FSHF, “U mbars ‘derbi’ dhe polli një mi!”

484
Sigal

Moisi DALIPI

Kësaj i thonë: “U mbars ‘derbi’ dhe polli një mi!”

Populli ynë është një thesar me fjalë të urta, të cilat i përdor me shumë kujdes kur duhen dhe si duhen, duke e vendosur mirë në tehun e humorit veprimin e kryer. Kështu mund të vlerësohen edhe për vendimet e marra dje nga Komisioni Disiplinës , pranë F.SH.F.- së për të gjithë ata që, ndryshe shumëkush e quajti “lufta e derbit të kryeqytetit”. Dhe në këtë rast fjala e urtë se “U mbars mali dhe polli një mi “ është e përafërt dhe ruan kuptimin me parafrazimin “U mbars  ‘derbi’ dhe polli një mi!” Ky komision ndryshe nga herët e tjera dhe për veprime edhe më rënda që kanë ndodhur në futbollin shqiptar, ka nxitur të analizojë ngjarjet, të diskutojë me “profesionalizëm” dhe të bëjë zyrtare vendimet e tij, edhe pse organet kompetente; si Policia dhe Prokuroria, siç mësohet nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare për të zbardhur ngjarjet e rënda që kanë ndodhur përpara, gjatë dhe pas kësaj ndeshjeje. Dhe ajo çfarë ka shprehur dje Komisioni Disiplinës për këtë ndeshje është në këtë Vendim ku thuhet:

  1. KF “Tirana”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër FK “Partizani”, datë 29.09.2019, duke mos vlerësuar nivelin e riskut, duke mos garantuar zbatimin e ligjit, mbarëvajtjen e rregullit dhe qetësisë në stadium, si dhe për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke shfaqur materiale propaganduese me të cilat kryhen provokime me karakter politik dhe shoqëror, në bazë të Nenit 63/1/a,Nenit 63/1/b, Nenit 64/5, Nenit 65/3/a/b/c/d/e/f/h/j/k, dhe Nenit 65/4/b/ të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë.

Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, pezullimin e pjesshëm të zbatimit të këtij dënimi, duke urdhëruar shlyerjen e gjysmës e tij.

Urdhërimin e KF “Tirana”, të mbyllë pjesërisht stadiumin”Selman Stërmasi” në sektorin G3, për sezonin futbollistik 2019/2020, duke ndaluar hyrjen në stadium të grupimit të tifozëve “Capital Crew”.
Në bazë të Nenit 11/1/g të KDS, ndalimin e hyrjes përgjithmonë në çdo stadium ku organizohen aktivitete të FSHF të personave të mëposhtëm:
– Elton Bande
– Alban Rexha
– Getard Çeliku
– Mateos Majani
– Aksel Manxhari
– Thanas Bendo
– Bledar Luga
– Gentian Qosja

  1. FK “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve të tij, në bazë të Nenit 65/2 të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve vijuese pa spektatorë dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Kushdo që është njohur me këto vendime, natyrshëm ka ndier një revoltë të brendshme , kur gjithçka e ballafaqon me ato pamje që afruan televizionet nga ngjarjet e zhvilluara në këtë ndeshje , ku përleshjet midis tifozëve sollën dhe të plagosur.

Kur vetë drejtuesit e klubit organizator të kësaj ndeshjes, konkretisht, Tiranës e ka pranuar se kanë dështuar në organizimin, menaxhimin dhe mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje. Edhe pse presidenti Halili një ditë më parë në një kran televiziv ia ka “faturuar” gjithçka kompanisë së sigurisë që ka kontratë dhe që kishte marrë përsipër menaxhimin e situatës. Por në këtë prononcim publik Halili përbetohej se lëndët piroteknike të gjendura në tre gropa pranë tribunës të tifozëve të Partizanit “nuk ishin të rrezikshme, por thjesht tymuese”, duke synuar ta minimizojë situatën e krijuar, edhe pse do jenë specialistët ata që duhet të shprehen për sa më sipër, sepse në media ky rast është vlerësuar dhe si “akt terrorist i mbetur në tentative”. Gjithsesi, duke parë masat e dhëna kuptohet qartë se Komisioni i Disiplinës pranë F.SH.F –së , ka vepruar për të qenë brenda rolit të tij, për të mos thënë dikush se “po qëndrohet indiferent”. Dhe si zakonisht, si dhe herë të tjera ky “Komisioni i Tolerimeve” siç e quajnë dhe në opinionin sportiv, në këtë vendim “është munduar të japë një vendim gjithëpërfshirës” duke ndëshkuar me ndeshje me pa tifozë dhe gjobë në lekë si Tiranën dhe Partizanin pavarësisht nga pesha e përgjegjësisë që kanë në organizimin dhe menaxhimin e kësaj ndeshje. Numri i ndeshjeve pa tifozë dhe shuma e lekëve si gjobë nuk janë parametrat e duhur juridikë për masat e dhëna, kur dihen nga të gjithë se çfarë ndodhi, si ndodhi dhe cilat janë pasojat e saj. As këto vendime dhe as masat paraprake të dhëna nga klubi Tiranës, duke pushuar nga puna drejtorin e stadiumit Ksenofon Haskoçelaj janë maksimumi që mund të bëhej në këtë rast. Pas kësaj, natyrshëm lind pyetja: Përse nuk ka masa për të deleguarin e F.SH.SH-së dhe gjyqtarin e kësaj ndeshjeje që nuk morën masa në kohë për heqjen e asaj banderole diskriminuese që shpalosën për shumë minuta tifozët e Tiranës? Urdhërimi e KF “Tirana”, të mbyllë pjesërisht stadiumin “Selman Stërmasi” në sektorin G3, për sezonin futbollistik 2019/2020, duke ndaluar hyrjen në stadium të grupimit të tifozëve “Capital Crew”, si dhe ndalimin e hyrjes përgjithmonë në çdo stadium ku organizohen aktivitete të FSHF të tetë personave tifozë të Tiranës në pamje të parë të duken masa të rënda, por duhet parë se sa do zbatohet, sepse edhe organet kompetente kanë nisur një hetim dhe pritet ta thonë fjalën e tyre në rrugë ligjore.

Dhe dihet tashmë se vendimi gjykatave mund ta zhvlerësojë këtë pjesë të vendimit të dhënë nga Komisioni Disiplinës. Por, ajo që ka të bëjë me këto vendime qëndron edhe në faktin se është dhe një shkallë e apelimit, ndaj të dyja klubet që dje pa zbardhur mirë vendimi kanë bërë ankimimet e tyre. Gjithsesi, shqetësues është dhe fakti tjetër që ka të bëjë me zbatimin deri në një të këtij vendimi, edhe pse drejtuesit më të lartë të Federatës janë shprehur, se do të jenë të ashpër në masat që do merren. Në këto vitet e fundit shumë pak ndeshje ‘derbi’ Tirana –Partizani janë mbyllur në paqe dhe janë pranuar rezultatet e ndeshjes, sepse në secilin prej tyre ka pasur probleme, përleshje të tifozerive dhe lojtarëve. Kujtojmë këtu ndeshjen ‘derbi’ të 4 maj 2016 e mbyllur në barazim Tirana 2-2 Partizani, ku “lufta” përfshiu tifozë, drejtues te klubit dhe futbollistët. Komisioni i Disiplinës, më 6 maj 2016 mori vendim që klubin e Tiranës e ndëshkonte me 8 ndeshje pa tifozë, kurse klubin e Partizanit me gjobë 200 mijë lekë. Ky vendim nuk u zbatua plotësisht , sepse Tirana vetëm katër ndeshje zhvilloi pa tifozë, sepse për gjysmën e dënimit pagoi gjobë. Ndoshta ndodh përsëri kështu dhe Tirana, si vendi organizator i ndeshjes qëndron e ndëshkuar si Partizani vetëm me 2 ndeshje. Këto gjëra kanë ndodhur dhe ndodhin në futbollin shqiptar, ndaj gjithë ajo zhurmë mediatike se do “bëhet ajo dhe kjo…!” se “Do merren ndëshkime ekstreme!” janë vetëm për konsum të disa ditëve. Kjo është dhe arsyeja që me të drejtë themi:” U mbars ‘derbi’ dhe polli një mi!”