Flamurtari fiton me Partizanin, Policia dhunon tifozët e kuq

406
Sigal

Vendos goli i talentit Hair Zeqiri. Vlonjatët e Ernest Gjokës marrin një fitore të merituar

Flamurtari fitoi me rezultatin minimal 1-0 me Partizanin, falë një goli të mesfushorit të talentuar Hair Zeqiri, ndërkohë që në tribuna e stadiumit të Vlorës u luajt një tjetër ndeshje, ajo midis policisë lokale dhe “ultrasve të kuq”, çka e tensionoi disi ndeshjen. Blutë e Vlorës madje ushtruan një terror psikoligjik ndaj “Guerrilsve”, duke i detyruar ata që largohen dhe të heqin banderolat e tyre. Në fakt, tifozët e Partizanit futen me vonesë në stadium, sharjet mes palëve nisin në pjesën e dytë. Të paktën 200 tifozë të Partizanit udhëtuan drejt Vlorës në mënyrë të organizuar me 3 autobuzë dhe me makina private në mëngjes drejt Vlorës, por nuk ishte e thënë që udhëtimi i tyre të ishte i këndshëm po aq sa dhe koha që mbizotëronte në qytetin bregdetar. Problemet për tifozërinë e kuqe nisën që në hyrje të stadiumit. Klubi nuk kish garantuar biletat bllok dhe tifozët u detyruan t’i blinin aty për aty në sportel. Ky moment solli amulli, pasi përgjithësisht në rastet të tilla klubi dhe tifozeria koordinohen në këtë drejtim që të mos krijohen radhë të kota, humbje kohe dhe pse jo incidente të mundshme. Incidente përpara ndeshjes nuk pati, por gjithsesi tifozët e Partizanit kanë hyrë në stadium me vonesë, madje ata janë parë në impiant pikërisht në momentin e shënimtit ë golit të Zeqirit. Deri në pjesën e dytë nuk kish sharje apo ofendime mes tifozerive. Të dyja tifozëritë bënin tifo për ekipet e tyre, madje tifozët e Flamurtarit shpesh thërrisnin në kor kundër skuadrës së Skënderbeut. Kur mendohej se gjithçka do shkonte qetë ka mjaftuar një grindje banale në fushë për të ndezur sharjet mes tifozërive. Tifozët e Partizani u ndjenë disi të provokuar nga sharjet e “Flotës Kuqezi” dhe 4-5 tifozë vërshyen në tribunën anësore në drejtim të pjesës ku gjendej Flota Kuqezi. Në këtë moment vërshon dhe polciia vendase e cila ushtron dhunë mbi tifozët e Partizanit, duke goditur me shkopa gome tifozët e çfarëdolloj moshe. Pamjet u transmetuan live në televizionin “Supersport”. Pas këtij momenti një pjesë e tifozëve të Partizanti u larguan nga stadiumit. Flamurtari mori tri pikë me rëndësi dhe shkojnë drejt pushimeve të qetë dhe me optimizëm, për pjesën e dytë të sezonit, ndërkohë Partizani u shfaq pa ide, dhe me shumë probleme në finalizimin e aksioneve. Të kuqtë e Hasan Likës nuk arritën në asnjë moment të jenë agresivë në lojë dhe nuk i zgjidhën momentet kritike në mënyrën e duhur. Ndeshja u ndoq nga shumë tifozë në shkallët e stadiumit dhe një atmosferë që i mungonte prej kohësh stadiumit “Flamurtari”, kjo dhe për faktin se sfidat me Partizanin, ndër sfidat më popullore në qytetin bregdetar mungonin prej katër vitesh. Në minutën e 12-të, pas një aksioni të gjatë në gjysmëfushën e të kuqve, topi shkon te Lena i Flamurtarit që gjuan nga hyrja e zonës. Është njëri prej mbrojtësve të Partizanit që devijon, dhe topi përfundon në këmbët e Zeqirit, që nga pak metra distancë nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin Alban Hoxha. Goli i jep forcë vlonjatëve, të cilët në minutat në vazhdim kanë dhe dy mundësi të mira për të dyfishuar, ndërsa me kombinimet e tyre në mesfushë e vënë nën alarm mbrojtjen e Partizanit. Megjithatë, edhe pse i vonuar  reagimi i miqve vjen në minutën e 27-të, dhe Mazrekaj ka një mundësi të shkëlqyer për të shënuar, por topi i gjuajtur prej tij përfundon ngjitur me shtyllën pingule. Në pjesën e dytë janë vlonjatët që tentojnë të dyfishojnë, por me kalimin e minutave Partizani e rrit lojën dhe kërkon diçka më shumë nga kjo ndeshje. Por është sërish Flamurtari që ka një mundësi të mirë me Begajn, i cili gjuan nga një pozicion diagonal  por topi kalon ngjitur me shtyllën. Minutat në vazhdim flasin më tepër për të kuqtë, kjo dhe për shkak të lodhjes së disa lojtarëve vlonjatë dhe të gjendjes jo të mirë fizike. Rastet janë të pakta dhe kjo për shkak të pamundësisë së miqve nga njëra anë për të konkrtizuar dhe për të shfrytëzuar avantazhin fizik, dhe nga ana tjetër për meritë të lojës së shkëlqyer të Erjon Dushkut dhe Taulant Kuqit, të cilët në bashkëpunim bllokuan çdo lloj mundësie për lojtarët kundërshtarë. Ndërkohë, në minutën e 81-të, Pashaj do anullonte një gol të miqve për faull ndaj portierit. Pas një goditje këndi është Maliqi që kërcen mbi të gjithë dhe e dërgon topin në rrjetë, por që në momentin e gjuajtjes është dëgjuar fërshëllima e kryesorit, për faull në dëm të portierit Xhelili. Humbja është “dhurata” më e hidhur festive e këtij fundviti për tifozët e kuq, që brenda kësaj jave kanë pësuar dy zhgënjime njëri pas tjetrit: eliminimin nga Kupa dhe humbjen në Vlorë, por gjithsesi Partizani e mbyll këtë pjesë të parë të sezonit në vendin e dytë.

 Besa mposht Bylisin

 Besa duket se ka gjetur ritmin e munguar, duke marrë një fitore me vlerë ndaj Bylisit (2-1) në luftën për mbijetesë. Pas disfatës së javës së shkuar në kryeqytet me Partizanin, verdhezinjtë kanë marrë tri pikë tepër të çmuara falë golave të Ramadanit (25’) dhe Sefës (60’). Për Bylisin shënoi Gërxho (66’).

 Laçi, leksion Vllaznisë

 Shkodrani Erjon Vuçaj ishte heroi i ndeshjes për Laçin, duke shënuar dy nga tre golat e ndeshjes në fitoren 3-0 të laçjanëve kundër Vllaznisë. Vucaj dje është argëtuar duke dribluar lojtarët e Vllaznisë. Goli i parë nga 35 metra, kurse te goli i dytë kaloi mespërmes disa lojtarëve vendas. Në rrezik bankina e Canajt.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XVI

Dje

BESA-BYLISI 2-1

Golat: Ramadani 25’, Sefa 60’/ Gerxho 66’

FLAMURTARI-PARTIZANI 1-0

Golat: Zeqiri 13’

LAÇI-VLLAZNIA 3-0

Golat: Vuçaj 11’, 44’, Ofeje 36’

Të shtunën

KUKËSI-KASTRIOTI 1-0

Golat: Progni 60’

LUSHNJA-SKËNDERBEU 0-1

Golat: Bici 1’

TIRANA-TEUTA 0-0

1    Skënderbeu      16   +12  33

2    Partizani       16   +3   26

3    Kukësi          16   +1   25

4    Laçi            16   +3   25

5    Flamurtari      16   +4   24

6    Teuta           16   +0   24

7    Besa            16   -3   21

8    Vllaznia        16   +1   21

9    Bylis           16   +2   21

10   Lushnja         16   -6   18

11   Kastrioti       16   -6   16

12   Tirana          16   -11  12

   

Bashkia, e angazhuar për të gjallëruar jetën sportive në Tiranë

  Me rastin e festave të fundvitit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore e sportive për fëmijët. Një ndër to është edhe aktiviteti sportiv “Jeto me sportin”, i cili ka mbledhur rreth 600 fëmijë të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës është angazhuar dhe ia ka dalë të rigjallërojë jetën sportive dhe kulturore në kryeqytet. Garën mes fëmijëve e ka ndjekur sot nga afër, edhe nënkryetarja e Bashkisë, znj. Nevila Xhindi. “Sot është një ditë shumë e shënuar. Bashkia e Tiranës, në kuadrin e aktiviteteve që ka organizuar këtë vit, duke filluar me “Tirana-Teens”, për të vijuar me shumë aktivitete të tjera që pasuan si “Fest-Basket”, sot organizon aktivitetin “Jeto me Sportin”. Janë në fakt shumë aktivitete të bukura, të japin shumë energji. Bashkia e Tiranës përveç shumë aktiviteteve kulturore, ka në qendër sportin dhe unë jam shumë e gëzuar që jam këtu mes jush. Janë 600 fëmijë dhe kryhen aktivitete në basketboll, volejboll, artet marciale, aerobi, dans sportiv, ndërkohë që para disa ditësh ka qenë gjimnastrada dhe para një jave ishte dansi sportiv, një aktivitet i mrekullueshëm. Ne do vijojmë të jemi këtu dhe me sa duket interesi është shumë i madh. Sot, unë ndihem me fat që ndodhem para kaq shumë fëmijëve dhe një energjie të paparë.

Një sukses i plotë edhe i Federatës Shqiptare të Basketbollit me President, zotin Avni Ponari

 Kupa e Shqipërisë në Basketboll, Vllaznia fiton për meshkuj, Flamurtari për femra

       Kupa e Shqipërisë njohur fituesit: Vllaznia fiton për meshkuj, ndërsa për femra trofeu shkoi për Flamurtarin. Shkodrantët mundën Tiranën me rezultatin përfundimtar 105-83 (30-15, 33-13, 19-20, 19-23), ndërsa vlonjatët fituan me Tiranën e femrave me rezultatin 93-70 (25-18, 22-20, 31-16, 15-16). Një sukses i plotë edhe i Federatës Shqiptare të Basketbollit me President, zotin Avni Ponari, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në modernizimin e “koshit” shqiptar. Një natë e magjishme për Vllazninë në basketbollin e meshkujve! E tillë ka rezultuar finalja e Kupës së  Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës, që u fitua nga kuqeblutë 105-83. Që nga hyrja e në çdo cep tifozët shkodranë kishin mbushur pallatin e sportit. Vllaznia që në periodën e parë tregon supremacinë absolute. Kuqeblutë fitojnë me 15 pikë diferencë, 30-15, patjetër të mjaftueshme për të treguar forcën e kësaj skuadre. Pas pjesës së parë shkodranët kryesojnë 67-38, praktikisht duke e mbyllur që këtu finalen. Vllaznia në periodën e katërt humb 19-23, por fiton krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 105-83, duke marrë një fitore bindëse dhe totalisht të merituar. Për Vllazninë, Sarajlija është pikëshënuesi më i mirë (me 29 pikë të realizuara), më pas renditet Gjon Ndoja i kuqebluve (me 24 pikë). Vogli i Tiranës ka realizuar 22 pikë dhe më pas ndër më të mirët është Xhokoviç i Vllaznisë me 19 pikë. Kuqeblutë rikthehen te trofeu pas 13 viteve mungesë që nga sezoni 1999-2000, kur fitonin titullin kampion. Vllaznia është në rrugë të mbarë edhe për titullin kampion të këtij sezoni, teksa deri tani nuk ka asnjë humbje, duke i bërë këtij qyteti një dhuratë shumë të bukur në prag festash.

Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj tha: “Jemi emocionuar të gjithë pafund. Një tifozëri e mrekullueshme,  që krijoi një atmosferë mjaft të ndezur, e cila i dha një bukuri kësaj finaleje. Shkodra tregoi veten e saj, ndërsa ekipi iu përgjigj mjaft mirë duke e justifikuar besimin dhe mbështetjen e madhe të tyre”. Në Vlorë, Flamurtari është fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra. Vlonjatet kanë fituar në finale përballë Tiranës me rezultatin e përgjithshëm 93-70. Vajzat vlonjate janë kurorëzuar në ndeshjen që u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” të qytetit të Shkodrës. Edhe pse takimi nuk luhej në asnjë prej qyteteve të ekipeve finaliste, ndeshja u ndoq nga një numër i konsiderueshëm tifozësh. Pas dy periodave të para,  Flamurtari kryeson me 9 pikë avantazh në shifrat 47-38. Tirana fiton 16-15 periodën e katërt, por më shumë se sa për statistikë nuk shërben për asgjë tjetër, sepse Flamurtari shkon i sigurt drejt fitimit të kupës që deri atë moment mbajtëse e trofeut ishin pikërisht sfidantet e tyre në parket. Pavarësisht kësaj, Tirana nga ana tjetër nuk dorëzohet aspak. Vajzat bardheblu përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre, edhe pse nuk gjejnë hapësira. Pas katër periodave të luajtura.  Flamurtari merr suksesin e radhës, teksa fiton Kupën e Shqipërisë në sfidën përballë Tiranës me shifrat 93-70.