KATEGORIA E PARË/ Flet për “Telegraf” trajneri Mirel Josa, ja panorama verdhezi në katër javë
Agron KAJA

Në katër javët e para të Kategorisë së Parë, skuadra e Besës së Kavajës ka arritur 4 fitore duke grumbulluar 12 pikët e plota, për tu renditur në vëndin e 1-rë me 3 pikë më shumë se sa vëndi i 2-të, Flamurtari i Vlorës. Padyshim që në këtë sukses të këtyre javëve ndjehet edhe dora e “ustait të bankinës” Mirel Josa, i cili dje për gazetën “Telegraf” theksoi se i kishin bërë llogaritjet, duke shkuar në çdo ndeshje për ta fituar. “Ky kampionat në Kategorinë e Parë më duket shumë interesant, pse jo edhe i fortë. Në përgatitjet tona për këto ndeshje që janë zhvilluar, ne i kishim bërë llogaritë, dhe në bazë të synimeve e ambicieve kemi shkuar në çdo ndeshje për të fituar. Kështu, jo vetëm që kemi treguar vlerësim dhe respekt për kundërshtarët, por njëherësh kemi respektuar edhe veten. Me katër skuadrat që ne jemi ndeshur, nuk besoj se do jenë në këto nivele sepse nga ndeshja në ndeshje ato do rriten më shumë. Por edhe të tjerat që nuk jemi ndeshur, them se javë pas jave do ta ngrejnë nivelin e lojës”, kështu e nisi bisedën tekniku verdhezi Mirel Josa, i cili veçon se ajo që ka shkuar mirë deri tani është harmonia në skuadër. “Në futboll është e natyrshme që të respektosh çdo kundërshtar në fushën e lojës, pavarësisht nga emri apo historia e tij. Sepse kështu ne kemi repspektuar edhe veten e vlerat që kemi në skuadër, pasi në këtë sezon Besa ka në përbërje futbollistë të mirë. Ata kanë pranuar ardhjen te kjo skuadër me objektiv të caktuar. Në gjithë këtë punë, mendoj se edhe harmonia e mirë që ekziston në grupin e lojtarëve na ka sjellë entuziazmin e dëshirën për këto rezultate. Por këtu ka edhe diçka të rëndësishme për ta thënë, ndihma që na kanë dhënë Bashkia e qytetit dhe klubi ynë”. Veç pikëve të plota që Besa ka marrë në katër javët e para, dy tregues të tjerë pozitivë tërheqin vëmendjen, ndoshta për tu thelluar në shifra. “Asnjë gol i pësuar dhe 8 të shënuar nga ana jonë, si dhe shënimi i 6 golave nga Mazrekaj, unë mendoj se janë tregues pozitivë. Por për një ecuri më të qëndrueshme, nuk do më interesonte shumë se cili lojtar shënon, sepse ne po luajmë me një vendosje ku të gjithë lojtarët mund të sulmojnë. Më tepër na intereson ekuilibri në skuadër. Këtë fundjavë, Besa luan një ndeshje në transfertë shumë të rëndësishme, me Lushnjën që renditet në vëndin e 5-të, por me ambicie të mëdha. Gjatë fazës përgatitore kemi luajtur dy miqësore me të, por ne shkojmë për rezultat pozitiv, edhe pse e vlerësojmë si një skuadër me lojtarë dhe trajner të mirë. Do jetë një ndeshje e vështirë”, kështu e mbylli bisedën trajneri i Besës, Mirel Josa.
LEGJIONARËT NË LIGËN E KAMPIONEVE
Berat Gjimshiti, i përqëndruar dhe me pak gabime

Mbrojtësi i Kombëtares sonë Berat Gjimshiti, e kaloi sfidën me Arsenalin në Ligën e Kampioneve si një nga më të mirët në fushë për Atalantën. Ndeshja përfundoi në barazim pa gola, dhe paraqitja e bërë i siguroi mbrojtësit të Kombëtares vlerësimin me notën 7. Portali italian “TuttomercatoUeb” e vlerësoi të mirë paraqitjen e Gjimshitit në këtë sfidë, me më pak gabime në krahasim me ndeshjen ndaj Fiorentinës në Serie A. “Ai luan me më shumë vëmendje dhe përqendrim, pa u lejuar praktikisht asgjë anglezëve”, ky ishte komenti i “TuttomercatoUeb”, ndërsa faqja e “Eurosport” i vendosi kapitenit të kuqezinjve një notë më të ulët, kjo për shkak të mungesës së punës më pak të dukshme në repartin e prapavijës. Gjithsesi, vlerësimi mbeti si lojtari më i përqëndruar në prapavijë dhe me pak gabime.
Qazim Laçi, gol dhe protagonist me shumë klas

Mesfushori i Kombëtares sonë Qazim Laçi, ka bërë një debutim me gol dhe një lojë me klas, në sfidën që skuadra e tij, Sparta Pragë fitoi 3-0 ndaj Slasburg të Austrisë. Të gjitha mediat europiane e kanë quajtur si një mbrëmje magjike për Laçin, i cili ka gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 58-të, duke fiksuar shifrat 3-0. Ai ka qenë protagonisti i fitores së madhe 3-0 të Spartës ndaj Salcburgut në Ligën e Kampioneve, ku goli i tretë i skuadrës çeke ishte pikërisht nga Qazim Laçi, që me një lëvizje klasi shmangu mbrojtësit dhe portierin, për të çuar topin në rrjetën e boshatisur. Pas pasimit të Olatunjit, mesfushori lëvizi bukur në afërsi të pikës së penalties, duke i nxjerrë blof dy mbrojtësit kundërshtarë, duke shënuar një gol mjaft të bukur, të cilin ai e quajti një debutim me ndjesi të mrrekullueshme.
Në “Roza Haxhiu” sfidë tripikëshe, e vendosin episodet
Lushnja sot luan një sfidë tripikëshe, ku përballë është Besa kryesuese me 12 pikë në 4 javë. Në Lushnje janë të përqëndruar dhe e presin si një përballje e fortë mes të barabartëve. Do jenë episodet që mund ta përcaktojnë rezultatin e sfidës, ndërkohë që Besa ka “kërcënuar” se do të futet në fushë si në çdo ndeshje në këtë sezon, vetëm për të marrë maksimumin.

KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 5
Datë 21 shtator 2024
Korabi-Vora 16:00
Pogradeci-Erzeni 16:00
Kastrioti-Burreli 16:00
Lushnja-Besa 16:00
Datë 22 shtator 2024
Flamurtar-Apoloni 16:00
Valbona-Kukësi 16:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Besa 4 12
5.Flamurtari 4 9
3.Vora 4 9
4.Burreli 4 8
5.Lushnja 4 7
6.Korabi 4 5
7.Apolonia 4 4
8.Valbona 4 4
9.Kastrioti 4 4
10.Pogradec 4 3
11.Kukësi 4 3
12.Erzeni 4 0






















