Hysen Dedja: “Futbolli në Shqipëri ka bërë hapa prapa”

576
Sigal

Këshilla e trajnerit, pas eliminimit të ekipeve shqiptare në Europë: Ja pse duhet të imitojmë Kroacinë

Hysen Dedja, ish-mbrojtësi i shquar i Vllaznisë dhe ish-trajner i saj (kampion në sezonin 1997-1998), tha për gazetën “Telegraf” se, paraqitja e dobët e katër skuadrave shqiptare – Skënderbeut, Tiranës, Flamurtarit dhe Teutës – reflekton nivelin e dobët të kampionatit tonë. Dedja, i cili si futbollist ka fituar pesë trofe me Vllazninë: dy kampionate (në sezonet 1982-1983 dhe 1991-1992) dhe tri Kupa të Shqipërisë (1978-1979, 1980-1981 dhe 1986–1987), është i mendimit se Federata Shqiptare e Futbollit dhe klubet shqiptare duhet të ndjekin modelin kroat të futbollit, dhe jo vendet e mëdha si Gjermania, Spanja apo Italia. Dedja, si trajner ka drejtuar përveç Vllaznisë, edhe Bylisin, Lushnjën, Teutën, Luftëtarin dhe Erzenin. Si trajner, Hysen Dedja ka zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare në Kupën UEFA (1999-2000) me Bylisin, ku u eliminua nga Interi i Bratislavës dhe me Teutën në Kupën UEFA (2007-2008) kundër kroatëve të Slaven Belupos.

 Zoti Hysen Dedja, edhe këtë sezon të kompeticioneve europiane, skuadrat shqiptare nuk arritën ta kalonin “murin” e turit të dytë, duke dështuar me të katër ekipet që morën pjesë, Skënderbeun, në Ligën e Kampioneve, si dhe Tiranën, Teutën dhe Flamurtarin në Ligën e Europës. Përse nuk ia dolëm?

Për mendimin tim, nuk mund të flasim vetëm për këtë vit, por po bëhen disa vite që paraqitja e skuadrave tona është e tillë. Pra, për të ardhur keq. Edhe këtë vit, u tentua me Skënderbeun në Ligën e Kampioneve dhe Tiranën, në Ligën e Europës, pra me dy ekipet më të organizuara në Shqipëri, por dhe ato nuk mundën ta përmbushnin objektivin, pavarësisht se në krye të skuadrave kanë dy trajnerë të huaj të zotë.

Në këndvështrimin tuaj, si një ish-trajner kampion dhe analist i njohur, cilat mund të jenë arsyet?

Në gjykimin e tij, një nga arsyet mund t’i kërkojmë edhe në kampionatin shqiptar. Të gjithë e dimë se, në kampionatin tonë ka shumë kompromise, ku mungon një shpirt i vërtetë garë, gjë e cila nuk mund të mos transmetohet edhe mentalitetin e futbollit tonë, duke u nisur nga presidentët dhe deri te lojtarët, çka reflekton edhe në paraqitjen tonë në Europë. E kam thënë edhe në disa intervista të mëparshme, duke e venë theksin te Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti i saj, e cila duhet të luaj nëj rol më të qartë në zhvillimin e kampionatit shqiptar.

Fqinjët tanë kanë pasur një ecuri më të mirë në Europë në raport me ne. Si do ta shpjegonit?

Unë jam i bindur se ne kemi bërë shumë hapa prapa në futboll. Të tjerët ecin përpara, sidomos në drejtim të cilësisë futbollistike. Këtu tek ne krenohen vetëm me investimet në terrene, apo ndriçimin e stadiumeve, por harrojnë se investimi më i madh duhet bërë në lojën e futbollit. Fqinjët tanë kanë një strategji më të qartë në zhvillimin e futbollit, prandaj dhe kanë më shumë sukses. Investimet duhet të ecin paralel me rritjen e cilësisë sportive. Futbolli nuk është një çështje individësh apo përfitimesh personale.

Duke parë humbjet 5-0 të Tiranës me norvegjezët e Alesundit, 6-1 të Teutës me gjeorgjianët e Metalurgi Rustavit, apo ato 3-0 të Skënderbeut dhe Flamurtarit, respektivisht me hungarezët e Debrecenit dhe Honvedit, a mund të themi se në Shqipëri nuk kemi ende lojtarë që të përballojnë kompeticionet europiane?

Më lejoni të sjell një shembull. Një skuadër amatore, siF91 Dudelanzhe i Luksemburgut arriti të eliminojë nënkampionët e Austrisë, Salzburgun, një ekip më mjaft emër në Europë. Me këtë dua të them, se skuadrat malazeze, kroate, sllovene, etj. paraqiten me lojëra dinjitoze dhe marrin rezultate dinjitoze, duke kaluar disa ture.

Zoti Dedja, duke analizuar edhe ecurinë e merkatos aktuale në Kategorinë Superiore, me riformatimin që po bëjnë skuadrat, si e shihni atë?

Të gjithë skuadrat janë duke bërë ato blerje, për të cilat mendojnë se mund të përmbushin objektivat që kanë. Sigurisht, që unë duke qenë një ish-lojtar dhe ish-trajner i Vllaznisë, kam ndjekur më shumë ish-skuadrën time. Deri tani them se, ka bërë disa blerje të goditura dhe po organizohet shumë mirë. I ka të gjitha mundësitë ta mbyllë sezonin e ardhshëm me trofe, gjithmonë nëse do ta vazhdojë këtë seriozitet me të cilën po operon në merkato dhe po përgatitet.

Në fund të sezonit të ri, 2012-2013, ndryshe nga ai mëparshmi do të bien direkt 4 skuadra, pasi ai pasardhës nuk do të jetë më me 14 skuadra, por me 12 të tilla. Si e shikoni këtë ndryshim formati?

Formati i kampionatit shqiptar ka ndryshuar disa herë në dhjetë vitet e fundit. Unë mendoj se, nuk është skema ajo që e bën një kampionat cilësor, por loja e skuadrave. Mund të synosh të sjellësh më shumë shikues përmes ndryshimit të formatit, por nëse nuk bën lojëra të mira tifozët nuk vinë kurrë. Mund ta bësh me 18 apo me 10 skuadra, por duhet cilësi. Këtë e theksoj me forcë.

Skënderbeu ka fituar dy sezonet e fundit, duke qenë ajo skuadra me më shumë investime financiare. Sa vendosin financat në futbollin shqiptar?

Skënderbeu ka bërë investime shumë të rëndësishme, duke u nisur nga infrastruktura, por dhe marrjen e disa lojtarëve cilësorë. Gjithsesi, të mos kalosh një tur në Europë, kjo nuk të lë një shije të mirë, kur përballë nuk ke skuadra të mëdha. Dua të kujtoj faktin se, dikur Partizani, Dinamo, Vllaznia, Tirana, apo Flamurtari, para viteve 1990 janë përballur me skuadra më të mëdha dhe kanë luajtur me dinjitet dhe kanë pasur rezultate të mira.

Ka një fluks të madh të lojtarëve të huaj që po vinë në Shqipëri, ndërkohë që ka pak futbollistë shqiptarë cilësorë. Përse ndodh kjo?

Kjo është një temë e gjerë. Elementi i parë në futboll është infrastruktura e futbollit të bazës, kualifikimi i trajnerëve. Ne duhet të marrë modele të shteteve që kanë afërsisht përmasat tona, pasi nuk mund të kopjojmë të atyre shteteve të mëdha. Duhet të marrim modelin e Kroacisë, ajo është një fidanishte. Nxjerr vazhdimisht lojtarë të mëdhenj dhe ka një ekip Kombëtar shumë të mirë.

 Dështimi në Europë

Të katër skuadrat shqiptare që morën pjesë në Europë – Skënderbeu, në Ligën e Kampioneve, Flamurtari, Teuta dhe Tirana në Ligën e Europës, u eliminuan. Tirana mund të krenohet se kaloi një tur, pikërisht atë të parin, kur përballë pati luksemburgasit e Grevenmakerit. Në total, skuadrat tona ne 10 ndeshje, fituan 2 ndeshje, barazuan 2 dhe humbën 6.

 NDESHJET NË EUROPË

 Liga e Kampioneve

Turi i dytë eliminator

Skënderbeu-Debrecen 1-0

Debrecen-Skënderbeu 3-0

Liga e Europës

Turi i parë eliminator

Tirana-Grevenmaker 2-0

Grevenmaker-Tirana 0-0

Flamurtari-Honved 0-1

Honved-Flamurtari 3-0

Teuta-Metalurgi 0-3

Metalurgi-Teuta 6-1

Turi i dytë eliminator

Tirana-Alesund 1-1

Alesund-Tirana 3-0

 * * *

 Kombëtarja, një ekip me fytyrë tjetër

Për Hysen Dedjen, ekipi Kombëtar ka një “fytyrë” krejt të ndryshme nga i futbollit vendas, kjo dhe për faktin se shumë lojtarë luajnë jashtë shtetit, por tek kjo skuadër është përqendruar e gjithë vëmendja edhe Federatës. Dedja vlerëson punën e deritanishme të trajnerit italian Xhani De Biazi.

  Më vjen keq për Dinamon dhe Partizanin

Në Kategorinë e Parë këtë sezon do të luajnë Partizani, Dinamo dhe Elbasani, që së bashku kanë fituar 35 tituj kampionë. “Më vjen keq për to, pasi duhet të luanin në Kategorinë Superiore. Janë emra të mëdhenj dhe me traditë. Edhe në Kategorinë e Parë vazhdojnë të kenë halle të mëdha”.

“Londër 2012”

Zhgënjen Majlinda Kelmendi, sot garon Romela Begaj

 Xhudistja Majlinda Kelmendi, shpresa e madhe e Shqipërisë për një medalje olimpike në “Londër 2012”, u eliminua në raundin e një të tetave nga rivalja e saj nga Mauritius, Kristina Lezhentil, në peshën deri 52 kg, duke i zhgënjyer të gjithë, në Shqipëri dhe Kosovë. Në raundin e një të 32-ve, Kelmendi mposhti me lehtësi finlandezen 29-vjeçare Jana Sundberg, duke dhënë sinjalin se do të kishte një rrugë të lehtë drejt finales. Por, kosovarja Kelmendi, humbi me 20-vjeçaren nga Mauritius, në një ndeshje ku fati u vendos nga një shpërqendrim i Kelmendit. Lezhentel u eliminua në çerekfinale nga belgia Ilse Hejlen. Medaljen e artë në këtë peshë e fitoi Kum Ae An e Koresë së Veriut, që mposhti në finale kubanezen Janet Akosta. Bronzin e fituan italiania Rozalba Forçiniti dhe francezja Prishila Gneto. Gjithsesi, 21-vjeçarja Kelmendi, kampionia e botës për të reja, hyri në historinë olimpike të Shqipërisë, si e para sportiste nga Kosova që bëri pjesë në ekipin olimpik të vendit tonë. Shqipëria ka marrë pjesë në gjashtë Olimpiada, ku e parë është ajo “Munih 1972”. Në ditën e parë të garave, notarja olimpike shqiptare, Noel Borshi, u rendit në vendin e 40-të nga 42 sportiste që morën pjesë në garën e 100-metrave stil flutur, në Lojërat Olimpike “Londër 2012, por duke vendosur edhe një rekord të ri kombëtar. Qitësi shqiptar, Arben Kuçana, u rendit në vendin e 20-të në 10 metra pistolete-ajër, duke grumbulluar 577 pikë, në “Londër 2012”. Gjithsesi, Arben Kuçana do të marrë pjesë dhe në garën e 50 metrave pistoletë, të programuar për më 5 gusht. Majlinda Kelmendi ishte olimpistja e tretë e Shqipërisë që ka garuar deri tani, dhe në garë janë dhe gjashtë sportistë të tjerë. Sot, do të garojë peshëngritësja Romela Begaj, vendi i gjashtë në “Pekin 2008”, e cila konsiderohet edhe si shpresa e fundit për vendin tonë për të hyrë në zonën e medaljeve. Nesër, më 31 korrik, do të garojnë notari Sindi Hoxha (100 metra stil i lirë), si dhe dy peshëngritësit: Daniel Godelli dhe Briken Calja, që të dy në peshën 69 kg. Më 3 gusht do të konkurrojë hedhësi i gjyles, Adriatik Hoxha, ndërsa një ditë më pas peshëngritësi Endri Karina (94 kg). Shqipëria e mbyll përfaqësimin e saj në “Londër 2012” me Klodiana Shalën (6 gusht, 200 metra), sportistja me më shumë pjesëmarrje në Olimpiada, katër të tilla.

Garat dhe rezultatet e olimpistëve shqiptarë

 28 korrik  ora 10:30

Noel Borshi

(Not, 100 metra delfin)

Vendi i 40-te nga 42 sportistë

 28 korrik  ora 12:00

Arben Kuçana

(Qitje me pistoletë, 10 m ajër)

Vendi i 20-të nga 44 sportistë

 29 korrik  ora 09:30

Majlinda Kelmendi

(Xhudo, pesha 52 kg)

Eliminoi në 1/32 Sundeberg

U eliminua në 1/16 nga Lezhentil

30 korrik  ora 12:30

Romela Begaj

(Peshëngritje, pesha 58 kg)

31 korrik  ora 10:00

Briken Calja

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

31 korrik  ora 10:00

Daniel Godelli

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

31 korrik  ora 10:00

Sidni Hoxha

(Not, 100 metra stil i lirë)

3 gusht    ora 10:00

Adriatik Hoxha

(Hedhje gjyle)

4 gusht    ora 15:30

Endri Karina

(Peshëngritje, pesha 94 kg)

5 gusht    ora 09:00

Arben Kuçana

(Qitje, 50 metra pistoletë)

6 gusht    ora 19:20

Klodiana Shala

(Atletikë, 200 metra)

MEDALJET NË “LONDËR 2012”

 Shteti          Ar  Argj. Bronz Tot.

 Kina            6    2    2    10

SHBA            2    3    2    7

Italia          2    2    2    6

Kazakistani     2    0    0    2

Koreja e Jugut  1    1    2    4

Brazili         1    1    1    3

Holanda         1    1    0    2

Koreja e Veriut 1    0    1    2

Rusia           1    0    1    2

Franca          0    1    1    2

Hungaria        0    1    1    2

Australia       1    0    0    1

Gjeorgjia       1    0    0    1

Kolumbia        0    1    0    1

Kuba            0    1    0    1

Britania e Madhe     0    1    0    1

Polonia         0    1    0    1

Romania         0    1    0    1

Taivani         0    1    0    1

Belgjika        0    0    1    1

Kanada          0    0    1    1

Moldavia        0    0    1    1

Norvegjia       0    0    1    1

Serbia          0    0    1    1

Sllovakia       0    0    1    1

Ukraina         0    0    1    1

Uzbekistani     0    0    1    1

* * * *

Shqipëria       0    0    0    0