Intervista/ Agustin Kola: Nuk është turp të humbasësh me Beshiktashin

55

Një përshkrim nga Evropa në Superiore, Agustin Kola pranon dështimin e Tiranës

Sigal

Agron Kaja

“Nuk është turp të humbasësh me Beshiktashin, sepse është një ekip që vlen 50 milion euro. Tirana luajti mirë, nuk ishte inferiore në mbrojtje, por luajti në sulm dhe me raste shënimi.”

Partizani dhe Tirana i luajtën ndeshjet e para të turit të dytë në Ligën e Konferencës, si i përshkruani ato?

Janë dy ekipe, që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar, e po kështu në edicionin e kaluar. Edhe në këto ndeshjet në kupat e Europës kanë luajtur mirë futboll. Unë shoh ngritje tek këto skuadra, e po ashtu edhe te Egnatia e Vllaznia.

Kishte mundësi Partizani për një rezultat më të thellë në Andorrë?

Partizani ishte superior ndaj ekipit në Andorra, por sot nuk ka ekipe të forta dhe të dobëta. Në Andorrë luajtën mirë, patën shumë raste për shënim dhe e mbajtën kundërshtarin në mbrojtje. Vetëm golat i munguan.

Po Tirana, çfarë mund të thoshte më shumë ndaj Beshiktashit në atë humbje 1-3?

Nuk është turp të humbasësh me Beshiktashin, sepse është një ekip që vlen 50 milion euro. Tirana luajti mirë, nuk ishte inferiore në mbrojtje, por luajti në sulm dhe me raste shënimi. Gabuan pak në mbrojtje dhe duhet t’i mbanin më afër kundërshtarët.

Në ndeshjet e kthimit, ku mund të presim më shumë nga: Partizani, apo edhe nga Tirana?

Me logjikë, Partizani ka ekip më të dobët e me bindje të plotë e them se do kualifikohet. Tek Tirana mendoj se duhet të luajë dhe të shpresojë, sepse çdo gjë mund të ndodhë, edhe pse mundësitë më të mëdha janë për Beshiktashin.

Tek skuadrat kosovare, që luajtën ndeshjet e para të turit të dytë në Ligën e Konferencës, cilin rezultat veçoni?

Skuadrat kosovare gjithmonë kanë qenë mirë, janë skuadra, që kanë në vetvehte ish-futbollin jugosllav. Nuk mund të kërkosh më shumë, dhe mendoj se Ballkani edhe mund të ecë edhe turin tjetër, këtu veçoj trajnerin Ilir Daja.

Skuadrat e Maqedonisë së Veriut i luajtën ndeshjet e para në turin e dytë, cilën prej tyre e shikoni si më bindëse në lojë e rezultat?

Në futboll çdo rezultat ndodh, kështu edhe me dy skuadrat maqedonase. E mendoj Strugën të kualifikuar ndaj Buduçnostit, por i them mikut tim Shpëtim Duro që edhe në ndeshjen e kthimit të luajë mirë e fort në të gjitha repartet.

Abissnet Superiore është në valën e përgatitjeve dhe të merkatos, si i ndani këto tregues te skuadrat?

Në merkato, Tirana ka marrë një lojtar shumë të mirë, ju rikthye edhe Doka me Hoxhallarin. Në tërësi, unë mendoj se ekipet janë munduar të afrojnë lojtarë cilësorë, por edhe këtë sezon mendoj se do rivalizojnë Tirana, Partizani e Vllaznia, ndoshta edhe Dinamo.

Ka një të veçantë, Erzeni është ende pa trajner! Çfarë efekte mund të ketë ky moment në sezonin e ri për shijakasit?

Këto janë punët e klubit shijakas, në këtë drejtim janë shumë të vonuar. Erzeni është me meritë në Superiore dhe duhet sa më parë të organizohët, sepse koha e fillimit të kampionatit është shumë e shkurtër.

UEFA KONFERENCË LIGË

Skuadrat në Shqipëri

Turi dytë eliminator

Sot, datë 25 korrik 2023

Atletik Esklade-Partizani     0-1

Kthimi, datë 1 gusht 2023

E enjte, datë 27 korrik 2023

Beshiktash-Tirana                 3-1

Kthimi, datë 3 gusht 2023

 

Skuadrat në Kosovë

Turi i dytë eliminator

Datë 25 korrik 2023

Ballkani-Larne (Nir)   3-0

Kthimi, datë 3 gusht 2023

Datë 27 korrik 2023

Dukagjini-Rijeka                   0-1

Plzen-Drita                             0-0

Kthimet, datë 3 gusht 2023

 

Në Maqedoninë e Veriut

Turi i dytë eliminator

Datë 26 korrik 2023

Struga-Buduçnost 1-0

Kthimi, datë 1 gusht 2023

Datë 27 korrik 2023

Shkupi-Levski Sofia   0-2

Kthimi, datë 3 gusht 2023

Dy ndeshje në 48 orë, “masakrohet” Arena Kombëtare

Dje është njoftuar se të dyja ndeshjet e UEFA Konferencë Ligë: Partizani-Atletik Esklades dhe Tirana-Beshiktash, do të luhen në stadiumin “Arena Kombëtare”. Këtë njoftim e kanë bërë zyrtare të dyja klubet, Partizani e Tirana, të cilët në rrjetet e tyre të informimit kanë publikuar njëherësh stadiumin e çmimet e biletave për të dyja ndeshjet. Për Tirana-Beshiktash, varianti i parë ka qenë që të luhej në datën 3 gusht në “Elbasan Arena”, por dje është ndryshuar. Ndërkohë që të martën datë 1 gusht, në Arenën Kombëtare do të luajë, një ndeshje në 48 orë me dy ndeshje.

Çfarë po “gatuhet” te Dinamo? Di Biaxho në start

Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, ka folur këto ditë për një rikthim të fuqishëm të kësaj skuadre, falë projektit që ka nisur. Projekti i bashkëpunimit me Mançester Sitin ka ndryshuar edhe logon zyrtare, ndërkohë që pritet ta transformojë në çdo hallkë klubin. “Dinamo mbetet Dinamo dhe një e ardhme e madhe e pret”, ka theksuar presidenti i bluve. Aktivë në merkato dhe me financa të garantuara, Bardhi e mendon edhe italianin Di Biaxho në bankinën e Dinamo, pretendente të elitës.

Kukësi ka oferta, familja Gjici nuk tundohet

Pas ndalimit të Safet Gjicit nga drejtësia shqiptare, skuadra e futbollit të Kukësit nuk duket në situata të mira, kryesisht në ato financiare. Janë larguar rreth 15 futbollistë nga sezoni i kaluar, edhe pse ka të afruar pa shumë emër në Superiore. Trajneri Rrahman Hallaci vazhdon përgatitjet, ndërkohë që kompania e prodhimit të miellit “Atlas” i ka bërë ofertë për blerjen e aksioneve, ndërsa familja Gjici si fillim nuk është tunduar nga oferta. Në ditët në vijim priten zhvillime të tjera.