Fillojnë përgatitjet për ndeshjet e luksit, Shqipëria mendon për Francën

456
Sigal

Kalendari i vitit 2014 për Kombëtaren Shqiptare po shkon drejt fundit, dhe mbyllja do të bëhet me dy ndeshje miqësore, që shumë mirë mund ti cilësojmë ndeshje luksi, si ndaj Francës ashtu edhe ndaj Italisë. Ndeshja e parë do të luhet ndaj “gjelave” me 14 prandaj, dje, në resortin “Tropikal” në Durrës, të besuarit e De Biazit kanë nisur stërvitjen e parë parapërgatitore për ndeshjet e këtij muaji.. Grumbullimi i djeshëm pa në përbërje tre futbollistë që janë ftuar për herë të parë për kombëtaren si Arlind Ajeti i Bazelit, si dhe Erando Karabeci e Stivi Frashëri, të dy të Tiranës. Qëndrimi i Kombëtares në Durrës, do të jetë deri ditën e nisjes për në Francë, të enjten. Ashtu siç u shpreh edhe De Biazi, në konferencën për shtyp, këto dy ndeshje miqësore vlejnë për të testuar skuadrën dhe grupin, gjithashtu është edhe një formë rehabilitimi pas ngjarjeve jo shumë të këndshme në Beograd dhe synimi është që të mos pësohen shumë gola duke vendosur në vëmendje forcën që ka mbrojtja në formacionin e skuadrës. Stërvitja e skuadrës u bë me dyer të mbyllura, e njëjta taktikë siç është përdorur edhe para ndeshjeve kualifikuese. Sigurisht që tensioni dhe përgatitja nuk do të jenë të njëjta në këto dy ndeshje, pasi nuk luhet për pikë dhe sigurisht pritshmëritë nuk janë aq të larta për secilën skuadër. Ndërkohë që Shqipëria luan miqësore, skuadrat e tjera të grupit I luajnë ndeshjet kualifikuese, por si një grup me 5 skuadra, gjithmonë njëra do të luajë vetëm ndeshje miqësore ndaj Francës pritëse të Europianit, e në këtë rast pushim është Shqipëria. Programi i Kombëtares shqiptare është qëndrimi dhe stërvitja në resortin “Tropikal” deri ditën e nisjes, ndërsa të enjten do të nisën për Francë, nga ku edhe do të japë një intervistë trajneri De Biasi në ora 19:00 dhe po në të njëjtën ditë, në ora 19:30 kuqezinjtë do të stërviten në stadiumin ku edhe do të luhet ndeshja, “Stade de la Route” në Rene.

 Franca publikon programin zyrtar për ndeshjen me Shqipërinë

Si kundërshtari i radhës për Kombëtaren tonë, Franca ka nxjerrë programin e plotë që do të ndjekë skuadra para sfidës me Shqipërinë në 14 nëntor. Ashtu si edhe Shqipëria, edhe Franca e ka filluar grumbullimin ditën e djeshme, në mesditë, ku disa futbollistë kanë bërë stërvitje të diferencuar. Ndërsa për ditën e sotme është parashikuar një konferencë për shtyp e disa futbollistëve të Francës, dhe më pas do të stërviten përsëri. Dita e mërkurë do të jetë pushim për të gjithë futbollistët, për tu ndjekur nga dita e enjte që ashtu si edhe Shqipëria, do të udhëtojë drejt Renesë për një stërvitje të fundit para ditës së ndeshjes që është e parashikuar ditën e premte.

Deklarata për media e Deshamps, trajnerit të Francës

Dje, trajneri i Kombëtares franceze doli para mediave për tu përgjigjur pyetjeve, ndër të cilat edhe për Shqipërinë si kundërshtare e radhës, nga ku tha: “Kemi përpara ekipe të ndryshme në shumë aspekte. Njohim shumë për Portugalinë dhe Serbinë, ndërsa Armenia dhe Shqipëria janë dy ekipe që po bëjnë progres vitet e fundit. Kemi parë Shqipërinë se çfarë bëri në Portugali, duke vënë në vështirësi një ekip me emra, madje duke marrë edhe fitoren atje. Por, këto ndeshje për ne janë përgatitore, për të qenë sa më konkurruese në këtë periudhë 2-vjeçare para Europianit”

 Situata në grupin I, kryesojmë bashkë me Danimarkën

Aktualisht, në grupin I, ku ne jemi të vendosur, janë vetëm 5 skuadra pjesëmarrëse bashkë me ne: Danimarka, Portugalia, Serbia dhe Armenia. Duke qenë një strukturë e tillë numerike, i bie që gjithmonë një skuadër të rrijë bosh gjatë takimeve zyrtare, e këtë radhë është Shqipëria që do të luajë, por jo për pikë, në një ndeshje miqësore ndaj Francës organizatore të turneut në 2016. Ndërkohë që 4 skuadrat e tjera, do të luajnë ndaj njëra-tjetrës për një vend në EURO 2016. Ndeshja më interesante është ajo mes Serbisë dhe Danimarkës, që do të luhet pa tifozë për shkak të dënimit që ka marrë fusha serbe nga UEFA për mungesë organizimi në ndeshjen me Shqipërinë. Ndërkohë që ndeshja tjetër do të jetë në mes Portugalisë dhe Armenisë, ku luzitanët kërkojnë me çmos rikthimin në krye të grupit, pas hapit fals që bëri në ndeshjen me Shqipërinë ku humbi 1-0. Në fakt, për Shqipërinë do të ishte më e favorshme në qoftë se të dyja ndeshjet do të mbylleshin në barazim, pasi në këtë mënyrë do të humbnin pikë të gjitha kundërshtaret në këtë grup.

Të grumbulluarit e De Biazit për miqësoret

Formacioni që De Biazi zgjodhi për dy ndeshjet miqësore, si ndaj Francës, ashtu edhe ndaj Italisë ka në përbërje 27 futbollistë, nga të cilët vetëm dy nuk janë të pranishëm si herën e kaluar, ku përmendim Gashin e Bazelit dhe Mehen e Paderbornit. Në fakt, lënia jashtë e këtyre dy futbollistëve ka sjellë pakënaqësi tek tifozët, pasi vlera e këtyre dy futbollistëve dihet, por trajneri ka argumentuar se Mehen e la jashtë sepse nuk është në gjendje të mirë fizike, ndërsa Gashi është jashtë për arsye taktike dhe zgjedhje të vetë trajnerit. Në formacionin ndaj Francës, pritet që De Biazi të hedhë në fushë afrimin më të ri në Kombëtare, Arlind Ajeti dhe sipas të gjitha gjasave, formacioni do të jetë me tipare mbrojtëse duke testuar atë repart që deri më tani ka dhënë garanci në çdo takim miqësor apo kualifikues.

Emër Mbiemër Ekipi që aktivizohet Pozicioni që luan
Etrit Berisha Lacio Portier
Orges Shehi Skenderbeu Portier
Stivi Frasheri Tirana Portier
Debatik Curri Tirana Mbrojtës
Mergim Mavraj Keln Mbrojtës
Lorik Cana Lacio Mbrojtës
Elseid Hysaj Empoli Mbrojtës
Ansi Agolli Karabak Mbrojtës
Andi Lila PAS Janina Mbrojtës
Ermir Lenjani St. Gallen Mbrojtës
Arlind Ajeti Basel Mbrojtës
Taulant Xhaka Basel Mesfushor
Ergys Kace Paok Mesfushor
Amir Abrashi Grashoper Mesfushor
Burim Kukeli Zyrih Mesfushor
Emiljano Vila Partizani Mesfushor
Herolind Shala Odds Mesfushor
Odise Roshi FSV Frankfurt Mesfushor
Armando Vajushi Liteks Mesfushor
Ledian Memushaj Peskara Mesfushor
Valdet Rama Munchen 1860 Mesfushor
Ervin Bulku Tirana Mesfushor
Erando Karabeci Tirana Mesfushor
Sokol Cikalleshi RNK Split Sulmues
Bekim Balaj Slavia Pragës Sulmues
Hamdi Salihi Hapoel Sulmues
Edmond Kapllani FSV Frankfurt Sulmues

Basketboll/ Vllaznia mund Tiranën dhe vazhdon në krye të renditjes

 Situara në basketbollin shqiptar nuk është si në futboll, ku Vllaznia po sheh fundin pas çdo ndeshjeje. Përkundrazi, në basketboll është e vetmja skuadër që akoma nuk ka humbur asnjë ndeshje, pas katër takimesh të luajtura. U zhvillua takimi mes Vllaznia-Tirana dhe kuqeblutë e Shkodrës arritën të fitonin 91-87, duke i shkaktuar edhe humbjen e parë Tiranës, por gjithashtu me këtë fitore Vllaznia, mori kreun nga Partizani që pas fitores ndaj Apolonisë 72-41 kryesonte renditjen. Ndeshja tjetër e kësaj jave ishte mes Flamurtarit dhe Kamza Basket, me vlonjatët që akoma nuk kanë fituar asnjë takim, duke e humbur edhe këtë me rezultatin final 48-58. Në të gjitha skuadrat, vetëm Apolonia dhe Flamurtari nuk ia kanë dalë që të fitojnë asnjë takim, duke u renditur kështu në vendet e fundit, ndërkohë që Kamza Basket është përpara tyre, me dy humbje dhe dy fitore. Ekipet kryeqytetase kanë zënë përkatësisht vendin e tretë (Partizani) dhe vendin e dytë (Tirana) duke marrë secila nga tre fitore dhe një humbje. Ndërkohë që kryesuesja, Vllaznia, po bën një lojë bindëse duke e kthyer edhe në rezultate, e për më tepër në kryesim të padiskutueshëm në këtë sezon të Basketbollit shqiptar.

Vllaznia-Tirana                    91-87

Apolonia-Partizani               41-72

Flamurtari-Kamza Basket    48-58

Renditja

1-Vllaznia              8 pikë

2-Tirana                 7 pikë

3-Partizani             7 pikë

4-Kamza Basket    6 pikë

5-Flamurtari          4 pikë

6-Apolonia            4 pikë