Hamdi Salihi “pushton” Izraelin

509
Sigal

Sulmuesi shkodran shënoi të shtunën dy gola. Mediat hebraike: “Është një lojtar i magjishëm”

 Hamdi Salihi është shndërruar në heroin e ri të kampionatit izraelit. Sulmuesi shqiptar shënoi dy nga katër golat e skuadrës së tij, Hapoel Ako, në fitoren dramatike 4-3 ndaj Ironi Ramat HaSharon, teksa mediat hebraike i kushtuan lavde pa fund lojtarit të Kombëtares sonë. Shkodranit i mjaftuan vetëm dy ndeshje, për të fituar zemrat e tifozëve të Hapoel Akos, duke justifikuar kështu edhe faturën e lartë financiare të klubit, pasi Salihi konsiderohet edhe si blerja më e shtrenjtë në historinë e skuadrës modeste. Në fakt, Salihi është lojtari i gjashtë i huaj që luan me fanellën e Hapoel Akos, pasi në skuadër janë serbët Nenad Marinkoviç dhe Branislav Jovanoviç, braziliani Huliano Spadacio, kroati Mirko Oremush si dhe francezi Stivën Kohen, por këta nuk e kanë kualitetin dhe “teserën” e lojtarit të Kombëtares së vendit të tyre, siç e gëzon Salihi me Shqipërinë (11 gola në 47 ndeshje me kuqezinjtë).

HEROI I HAPOELIT

Gjatë një interviste, për portalin më të madh izraelit, Vvalla.co.il, Salihi u shpreh: “Nuk mbaj mend të jem përfshirë në një ndeshje, ku ndodhin përmbysje të tilla. Ishte një fitore e vështirë. Unë jam shumë i lumtur që, ne arritëm të ktheheshim fuqishëm pasi e nisëm shumë keq. Unë jam i lumtur për veten time, por sidomos për ekipin gjatë kësaj ndeshjeje. Qysh nga dita e parë e mbërritjes sime kam parë shumë kualitete në grupin e lojtarëve, kemi një trajner të mirë dhe e meritojmë të marrim rezultate. Ne nuk e meritojmë të luajmë në grupin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë”. Sipas mediave vendase, takimi prodhoi emocione pa fund në stadiumin e Akos, teksa miqtë udhëhiqnin 3-1 deri në minutën 53-të. Pikërisht, në harkun e katër minutave, ato 53-57, Salihi shënoi dy golat që prodhuan rifutjen në lojë të skuadrës së tij, teksa Gi Dajan firmosi me një eurogol fitoren 4-3 të Hapoel Akos. Në golin e parë, Salihi i gjendur brenda zonës së vogël të portierit, mori një asist me kokë, duke gjuajtur në formë voleji, ndërkohë që, në golin e dytë, shkodrani shënoi pas një gjuajtje nga këndi. Tentativa e tij e parë u bllokua nga portieri kundërshtar Nican, por me topin e rikthyer sërish te këmbët e tij, shkodrani nuk fali duke e zhytur në mënyrë cinike në rrjetë, duke rikthyer adrenalinën te ekipi i tij, që shënoi fitoren e dytë rresht në dy ndeshjet e fundit, përfshirë edhe atë me Hapoel Tel Avivin (2-1).

NDESHJE THRILLER

“Ne synuam të sulmonim nga minuta e parë. Natyrisht, çdo ekip dëshiron të fitojë, por ne duhet të ishim më të kujdesshëm në mbrojte. Ne e neglizhuam disi faktin që, dhe kundërshtari mund të shënojë. Ne ishim në një situatë të vështirë dhe nuk të na ndodhte kjo gjë, pasi ne nuk mund të shënojmë në çdo ndeshje nga katër gola”, – tha Salihi për portalin izraelit. Sipas skemës se kampionatit izraelit, në fazën e tretë apo “play-off”,  skuadrat që renditen në vendet 1-6 luftojnë midis tyre për titullin kampion, ndërkohë që ato 7-14 për të mos rënë nga Kategoria. Pas javës së 22-të të Liga Ha’Al (superligës izraelite), Hapoel Ako renditet në vendin e 9-të me 25 pikë, 9 më pak se Hapoel Bnei Sakhnin, që mban vendin e 6-të.

INTEGRIM I SHPEJTË

Hamdi Salihi ka veshur fanellat e tetë skuadrave, dhe fakti që ai ka luajtur në Europë (Greqi, Austri), Shtetet e Bashkuara (me D.S.Junaitid) dhe Kinë (Jiangsu Sainty), dhe sidomos njohja e shkëlqyer e anglishtes i krijon mundësinë shkodranit të integrohet pa asnjë vështirësi në çdo komunitet futbolli, madhe edhe në Izrael, një vend me kulturë të veçantë dhe tradita specifike. “Përpara se të vija këtu (në Izrael), unë kisha disa opsione të tjera, por zgjodha të vija këtu, pasi drejtuesit e Hapoel Akos besuan pa asnjë hezitim në aftësitë e mia. Unë dëshiroj të jem një lojtar që merr përgjegjësitë e tij. Grupi i lojtarëve më ka mirëpritur dhe unë këtë e vlerësoj shumë dhe dëshiroj të bëj më të mirën time”, – theksoi Salihi. Në lidhje me ndeshjet e ardhshme të skuadrës, Salihi shtoi: “Ne kemi lojtarë cilësorë në skuadër dhe nuk duhet të ishim kurrsesi në këtë situatë, në grupin ku luftohet për mbijetesë. Ne duhet të shmangim gabimet që kemi bërë në çdo ndeshje dhe të luftojmë për  një vend më të mirë në renditje”. Të shtunën e ardhshme, Hapoel Ako do të luajë në transfertë kundër Bnei Yehuda, ekipit të vendit të fundit, dhe tri pikë të marra atje do të thoshin shumë, përpara se të përballen një javë më pas me Makabi Tel Avivin e vendit të parë.

MYLERI SHQIPTAR

Në një shkrim special kushtuar Hamdi Salihit, portali më i madh izraelit, Vvalla.co.il, thekson faktin se shqiptari thirret me nofkën “Bomber”, të njëjtën që kishte edhe gjerman legjendar Gerd Myler, duke pohuar se atë nofkë ia kishte vendosur trajneri i njohur kroat Oto Bariç, kur ky i fundit drejtonte Shqipërinë. “Salihi para disa vitesh është kërkuar nga gjigantët e Sëlltikut, dhe duket e pabesueshme, që Hapoel Ako, një klub modest (në Izrael) të arrijë të firmosë me të. Një Zot e di sesi ia ka mbushur mendjen trajneri Juval Naim”. Salihi tregon se ka pasur oferta nga Turqia, Anglia, Rusia, por më në fund vendosi për Izraelin. “Ai (Salihi) ka luajtur në Europë, Shtetet e Bashkuara dhe në Kinë, ku ka qenë një makinë e vërtetë golash. Ka zhvilluar 47 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë duke shënuar 11 gola. Në letër, ai është lojtari më interesant që që ka ardhur të luajë për një ekip modest si Hapoel Ako. Është e çuditshme, se si një lojtar që kërkohej nga Sëlltiku të përfundojë tek Hapoel Ako”, – veçon portali. “Ne kishim kontaktuar me te, dhe pesë ditë para se të mbyllej merkatoja mbërriti telefonata e dëshiruar nga agjenti i lojtarit (Adrian Aliaj) dhe e mbyllëm shumë shpejt. Të nesërmen ai mbërriti në Izrael”, tregon menaxheri Alon Harazi.

 Portieri shqiptar ishte i pafajshëm në pësimin e golave. Ishte lojtari më i mirë!

 Gjunjëzohet Berisha, humbet Lacio

 Edhe pse ishte lojtari më i mirë i ekipit të tij (nota 6), Etrit Berisha nuk mundi ta shpëtojë Lacion e tij nga humbja 3-1 me Katanian e vendit të fundit në Serinë A. Lacialët pësuan gol qysh në minutën parë në “Masimino”, kur Izco shënoi pas asistit të Kastros, pa kaluar 41 sekonda lojë, teksa topi përfundoi në të majtë të portës së Berishës. Skuadra e Lacios e gjeti golin e barazimit në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Mauri realizoi në të 45’+1. Krosimi Kronkos nga e djathta dhe kapiteni Stefano Mauri shënoi me kokë. Edhe në pjesën e dytë ishte ish-skuadra Edgar Çanit ajo që dominoi lojën, duke shënuar dy gola të brenda 13 minutave, fillimisht me Spollin në të 48’ (Berisha ishte komplet i pafajshëm) dhe më pas me një goditje të bukur të Perucit në minutën e 58-të. Në minutën e 84’, argjentinasi i Katanias, Berxhesio ndërhyri keq ndaj Berishës, duke u ndëshkuar me kartonin e verdhë. Në vlerësimet pas ndeshjes, Berisha ishte më i miri i skuadrës së Lacios. “Berisha 6: E nisi ndeshjen duke nxjerrë topin nga fundi i thesit: Izco gjuajti nga jashtë dhe e befasoi pas vetëm 41 sekondash. Minutat e para ishin të tmerrshme, Karania u shfaq në mënyrë të vazhdueshme nga anët e tij, ndërkohë që shqiptari arriti të bllokojë gjuajtjen e fuqishme të Barientos. E njëjta skenë u përsërit edhe në të 24’ pas një gjuajtje të Lodit: Etriti fluturoi nën pikën ku bashkohen dy shtyllat dhe e devijoi në goditje këndi. Në pjesën e dytë nuk mund të bënte asgjë në goditjen me kokë të Spollit dhe në devijimin e Perucit”, – shkruhej në portalin Lalaciosiamonoi.it, të afër me klubin italian. Lorik Cana, si zakonisht nën drejtimin e trajnerit Edi Reja nuk u aktivizua, ndërkohë që në stol ishte dhe portieri i ri shqiptar Thoma Strakosha. Kjo ishte dhe humbja e parë në kampionat e trajnerit Edi Reja, pas asaj në Kupën e Italisë kundër Napolit. Lacio lufton për një vend në Ligën e Europës, por duhet thënë se shanset janë të pakta për të arritur këtë objektiv.

 Humbet edhe Besart Beriha

 Brisbejn Roar i Besart Berishë humbi në shtëpi 1-0 me Njukasëll Zhets, në javën e 19-të të kampionatit australian. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Tagart në minutën e 59-të. Sulmuesi kosovar luajti gjatë gjithë takimit, por pa mundur të shënojë. Gjithsesi, Brisbejn Roar kryeson kampionatin australian, me 7 pikë më shumë se vendi i dytë.

 Xhemaili nderon Napolin

 Mesfushori shqiptar nga Maqedonia, Blerim Xhemajli, shënoi golin e parë të Napolit në fitoren 2-0 në transfertë ndaj Napolit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të të kampionatit italian. Lojtari shqiptar i Kombëtares zvicerane shënoi në minutën e 37-të pas asistit të Marek Hamshikut. Për Xhemailin ky ishte goli i 5-të në 20 ndeshje.