FSHF mohoi bllokimin e llogarive bankare, zbardhet dokumenti që vërteton lajmin: U paralajmërua disa herë

242
Sigal

Federata Shqiptare e futbollit mohoi ditën e djeshme lajmin se llogaritë bankare të institucionit më të lartë futbollistik në vend janë bllokuar, pasi dyshohet se janë përfshirë në afera të dyshimta, madje dhe me paratë që UEFA jep për këtë sport në Shqipëri.

Sot, “Panorama Sport” ka zbardhur dokumentin që vërteton këtë lajm dhe, raportohet se pas disa njoftimeve me shkresë, në adresë të FSHF-së, nga zyra e përmbarimit “se ku janë paratë që ka akorduar UEFA dhe ato të të drejtës televizive për Tiranën dhe si i kanë kaluar ato klubit bardheblu ndërkohë që llogaritë i ka të bllokuara”, atëherë kanë paralajmëruar se do t’i bllokojnë llogaritë edhe FSHF-së.

Pasi i kanë lënë kohë mjaftueshëm dhe janë kryer të gjitha procedurat, ka ardhur edhe vendimi për t’i bllokuar llogaritë FSHF-së.

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të sfidojë shtetin dhe të kryejë transaksione parash me kundërvajtje të tilla, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe duke “bekuar” paligjshmërinë mbi transparencën financiare në futbollin që ajo organizon.

Llogaritë bankare janë bllokuar nga zyra përmbarimore private më 11 nëntor 2021, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ka ngritur padi kundër këtij vendimi më 15 nëntor. Seanca gjyqësore për këtë çështje është caktuar të mbahet më 6 dhjetor të këtij viti.