INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri i Vllaznisë, Hysen Dedja
Agron Kaja
“Organet e Disiplinës në FSHF duhet të veprojnë më ashpër për raste të tilla. Nuk janë të mira dhe nuk i shërbejnë futbollit tonë, por duhet që federata të kujdeset jo vetëm me masa, sepse me këtë sistem “Final 4”, futbolli po humbet në vlera”
Telegraf.al / Si e përshkruani javën e 25-të të Superiores ku i pamë të gjitha: fitore në transfertë, gola të anuluar, kartonë të kuq dhe protesta të tifozerive?
Unë mendoj se edhe gjatë javëve në vazhdim do kemi të tilla momente. Duhet të kemi parasysh se jemi drejt fundit të kampionatit. Dhe më shumë, elementë të tillë do të ndodhin pa përjashtim, si te ato skuadra që zbrezin, edhe te ato të “Final 4”.
Rasti në Kukës me pushtimin e fushës nga tifozët, sikur “kruajti plagë të vjetra”, pse ndodh kështu?
Organet e Disiplinës në FSHF duhet të veprojnë më ashpër për raste të tilla. Nuk janë të mira dhe nuk i shërbejnë futbollit tonë, por duhet që federata të kujdeset jo vetëm me masa, sepse me këtë sistem “Final 4”, futbolli po humbet në vlera.
Rezultatet që u shënuan në ndeshjet e javës së 25-të të Superiores, ishin të pritshme për ju?
Pak a shumë, po. Por Egnatia nuk ishte e pritshme në barazimin me Teutën, ndërkohë që po kështu edhe fitorja e Erzenit me Kukësin, që fitoi me rivalin direkt dhe bëri një hap të guximshëm. E veçoj edhe fitoren e Skënderbeut me Partizanin.
Në këndvështrimin teknik, si e përshkruani javën e 25-të të Superiores?
E mendoj si një javë që hyn në emocionet e arritjes së synimeve dhe objektivave. Natyrisht që kjo e rrit lojën e ashpër për të kapur rezultatin sa më shpejt, dhe më tepër do ndikohen skuadrat e ekstremeve në renditje.
Në mbyllje të fazës së tretë, largimet e trajnerëve e bëjnë të veçantën, pse vazhdon kjo “telenovelë” e vjetër?
Këto janë gjëra të kota për t’u diskutuar, sepse thuajse të gjitha skuadrat kanë gabuar me ndryshimin e trajnerëve brenda një sezoni. Presidentët i përdorin keq trajnerët, por nëse ata kanë kontrata, duhet që t’u kundërpërgjigjen ligjërisht.
Pas javës së 27-të mbyllet faza e tretë, mund të priten ndryshime në tabelën e renditjes?
Në këto dy javë të fazës së tretë rivaliteti do jetë i madh, pasi vetëm Egnatia e ka të sigurtë vendin në kreun e renditjes. Ndërsa Vllaznia po jep më shumë garanci, të tjerat nuk kanë siguruar asgjë, si ato për “Final 4” dhe ato të mbijetesës.
Grupi i skuadrave të “Final 4” dhe të mbijetesës po ndryshojnë nga java në javë, çfarë do të tregojnë skuadrat në këto dy javë në vlerat e tyre?
Këto mund të jenë javë pak përcaktuese për kreun, ndërkohë që fundi i renditjes i tillë do jetë. Duke ju referuar kalendarit të këtyre dy javëve të fazës së tretë, mendoj se çdo skuadër duhet t’i luajë ndeshjet si finale. Vlerësimi duhet maksimal.
ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET, JAVA 25
E dielë, 25 shkurt 2024
Egnatia-Teuta 0-0
Kukësi-Erzeni 1-2
Skënderbeu-Partizani 1-0
E hënë, 26 shkurt 2024
Tirana-Laçi 1-1
Dinamo City-Vllaznia 0-1
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 25 49
2.Vllaznia 25 43
3.Partizani 25 40
4.Tirana 25 35
5.Dinamo City 25 35
6.Skënderbeu 25 34
7.Laçi 25 30
8.Erzeni 25 26
9.Teuta 25 25
10.Kukësi 25 19
TIRANA-LAÇI 1-1
Kurbinasit, “mace e zezë” për bardheblutë
Në “Elbasan Arena”, Tirana tregoi se e ka harruar fitoren, edhe pse për këtë arsye ndryshoi bankinën javën e kaluar. Për trajnerin e ri Erbim Fagu, ndeshja me Laçin ndoshta ka nxjerrë të tjera dukuri, ku edhe pse që nga minuta e 19-të ishte në superioritet numerik, nuk arriti që ta zhfrytëzonte këtë element në favorin e saj. Golat ishin lënë për në pjesën e dytë, ku Tirana shënoi e para në minutën e 53-të dhe u mundua të administronte avantazhin. Por në minutën e 78-të, Laçi arrin të gjejë një golin e barazimit me anë të Myrtës, i cili vulosi rezultatin 1-1 dhe i morri barazimin Tiranës. Kurbinasit bëhen “mace e zezë” për bardheblutë, edhe pse u ngjit në vendin e katërt në renditje.
DINAMO CITY-VLLAZNIA 0-1
Shkodranët “zhysin nëndetësen” me supergol
Ndoshta Dinamo City nuk e kishte menduar që sfidën me Vllazninë do ta humbiste 0-1. Goli shumë i bukur i Alivodës në minutën e 28-të, ju la dinamovitëve shijen e hidhur të humbjes, edhe pse zhvilluan një lojë të bukur dhe të barabartë ndaj shkodranëve, madje edhe kur luajtën me 10 lojtarë në fushë, pas daljes me karton të kuq të kapitenit Hoxha. Ndërsa Vllaznia u tregua më e pjekur në fushë, me një mbrojtje të qetë e të sigurtë, bëri që “bombardimet” nga futbollistët e Dinamo City, të mos e kalonin kuadratin e portës që u mbrojt nga portieri Mehidri. Tri pikët e ngjisin Vllazninë në vendin e dytë në renditje, duke ja bërë edhe më të sigurtë një vend në “Final 4”.