Gentian Mezani: Ndeshjet tani luhen si finale, analizat bëhen gjatë garës

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit Gentian Mezani, analizon aktualitetin dhe tregon pritshmëritë

Agron KAJA

NOA

Me rezultatet që u arritën në javën e 26-të, mund ta quajmë si javë e ndeshjeve surprizë?

Nuk mund të themi se kishte supriza kjo javë, sepse si Partizani që fitoi me Egnatian, apo barazimi i Bylisit dhe fitorja e Dinamos në Vorë që bëri detyrën, ishin rezultate që edhe priteshin. Ndeshjet ishin të forta, të vështira dhe të  bukura.

Nisur nga rezultati, në cilën ndeshje mendoni se doli nga pritshmëritë e kësaj jave?

Unë nuk mund të them për asnjërën prej tyre. Ndoshta pritej të fitonte AF Elbasani me Bylisin, por barazimi edhe ishte i pritshëm. Flamurtari duhet ta kishte mbajtur fitoren në Durrës, sepse do ishte e rëndësishme për pozitat në fundin e tabelës.

Vllaznia është e shkëputur me 5 pikë nga AF Elbasani i vëndit të dytë, kemi një Vllazni në kryesim të merituar?

Sigurisht që po, sepse Vllaznia ka shfaqur dëshirë, cilësi dhe ekiulibër në lojë. Mënyra e të luajturit nga trajneri Martini është përshtatur te lojtarët. Janë treguar profesionistë, ndaj dhe Vllaznia është skuadra që e meriton kryesimin me meritë.

Dy skuadrat e kryeqytetit, Partizani dhe Dinamo City po rivalizojnë mes tyre për zonën Final 4”, cilën e shikoni më pranë?

Mes tyre do jetë një garë shumë e fortë për vëndin e katërt. Partizani është rritur shumë në vitin 2026, me merkaton që po jep cilësi. Trajnerët Ilir Daja dhe Oltion  Kërnaja po bëjnë punë të mirë, por në vazhdimësi duhet të menaxhojnë gabimet.

Bylisi po ngjitet në renditje me ndeshje bindëse, e mendoni skuadrën ballshiote jashtë zonës së mbijetesës?

Në dy ndeshjet e fundit, Bylisi ka bërë paraqitje të mira duke marrë 4 pikë. Barazimi me AF Elbasanin ishte shumë domethënës dhe i merituar, dhe me eksperiencën e trajnerit Josa, unë mendoj se do ja dalin pa rrezikuar në renditje.

Tirana e Flamurtari duken si të “parkuar” në fundin e renditjes, çfarë tregon kjo situatë për to?

Nuk mund të themi çfarë tregon situata e këtyre dy skuadrave , të cilat nuk e meritojnë renditjen aty ku janë me përbërjet e tyre. Kanë bërë gabime gjatë rrugës, por besoj se deri në fund të dyja të luftojnë për të mos rënë, janë edhe 30 pikë në lojë.

Të dielën dhe të hënën luhen ndeshjet e javës së 27-të, mund të themi se do kemi 5 kryendeshje?

Ndeshjet tani luhen si finale për të gjitha skuadrat, ndërsa analizat bëhen gjatë garës. Edhe këtë javë do jenë ndeshje të rëndësishme për të gjitha skuadrat, për të marrë pikët maksimale. Kjo javë nis rrugëtimin e shumë finaleve deri në fund.

Në stadiumin “Air Albania” do të luhet “derbi” i kryeqytetit Dinamo-Partizani, si e parashikoni në lojë dhe në rezultat?

Të dyja vijnë nga fitoret dhe janë të motivuara në këtë “derbi”, dhe për to rëndësi do ketë menaxhimi i gabimeve. Janë skuadra që kanë cilësi dhe do ta kërkojnë vëndin e katërt, por këtë herë duhet një ndeshje e luftuar, jo si ajo e fazës së dytë.

Cili është komenti juaj për 26 javët e luajtura në Abissnet Superiore?

Janë luajtur 26 javë me 130 ndeshje të bukura, të rëndësishme me dhe pa gabime. Çdo skuadër duhet ta bëjë analizën gjatë garës, dhe në 11 javët e mbetura të minimizojnë gabimet për të kapur objektivin madhor të tyre. Pikët janë aty dhe çdo javë do kemi sfida për ti parë.

 

 

“Fjalëkryqi” i javës 26: Ku dhe si u “zhduk” Morriero?!

Ky mund të jetë edhe “fjalëkryqi” i aktualitetit në bankinën e Flamurtarit. Sepse këtë fundjavë, në sfidën Teuta-Flamurtari 1-1, italiani i bankinës vlonjate Franccisko Morriero nuk ishte në bankinë. Dyshja Ribaj-Liçaj ata që e drejtuan skuadrën, dhe sipas burimeve pas ndeshjes, të dy janë konfirmuar për të drejtuar ekipin deri në fund të sezonit. Po Morriero ku u “zhduk”? Mos humbi si fajtor!

 

SEZONI 2025-2026      

Ndeshjet-Java 27 

E dielë, 8 mars 2026

Bylis-Vora                   15:00

Tirana-AF Elbasani     15:00

Flamurtari-Vllaznia     18:00

E hënë, 9 mars 2026

Egnatia-Teuta              19:00

Dinamo C-Partizani    19:00

(Luhet në “Air Albania”)

RENDITJA       

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    26        51

2.AF Elbasani              26        46

3.Egnatia                     26        46

  1. Dinamo City 26 39
  2. Partizani 26 39

6.Teuta                        26        34

7.Vora                         26        26

8.Bylis                         26        24

9.Flamurtari                 26        21

10.Tirana                     26        21

 

 

Kupa e Shqipërisë, llogaritë e çerekfinaleve mbyllen të mërkurën

Pas ndeshjeve të javës së 26-të të Superiores në fundjavë, të mërkurën luhen ndeshjet e dyta të turit çerekfinal në Kupën e Shqipërisë. Janë 8 ekipe që luftojnë mes tyre në këto çerekfinale, të cilët janë njohur edhe me datat dhe orët e sfidave të kthimit. Ato do të luhen të gjitha në datën 4 mars, ku dy takime do të nisin në orën 16:30. Partizani pret Elbasanin në “Arenën e Demave”, ndeshja e parë mes tyre ka përfunduar me fitoren 1-0 në favor të Partizanit. Ndërsa sfida tjetër Vllaznia-Bylis, do të luhet në “Loro Boriçi”. Takimi i parë mes tyre është fituar nga shkodranët me shifrat 1-0. Të mërkurën në mbrëmje, ora 19:30, do të luhen dy sfidat e tjera. Egnatia pret Teutën në “Egnatia Arena”,ndërsa përballjen e parë mes tyre e ka fituar Egnatia me shifrat 2-1. Çerekfinalja tjetër është Dinamo City-Tirana që do të luhet në “Air Albania”, ndërkohë që skuadra dinamovite e ka fituar takimin e parë 2-0.

KUPA E SHQIPËRISË

Ndeshjet-Turi çerekfinal

(Takimet e kthimit)

E mërkurë, 4 mars 2026

Partizani-AF Elbasani 16:30

(Takimi i parë 1-0 Partizani)

Vllaznia-Bylis             16:30

(Takimi i parë 1-0 Vllaznia)

Egnatia-Teuta              19:30

(Takimi i parë 2-1 Egnatia)

Dinamo City-Tirana    19:30

(Luhet në “Air Albania”)

(Takimi i parë 2-0 Dinamo)