INTERVISTA/ Armando Cungu: Në dy javët e para na mungoi fati në finalizim, ja pse në futboll nuk ka asnjëherë siguri

462
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” trajneri i Kukësit, ja si e përshkruan situatën deri në fitoren ndaj Tiranës, e para në këtë sezon të Superiores

Fitoren e parë në Kampionat për këtë sezon e arritët në javën e tretë, si e shpjegoni këtë fakt?

Ka shumë arsye që, një skuadër e madhe si Kukësi të mos dilte shpejt te fitorja në Kampionat. Së pari, sepse vinim nga ndeshjet në Evropë, të cilat veç ngarkesës fizike, sollën edhe ngarkesë psikologjike pas eliminimit. Por, arsyeja kryesore ishte se në ndeshjet e para na ka munguar fati.

E kishit menduar fitoren 3-1 ndaj Tiranës në javën e tretë të Kampionatit?

Të jem i sinqertë, rezultatin 3-1 në favorin tonë jo, por fitoren asnjëherë nuk e kisha diskutuar. Ne na kishte penalizuar finalizimi në dy ndeshjet e para, dhe falë Zotit, Rexhinaldo u zhbllokua pikërisht në ndeshjen ndaj Tiranës. Është një lojtar kyç për sulmin tonë, dhe prej tij pres më shumë gola.

Në këtë sfidë, Tirana ishte një kundërshtar i lehtë, apo rivalizoi plotësisht me ju (Kukësin)?

Të fitosh 3-1 ndaj Tiranës, natyrisht që ndjehesh i kënaqur. Përpos kësaj fitoreje, Tirana nuk mu duk një ekip i lehtë, sepse fillimisht me atë vendosje në fushë më surprizoi. Por goli i prishi balancat, dhe pasi futa në fushë Kalanë, arritëm ekuilibrin dhe epërsinë.

Në tre ndeshjet e para që janë luajtur, në cilën Kukësi ka luajtur më mirë?

Unë mendoj se në të tria ndeshjet kemi bërë lojë të mirë. Edhe në barazimin 1-1 me Laçin në javën e 1-rë, por edhe në humbjen 0-1 në javën e dytë me Flamurtarin në Vlorë. Duke qenë se në këto dy ndeshje nga kishte munguar finalizimi, ndaj Tiranës ky tregues u bë prioritar.

Kalendari ju detyron dy javë pushim pa ndeshje zyrtare, si ndikon për ju kjo ndërprerje e Kampionatit?

Të gjitha skuadrat e kanë marrë kalendari një muaj më parë, dhe besoj se i kanë bërë llogaritë. Natyrisht që të tilla ndërprerje i kanë të dyja anët e medaljes. Kur je dobët, ke mundësi të reflektosh taktikisht e fizikisht, ndërsa kur vjen nga fitorja, duket si një hov i prerë.

Sa ndikon te skuadra juaj fakti që të gjitha ndeshjet i luani në transfertë?

Ndikim edhe ka, sepse kur luan para tifozerisë tënde, ke edhe një “lojtar” më shumë në fushë. Gjithsesi, ne jemi të ndërgjegjshëm se gjatë kësaj periudhe, stadiumi ynë do të rikonstruktohet, dhe ky më shumë i shërben skuadrës sonë, jo vetëm për ndeshjet në Kampionat.

Po ju me Kukësin, çfarë do të keni parasysh në këto dy javë stërvitore?

Nuk do ta kemi skuadrën të plotë, sepse kemi disa futbollistë që janë angazhuar me kombëtaret. Nuk do të ketë ndonjë program ekstra, mendojmë që të jemi në ritmin e javës së 3-të, ndaj veç anës stërvitore, do të krijojmë mundësinë edhe për ndonjë ndeshje miqësore.

Ndeshjen e radhës (java e 4-të) e luani në Durrës kundër Teutës, si do ta përgatisni, dhe me çfarë synimi do të shkoni?

Kukësi është skuadër e madhe dhe profesioniste. Në të gjitha ndeshjet, brenda e jashtë fushe ka synim vetëm fitoren, dhe ky do të jetë synimi primar edhe në këtë transfertë të javës së 4-t. E pashë Teutën në fitoren me Kamzën, dhe i kam të qarta idetë e mia për përgatitjen e kësaj sfide.

KATEGORIA SUPERIORE

Rezultatet-Java e 3-të

Datë 31 gusht 2018

Skënderbeu-Laçi         1-1

Datë 1 shtator 2018

Luftëtari-Flamurtari    0-1

Partizani-Kastrioti       1-0

Datë 2 shtator 2018

Kukësi-Tirana              3-1

Teuta-Kamza               1-0

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 3 7
  2. Flamurtari 3 7
  3. Partizani 3 6
  4. Laçi 3 5
  5. Teuta 3 5
  6. Kukësi 3 4
  7. Kamza 3 3
  8. Kastrioti 3 3
  9. Tirana 3 1
  10. Luftëtari 3 0