KOMBËTARJA/ Nga miqësorja te kualifikuesja, ish-mbrojtësi kuqezi Ervin Fakaj tregon synimin, flasin edhe futbollistët
Agron KAJA
Për Ervin Fakaj, ish-qëndërmbrojtësin e Kombëtares sonë, ndeshja miqësore me Gjilbraltarin duhet harruar, e sipas tij nuk ka asgjë për të folur. Për gazetën “telegraf”, dje Fakaj këmbënguli te fakti i motivimit të lojtarëve kur veshin fanelën e Kombëtares. “Në aspektin teknik, mendoj se sot nuk ka asgjë për të folur për këtë ndeshje, madje them se është për tu harruar si një ndeshje stërvitore. Më bëri përshtypje impenjimi i pakët i lojtarëvepavarësisht kundërshtarit që në letër është inferior ndaj nesh. Kjo ishte e patolerueshme, por u duhet thënë futbollistëve se kur vesh fanelën e kombëtares duhet motivim i larrtë dhe ajo duhet respektuar në fushë”, kështu e nisi dje bisedën ish-qëndërmbrojtësi kuqezi Ervin Fakaj, i cili në analizën e tij për sfidën e rradhës me Letoninë, kjo mbetet ndeshje e harruar. “Ndoshta trajneri Silvinjo ka dashur që tu japë shans lojtarëve me pak minuta në këmbët e tyre, por edhe tu jepte mundësi për ti parë të rinjtë që kishte thirrur. Përgjigja nga lojtarët nuk ishte profesionale, pa ndjenjën e duhur me fanelllën e ekipit kombëtar. Madje do të thoja se dy sulmuesit Daku dhe Borja, ishin thejsht në fushë, jo me mëndje e zëmer. Nisur nga kjo situatë, unë mendoj se Silvinjo duhet ta ketë të qartë se ne jemi skuadër me më shumë cilësi se Letonia në çdo aspekt. Por ajo që duhet patur kujdes te ne, është presioni që të krijon synimi për fitore. Letonezët vijnë si inferiorë pas ndeshjes me Serbinë, ndaj të gjitha energjitë duhet të jenë për fitore ndaj Letonisë, mos na dëmtojë presioni. Ne fitorja na mban në garë, të japim maksimumin”. Në këndvështrimin e tij teknik, edhe si një ish-futbollist kuqezi, por edhe si specialist futbolli, Fakaj i jep shumë rëndësi kësaj ndeshjeje të martën me Letoninë. “Unë mendoj se, ditën e martë në mbrëmje duhet të shohim në fushë një skuadër e cila motivimin kryesor ka fitoren. Duhen bërë mirë llogaritë nga kjo ndeshje, dhe unë e shpreha më sipër se fitorja në këtë sfidë na mban në lojën e kualifikimit. Një rezultat tjetër na nxjerr jashtë çdo mundësie për tu kualifikuar. Çdo kundërshtar merr respektin e duhur, nuk ka rëndësi nëse është Anglia, Serbia apo Gjibraltari”, ishte kjo biseda e gazetës “telegraf” me ish-mbrojtësin e Kombëtares sonë, Ervin Fakaj. Ndeshja e radhës e Kombëtares sonë është me Letoninë në Tiranë, ku në stadiumin “Air Albania” hidhet hapi vendimtar për kualifikueset e Botërorit 2026, Grupi K kualifikues.
MERKATO DHE PËRGATITJE
Muçi dhe Kumbulla gjejnë skaudrat për këtë sezon
Ndërsa përgatiten me Kombëtaren në Tiranë, dy futbollistët shqiptarë: Marrash Kumbulla dhe Ernest Muçi kanë qënë lajm në merkato. Kështu, pas një sezoni i huazuar tek Espanjoli në La Liga të Spanjës, Kumbulla u rikthye te Roma, por nuk ishte në planet e saj. Romanët gjetën akordin me Majorkën po në La Liga, me të cilën mbrojtësi shqiptar do vazhdojë sezonin e ri. Marrash Kumbulla zhvilloi një sezon mjaft të mirë në La Liga me skuadrën e Espanjolit, dhe në Spanjë kanë mbetur të kënaqur prej tij. Ndërsa Ernest Muçi është larguar nga skuadra e Beshiktashit në Superligën e Turqisë, por si i huazuar tek Trabzonspor. Ai mendon që sezonin tjetër Trabzonspori të blejë kartonin e tij. Shifra më e lartë është 8.5 milionë euro, si dhe 500 mijë euro të tjera si bonuse. Beshiktash pagoi 10 milionë euro te Legia, për të përfituar shërbimet e Muçit.

Kombëtarja ka nisur përgatitjet për sfidën me Letoninë
Kombëtarja shqiptare është rikthyer në shtëpi nga transferta e Gjibraltarit mbrëmjen e të premtes dhe këtë të shtunë ka zhvilluar stërvitjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Letonisë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Silvinjo, në dy ditë ka punuar me ushtrime fizike dhe skema teknike, me seancat stërvitore që u shtrinë mes palestrës dhe fushës. Përveç Myrto Uzunit që është stërvitur i diferencuar, për shkak të një problemi në kofshë dhe po mbahet nën monitorimin e stafit mjekësor, grupi ka qënë i plotë në këto seanca. Ditën e dielë skuadra u stërvitet sërish në Shtëpinë e Futbollit në orën 17:00, me 15 minutat e para të hapura për median. Më datë 9 shtator kombëtarja do të presë Letoninë në sfidën e kualifikueseve të Botërorit 2026, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” dhe nis në ora 20:45.

Portierët “spërkaten” në fushë, ndalin stërvitjen
Në seancën e djeshme stërvitore që Kombëtarja jonë po zhvillon në “Shtëpinë e Futbollit”, gjatë përgatitjes së portierëve në një nga fushat, tre u hapën pompat për ujitjen e fushës, duke bllokuar fillimisht përgatitjet e tyre. Dajsinani nisi të vërshëllente për të sinjalizuar mbylljen e tyre, por askush nuk i mbylli, ndaj portierët morën vetë situatën në dorë, derisa punëtorët e qendrës stërvitore mbyllën ujin pas rreth 10 minutash e stërvitja vazhdoi normalisht.

Serbia na parakaloi në renditje, të martën provat e vëndit të dytë
Të shtunën në mbrëmje u luajtën dy ndeshje kualifikuese të Botërorit 2026, Grupi K ku bën pjesë edhe Shqipëria, e cila ishte pushim në kalendar. Anglia fitoi 2-0 me Andorrën dhe mban kryesimin e grupit me 12 pikë, ndërsa Serbia fitoi 1-0 në Letoni dhe e parakaloi skuadrën tonë në renditje, duke zënë vëndin e dytë. Të martën, Serbia pret Anglinë dhe Shqipëria pret Letoninë në Tiranë, dy sfida që do vendosin shumë për ecurinë e grupit, kryesisht për vëndin e dytë.
Kualifikueset-Botërori 2026
Shqipëria në Grupin K
Ndeshjet e luajtura
Datë 21 mars 2025
Angli-Shqipëri 2-0
Datë 24 mars 2025
Shqipëri-Andorra 3-0
Datë 7 qershor 2025
Shqipëri-Serbi 0-0
Datë 10 qershor 2025
Letoni-Shqipëri 1-1
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Anglia 4 12
2.Serbia 3 7
3.Shqipëria 4 5
4.Letonia 4 4
5.Andorra 5 0
Ndeshjet që do të luhen
Datë 9 shtator 2025
Shqipëri-Letoni 20:45
Datë 10 tetor 2025
Serbi-Shqipëri 20:45
Datë 13 nëntor 2025
Andorra-Shqipëri 20:45
Datë 16 nëntor 2025
Shqipëri-Angli 18:00





















