Erkand Qerimaj, Kampion i Europës

658
Sigal

200 gram më pak japin shkodranit të artën në dygarësh me 349 kg. Daniel Godelli, i dyti

Shtanga shqiptare bën ligjin në Izrael! “Kampion absolut! Erkand Qerimaj triumfoi në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Izrael, me shkodranin që fitoi medaljen e artë në dygarësh në kategorinë e peshës deri në 77 kg, duke koleksionuar me paraqitjen e tij të shkëlqyer tre medalje: dy të arta (në shtytje dhe dygarësh) dhe një të bronztë (në shkëputje). Vendi i dytë ishte sërish kuqezi, me Daniel Godellin që fitoi tre medalje argjendti po në këtë peshë (shkëputje, shtytje e dygarësh), pavarësisht se ngriti në total 349 kg. Por, fitues doli Qerimaj, i cili kishte vetëm 200 gram më pak peshë trupore se Godelli: Erkandi, 76,68 kg; ndërsa Danieli, 76,70 kg. Ndodh dhe kështu! Gjithsesi, gjashtë medalje në total për Shqipërinë: dy të arta, tre argjendi dhe një bronzi. Një mision i kompletuar, edhe pse dita e djeshme në fakt, nisi me dështimin e papritur të Romela Begajt në peshën deri në 63 kg (nuk u klasifikua fare në dygarësh). Peshëngritësi i fundit shqiptar që garon në Europian është Ervis Tabaku në peshën 94 kg (më 11 prill).

 QERIMAJ – Në stilin e shkëputjes Erkandi realizoi vetëm provën e parë nga tre që kishte në dispozicion. Ai ngriti 155 kg në provën e parë, ndërkohë që dështoi në provën e dytë dhe të tretë kur në bosht vendosi 158 kg. Ai u rendit i treti, ndërkohë që Godelli i dyti (157 kg). Vendi i parë në këtë stil i takoi Tigran Martirosyanit, i cili ngriti 157 kg, po aq sa Godelli, por armeni kishte peshë trupore me të vogël se Danieli. Në stili e shtytjes, Qerimaj u tregua një kampion i madh, duke zënë vendin e parë dhe merituar medaljen e artë. Tre prova të suksesshme: 188 kg, 191 kg dhe 193 kg, që i siguruan edhe vendin e parë në dygarësh me 349 kg. Për Qerimajn kjo ishte hera e parë që ai shpallej Kampion i Europës për të Rritur, pasi siç dihet edhe pse fitoi në Turqi, ai i shkualifikua për shkak se rezultoi si përdorues i subastancave të ndaluara. Erkand Qerimaj ka dalë Kampion i Mesdheut në vitin 2019, si dhe dy herë nënkampion i Botës për të Rinj në vitet 2006 dhe 2007.

GODELLI – E nisi keq garën në stilin e shkëputjes, duke dështur në provën e parë me 155 kg, ndërkohë që ngriti 157 kg në tentativën e dytë. Gjithsesi, dështoi në përpjekjen e tretë kur vendosi në bosht 161 kg. Vendi i dytë për të dhe medalje e argjendtë. Në stilin e shtytjes, Danieli ngriti 186 kg në provën e parë, dështoi në të dytën me 191 kg, për ta kaluar provën e tretë me sukses, edhe pse në bosht kishte 192 kg. Përfundimisht, vendi i dytë për Godellin, që e mbylli po në vend të dytë dygarëshin me 249 kg, po aq sa Qerimaj, por Danieli kishte 200 gr më shumë peshë trupore se Erkandi. Gjithsesi, ishte një garë dyshe e gjitha kuqezi. Daniel Godelli ka dalë gjithashtu Kampion i Europës për të Rinj në vitin 2009; Kampion i Botës për të Rinj në vitin 2011 dhe Kampion i Mesdheut në vitin 2013.

PODIUMI/KATEGORIA 77 kg

1. Erkand Qerimaj     349 kg (155+194)      Shqipëri

2. Daniel Godelli       349 kg (157+192) Shqipëri

3. Tigran Martirosyan      344 kg (157+185) Armeni

Dështon Romela Begaj, dëmtohet në garë

 Një dëmtim gjatë zhvillimi të garës nuk i dha mundësinë Romela Begajt të kthehej me medalje nga Izraeli. Ajo garoi në peshën deri 63 kg. Ajo dështoi në dy provat e para në stilin e shkëputjes me 100 kg në bosht, por realizoi provën e tretë, duke u klasifikuar në vendin e katërt. Në stilin e shtytjes, ajo nuk arriti të ngrinte 115 kg në provën e parë, teksa u largua nga pedana me një dëmtim në shpinë, duke shkaktuar ankth, gjithë stafi i shkoi në ndihmë, por Begaj u detyrua të linte sallën me trishtimin që mbizotëronte edhe ndaj dhimbjes në fytyrë.