Intervista/ Agustin Kola: Me Çekinë do fitojmë, i kënaqur edhe me barazimin

46

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Kombëtares, Agustin Kola, e quan sfidë të kalueshme sot në “AIR Albania”, deklarata të trajnerëve e formacioni

Sigal

Agron Kaja

“Çekët duhen vlerësuar në maksimum, sepse kanë ekip të mirë, madje mund të them se janë më lart nga ne. Logjikisht, Kombëtaren e mendoj si koka e Grupit E. Kënaqem edhe me barazimin”

Sot është ndeshja e “jetës” për Shqipërinë, nisur nga situatat në dy skuadrat, si e parashikoni rezultatin?

Mund të jetë ndeshja e jetës, por unë e quaj të rëndësishme, sepse janë edhe dy të tjera për t’u luajtur. Në një këndvështrim të ftohtë teknik, unë jam besimplotë se skuadra jonë do ta kalojë këtë sfidë. Përballen dy më të fortat e Grupit  E.

Në grumbullimin e skuadrës sonë nga dita e dielë e dje, kanë munguar disa titullarë, si mund të ndikojnë në ndeshje?

Mungesa të tilla janë normale, edhe pse për këdo lojtar janë të padëshirueshme dëmtimet që pësojnë. Por nuk mendoj se do ndikojnë te skuadra, sepse ka lojtarë të tjerë që do t’i zëvendësojnë. Janë profesionistë dhe do jenë siguri.

Çekët kanë dy mungesa nga ajo skuadër, që barazoi me ne në Pragë, janë për t’u vlerësuar nga ana jonë?

Çekët duhen vlerësuar në maksimum, sepse kanë ekip të mirë, madje mund të them se janë më lart nga ne. Ata dy futbollistët çekë që mungojnë, u zëvendësuan me të tjerë, të cilët luajnë në Bundesligën gjermane.

Trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavi, ka folur ditë më parë se shqiptarët do na “shqyejnë”, çfarë tregon kjo deklaratë?

Mendoj se ai na vlerëson, ndaj edhe është shprehur ashtu. Por unë mendoj se kjo shprehje nuk duhet të dalë jashtë konteksit sportiv. Sepse sportivisht ka folur trajneri çek, një “shqyerje” që ai i referohet asaj që e pret në fushën e lojës.

Deri sot, 12 tetor 2023, Shqipëria udhëheq Grupin E me 10 pikë, çfarë analize veçoni për pikët e pozicionin?

Unë them se vëndi i parë për ne është me meritë. Edhe po të ishim në të dytin, prapë mirë do ishte. Ne mund të ishim së paku 11 pikë sot, sepse ajo humbje me Poloninë në Varshavë nuk duhet të kishte ndodhur.

Për formacionin titullar të Kombëtares sonë në këtë përballje, keni ndonjë mendim ndryshe?

Baza do jenë ata futbollistë që kanë luajtur në ndeshjen me Poloninë. Kemi shumë prej lojtarëve që luajnë në kampionate jashtë dhe janë profesionistë. Trajneri Silvinjo i ka ndjekur në ritmikë të gjithë dhe përzgjedhjen do ta ketë të lehtë.

Si e mendoni Kombëtaren shqiptare më 13 tetor 2023?

Logjikisht dhe realisht, në datën 13 tetor Kombëtaren e mendoj si koka e Grupit E. Do jem i kënaqur edhe me barazimin, dhe në këtë përcaktim kam parasysh gjithë rrugëtimin në pesë ndeshjet e para, veçanërisht  rezultatin pozitiv me Çekinë.

“EURO 2024”  / GRUPI E

Ndeshjet e Shqipërisë

Janë luajtur

Poloni-Shqipëri              1-0

Shqipëri-Moldavi           2-0

Ishujt Faroe-Shqipëri      1-3

Rep. Çeke-Shqipëri        1-1

Shqipëri-Poloni              2-0

BILANCI I SHQIPËRISË

Nd 5, F 3, B 1, H 1, Golat 8:3

 

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Shqipëria           5        10

2.Rep. Çeke          4        8

3.Moldavia           5        8

4.Polonia              5        6

5.Ishujt Faroe        5        1

 

DO TË LUHEN

Sot, datë 12.10. 2023

Shqipëri-Rep. Çeke         20:45

E premte, datë 17.11.2023

Moldavi-Shqipëri           18:00

E hënë, datë 20.11.2023

Shqipëri-Ishujt Faroe      20:45

 

DEKLARATA TË TRAJNERËVE

Silvinjo (Shqipëria):

Fitorja, një hap i madh drejt kualifikimit

Para sfidës së sotme me Çekinë, trajneri i Kombëtares sonë Silvinjo, ka theksuar se për kualifikimin, gjithçka fillon sot. “Kemi tre finale përpara dhe duhet të përballemi me të njëjtin qëndrim që kemi pasur deri më tani. Gjithçka fillon të enjten (sot). Ne jemi të vetëdijshëm për entuziazmin e tifozëve tanë, por lojtarët e dinë se ky është skenari i jashtëm, diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë.

Një fitore do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit tonë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme”.

Jaroslav Silhavi (Çekia):

Kujdes, do na “shqyejnë” në Shqipëri!

E ka thënë në shejë frike për rezultatin, apo për të motivuar lojtarët, por deklarata e trajnerit të Çekisë, Jaroslav Silhavi nuk mund të anashkalohet. Marrë sportivisht, ai e vlerëson Shqipërinë, ndaj edhe kërkon që për sukses, ata të bindin me lojë. “Të gjithë lojtarët e dinë se çfarë është në lojë dhe çfarë i pret në Shqipëri. Duhet t’i bindim që janë të mirë, të fortë, me vetëbesim dhe duan të kenë sukses. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme. Nëse nuk i besojmë njëri-tjetrit, do të na “shqyejnë” në Shqipëri!”.

 

 FORMACIONI I MUNDSHËM

SHQIPËRIA  –   Renditja: 1-4-2-3-1

 

Berisha (Strakosha)

 

Hysaj          Gjimshiti     Ajeti            Mitaj

 

Ramadani             Asllani

 

Asani                    Bajrami                 Seferi

 

Cikalleshi

 

Gjykon një holandez, i njohur për kuqezinjtë

Ndeshja e sotme të Kombëtares sonë ndaj Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e “EURO 2024”, do të gjykohet nga gjyqtari holandez Dani Makeli. Atij i është besuar të jetë në drejtim në sfidën delikate mes dy skuadrave që janë rivale direkte për kualifikimin në Europianin e vitit të ardhshëm. Asistentë të tij në këtë sfidë do të jenë bashkëkombësit Hesel Stegstra dhe Jan De Vries, dhe gjyqtar i katërt Aleks Bos. Kombëtaren shqiptare holandezi e kontaktuar për herë të parë si i katërt, në vitin 2013 ndaj Norvegjisë 1-0, dhe në shtator 2021 ndaj Hungarisë, po fitore 1-0.