Sigal

Trajneri i interit, Luciano Spalletti, ka folur sot para mediave në lidhje me ndeshjen e nesërme që zikaltërit do të laujnë në “Seria A” kundër Bologna-s. Numri 1 i stolit zikaltër fillimisht u shpreh se e priste një start të vështirë këtë sezon.

“Unë nuk mendoj se jemi në krizë, por thjesht kemi qenë disi të pafat. Ndaj Sassuolos vuajtëm shumë, ndërsa me Torinon bëmë një ndeshje perfekte deri në një farë pike, për t’u dorëzuar më pas fizikisht. Deri diku ishte e parashikuar, pasi shumë lojtarë erdhën në verë dhe të tjerëve u zgjati shumë eksperienca në Botëror. Gjithsesi duam të rikthehemi, duke filluar që nesër”, deklaroi Spalletti.

Trajneri zikaltër foli edhe për shortin e vështirë në Ligën e Kampionëve, ku pavarësisht kundërshtarëve të fortë në letër, tha se skuadra është gati të luajë shanset e saj.

“Në shortin e Championsit vuajtëm faktin që ishim në vazon e fundit. Deri diku e prisnim një short të vështirë, por rëndësi ka që jemi në këtë kompeticion. Më pas do të luajmë ndeshjet tona dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin, duke u nisur nga fakti që kemi treguar se ndaj skuadrave të mëdha dimë të luajmë mirë”, tha trajneri i Interit.