t’i quaja ato si rezultate brenda pritshmërive.
Cilin prej tyre e veçon si më delikatin dhe cilin si surprizë?
Duke veçuar fitoren e Vllaznisë 4-0 ndaj Lushnjes, të gjitha ndeshjet e tjera kanë qenë delikate. Me humbjet në fushat e tyre, Kamza dhe Laçi kanë bërë hapa prapa në renditje, ndërsa Partizani e Kukësi treguan se janë skuadra të forta. Barazimi në Gjirokastër, ndoshta mbetet si rezultati më i drejtë i ndeshjes Luftëtari-Teuta 0-0.
Sipas jush, të gjitha rezultatet ishin të pritshme e në logjikë?
Unë kështu e mendoj. Sepse nuk bëhej fjalë për barazim apo humbje të Vllaznisë me Lushnjen, nuk mendohej humbja, apo barazimi i Kukësit në Kamzë. Dhe aq më tepër, fitorja e Partizanit në Laç, për mua mbetet si “qershia mbi tortë” e kësaj jave, sepse kemi një Partizan në rritje.
Me fitoren që arriti dje në Kamzë, mendoni se Kukësi e vuri kandidaturën për Ligën e Kampioneve?
Duke pasur parasysh situatën te skuadra e Skënderbeut, të cilin UEFA e ka penalizuar për të luajtur në Evropë, Kukësi duket më afër Ligës së Kampioneve. Është 6 pikë para nga Partizani i vendit të 3-të, dhe për 8 ndeshjet e mbetura, mes tyre nuk mund të pritet ndonjë përmbysje. Por, nuk mund të them, “kurrë”!
Pse e veçoni më shumë Partizanin për vendin e 3-të, dhe nuk besoni te Laçi apo te Luftëtari?
Me lojën që ka treguar Partizani në ndeshjet e fazës së tretë, dhe në këtë ndeshje të parë të fazës së katërt, është e drejtë të mendohet se ai e ka kapur një vend në zonën e UEFA Europa Ligë. Skuadra tjetër që do të luajë në këtë kompeticion, mendoj se do të ndahet mes Laçit e Luftëtarit.
Sa rrezikon Kamza mbijetesën, pas humbjes që i shkaktoi dje Partizani në fushën e saj?
Duke parë kalendarin, pasi javën tjetër luan në transfertë në Korçë, e një javë më pas pret Lushnjen në fushën e saj, duket sikur është jashtë rrezikut. Por, Kamza ka kualitete që ta kalojë këtë situatë, sepse në dy fazat e para ka qenë skuadër që mendohej se do të ishte në zonën e Evropës.
Mund ta quajmë si një përballje “mbijetese” sfidën e javës së 29-të, Teuta-Vllaznia?
Nisur nga sfida e javës së 29-të, ku shkodranët do të luajnë me Teutën në “Niko Dovana” të Durrësit, gjithçka mendoj se do të varet edhe për Kamzën, por në radhë të parë për të dyja këto skuadra, nga më të mirat në historinë e futbollit tonë, por i mungon eksperienca.
Sot luhet ndeshja e fundit e javës së 28-të, si e mendoni rezultatin në Vlorë?
E mendoj një ndeshje të fortë, dhe nuk besoj se do të ketë ndikim fitorja e Flamurtarit në Korçë gjatë mesjavës së kaluar. Ajo ishte ndeshje e Kupës, dhe duke pasur specifikë tjetër nga Kampionati, ndryshimi i korçarëve ndoshta do të vijë. Por, Flamurtari duhet të fitojë, të paktën për investimin e madh që ka bërë Administratori Sinan Idrizi në këtë skuadër.
Efektet e vendimit të UEFA-s ndaj Skënderbeut, janë ndjerë te skuadra korçare, dhe nuk mendohej se do të shpëtonte nga ndikimi i tij. Por, skuadra korçare ka një përbërje me kualitete, dhe përpos kësaj situate, në vazhdimësi duhet të tregohet profesioniste në fushë
Aksident i lehtë, përplaset autobusi i Partizanit
Gjatë kthimit për në Tiranë, autobusi i ekipit të Partizanit ka pasur një goditje të lehtë me një makinë në rrugë. Ata janë detyruar të qëndrojnë, deri sa ka ardhur edhe policia e shtetit. Edhe qarkullimi i automjeteve të tjera është bllokuar, sa u zgjidh si përplasje, edhe pse mes autobusit dhe makinës nuk ka pasur dëme. Ngjarje ndodhi në dalje të qytetit të Laçit.
Rezultatet-Java e 28-të
Datë 7 prill 2018 
Vllaznia-Lushnja 4-0
Luftëtari-Teuta 0-0
Dje, datë 8 prill 2018 
Kamza-Kukësi 0-1
Laçi-Partizani 0-3
Sot, 9 prill 2018 
Flamurtari-Skënderbe.17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 27 60
2. Kukësi 28 51
3. Partizani 28 45
4. Laçi 28 42
5. Luftëtari 28 41
6. Flamurtari 27 37
7. Kamza 28 34
8. Vllaznia 28 33
9. Teuta 28 30
10. Lushnja 28 10
Sigal