Goditën me grushte futbollistin e ekipit, arrestohen dy trajnerët e Butrintit

26
Sigal

Policia ka arrestuar dy trajnerët e skuadrës së Butrintit, Neritan Novi, 52 vjeç dhe Dhiogjen Muça, 45 vjeç pasi akuzohen se kanë ushtruar dhunë ndaj futbollistit të ekipit të tyre, Albi Selimaj.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Sarandës, teksa mbi dy trajnerët rëndon akuza për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim.

Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, gjatë ndeshjes miqësore mes Butrintit dhe Memaliajt. Shkak i konfliktit mes tyre ka qenë minutazhin në fushë i 21-vjeçarit dhe lojtari së bashku me një të afërmin e tij janë përplasur me trajnerin në pushimin e ndeshjes.

Futbolisti Albi Selimaj është konfliktuar me Novin, teksa më pas në ambientet e stadiumit “Andon Lapa” në sherr është përfshirë edhe drejtori i klubit dhe persona të tjerë. Pas sherrit me trajnerin, Selimaj është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme.

Njoftimi i plote:

Goditën me grushte, futbollistin e ekipit, gjatë ndeshjes së futbollit, vihen në pranga 2 trajnerët e këtij ekipi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se një futbollist ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje, menjëherë kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. S., 21 vjeç (futbollist) ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje futbolli, nga 2 trajnerët e ekipit të futbollit në të cilin ai ishte pjesë.

Aktualisht 21-vjeçari ndodhet në spitalin e Sarandës, në kujdesin e mjekëve.

Në përfundim të veprimeve për këtë rast u bë ndalimi i shtetasve N. N., 52 vjeç (trajner i parë) dhe Dh. M., 45 vjeç (trajner altlet), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.