Ilir J. Hoxha: Partizani, në kufij të legjendës. Aq sa sport, edhe ambasador

254
Sigal

Kolana futbollistike e “Partizanit” është një projekt që përmbledh, në disa vëllime, veprimtarinë e një prej ekipeve, që ka bërë një pjesë të rëndësishme të historisë së futbollit shqiptar. Të shkruash për “Partizanin” përgjegjësia e kalon përgjegjësinë, sepse përtej materialit analitik dhe korrektesës milimetrike duhet të “mbash” peshën e një historie futbollistike nga më të shquarat, ndërsa për vlerë të shtuar në këtë ngarkesë ke edhe atë të një armate tifozerie nga më të mëdhatë në futbollin shqiptar. Është kjo armatë që me përhapjen eterike ka zaptuar gjithë Shqipërinë, po pse jo kaq “pandemike” është kjo përhapje edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Preshevë, në diasporë dhe kudo ku ka shqiptarë. Është kjo legjendë që i ka bashkuar dhe identifikuar këta shqiptarë duke i “veshur” me krenarinë e meritueshme që veç ky Partizan mund ta dhurojë. Partizani është ekipi që historia do ta vendoste në krye të “konakut”, që në krye të herës, atëhere kur ishte ende “foshnje”. Ndoshta është vetëm shqiptare…, por është realitet ! Është realitet që Partizani është ekipi që, në premierë të një aktiviteti kombëtar do të vishte mantelin e kampionit, madje do të vendoste hegjemoninë për tre vjet rresht që nga krijimi i tij, për t’ia lënë këtë stafetë rishtares Dinamo, pas një “lapsusi” golaverazhi, në krijim të saj, në vitin 1950 ! Kështu do niste ky Partizan në atë vit të 1947_ës, për të mos u ndalur më nga trofetë që do ta “goldizonin” në kampionate dhe kupa gjatë gjithë rrugëtimit të tij rreth 75-vjeçar. Janë me dhjetra dhe qindra heronj që kanë vendosur “identitetin” e tyre në këto suksese. Në habitatin e tyre heronjtë janë nga natyra të heshtur dhe modest….! Nuk kishte si të ishte ndryshe edhe ikona deri në anonimat e trajnerit të parë Jani Leka, e qëndrestarit Besim Fagu, e Llambit, Gjinalit, Biçakut, Boriçit, Resmes, Panos së jashtëzakonshëm etj etj që ne do përpiqemi t’i “rikthejmë” duke i kaluar në “Revistë Nderi”, pothuaj të gjithë. Në volumin e parë do të flasim për Partizanin në fillesat e tij, por edhe për sivëllezërit e tjerë “Partizanë” latinë apo cirilikë. Do t’ja u sjellim lakonikisht protagonistët dhe analizat e kampionateve duke mposhtur  “varfërinë” leksikografike që ofron ky zhanër. Të punosh në arshiva është më shumë sakrificë se sa komoditet, dhe kjo nuk vjen nga cilësia e shërbimit të personelit, por nga mungesa e frikshme e materialeve arshivore, ndërsa për sportin ky material pothuaj se është inekzistent. Djegia e materialeve të origjinës me ndryshimin e “shtëpisë” së Partizanit, do ta kthente këtë pasuri arkivore në një “legjendë” të pasur, por  folklorike. Duke respektuar këtë pasuri të “gjymtuar” si dhe atë “gojëdhënash”, jemi përpjekur të “axhustojmë” sadopak drejt korrektesës. Në punën e gjatë e vetmja arshivë e pashtershme ishte puna kolosale e “patriarkut” të gazetarisë sportive Besnik Dizdari, e gazetës “Sporti” dhe mbi të gjitha memoria dhe ndjeshmëria e lartë që kanë njerëzit për Partizanin, por jo vetëm, ndërsa të vërtetat “zyrtare”, më shumë do të na ngatërronin drejt një rrugë pa krye, se sa do të na e drejtonin këtë rrugë. E në k’si rasti cilindo, me çfardo lloj guximi do të tutej, aq më tepër kur bëhet fjalë se do shkruash për historikun e Partizanit, këtij thesari të sportit kombëtar. Gjithsesi kur shkruan për Partizanin, shkruan për një aset kombëtar, dhe kjo përtej komoditetit është përgjegjësi…!

Ilir J. Hoxha