Superliga ishte “grusht shteti” ndaj futbollit

202
Sigal

Presidenti i LaLigas (Spanjë), Javier Tebas, kritikon ashpër klubet që tentuan të formonin Superligën e Europës. Në një konferencë për shtyp, ai deklaroi se themelimi i saj kishte të bënte vetëm me lakminë për t’u pasuruar, në një kohë kur kërkohet ulja e shpenzimeve.

“Nëse u jepni këtyre klubeve më shumë para, lojtarët do të kenë shtatë makina Ferrari nga gjashtë që mund të kenë sot. Nevojitet kontrollimi i shpenzimeve, jo më shumë të ardhura.”

I pyetur nëse ai mendonte se Reali i Madrid dhe Barcelona do të ishin në gjendje të kryenin blerje të shtrenjta në të ardhmen, ai shpjegoi:

“Gjëja më e rëndësishme për Realin e Madridit dhe Barcelonën, që të jenë në gjendje të bëjnë nënshkrime me futbollistë cilësor, është që Manchester City dhe PSG të mos bëjnë asgjë të çuditshme brenda “Fair Play-t Financiar”. Unë e kritikoj PSG-në, sepse është një klub-shtet, ashtu si Manchester City. Do të vazhdoj ta mbroj atë pozicion.”

Tebas vijoi më tej duke u shprehur se themelimi i Superligës ishte një “grusht shteti ndaj futbollit”.

“Nëse do të ishte kaq e mirë për futbollin, ata nuk do ta bënin në mënyrë të fshehtë. Do të vepronin hapur, nëse do të ishte për të mirën e të gjithëve. Pas 20 vitesh me kërcënime për një krijimin e një gare jashtë UEFA-s, më në fund erdhi, por u tret si sheqeri në ujë. Ne kemi parë reagimet dhe kjo është pozitive. Ne nuk po nxitojmë për të sanksionuar klubet. Këta pronarë klubesh janë ndëshkuar në një farë mënyre nga reagimi e njerëzve që e duan futbollin.”