Eksluzive për “Telegraf”/ Presidenti i FSHF-së, Armand Duka: Krenarë për Kombëtaren, vlerësim maksimal për tifozët

25

INTERVISTA/ Pas tre ndeshjeve në Grupin B kualifikues, flet për “Telegraf” Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka mendim pozitiv për të treja ndeshjet.

Sigal

Agron KAJA

Kanë kaluar ditë nga mbyllja e ndeshjeve në Grupin B të Europianit “Gjermani 2024” dhe ende Kombëtarja jonë për Armand Dukën mbetet si “kryeaxhendë” në këtë periudhë. Dhe, në të shtunën e nxehtë të kësaj fundjave, në takimin ekskluziv me gazetën “Telegraf”, Presidenti i FSHF-së kishte në fokusin kryesor analizën për Kombëtaren. “… E them me bindjen e plotë se ekipi duhet falenderuar që na dërgoi në Europian. Paraqitja ishte e mirë, por rezultati nuk ishte i mirë, sepse po të ishim pak më inteligjentë do ta kishim kaluar grupin. Duhet të ishim pak më të përgatitur psikologjikisht, sepse Europiani ka shumë emocion …”, -kështu deklaroi Armand Duka në këtë bisedë, ku tregoi detaje rreth Kombëtares, problemin e trajnerit Silvinjo, fitimin e gjyqit me KOKSH-in dhe ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Profesor Bejkush Birçe.

Dashuria e tifozëve për Kombëtaren është e pashpjegueshme. Tifozeria shqiptare në Gjermani për mua ka qenë 10 me yll. Jo vetëm se ishte në numër të paimagjinueshëm për një vend kaq të vogël sa Shqipëria, por edhe për dekorin që krijuan, për atmosferën në të tre qytetet që kanë pasur


Ditë më parë jeni shprehur për Kombëtaren në Europian, po për gazetën “Telegraf” si e përshkruani rrugëtimin kuqezi në Gjermani?

Të njëjtat mendime kam edhe me ju. E them me bindje të plotë se ekipi duhet falenderuar që na dërgoi në Europian. Paraqitja ishte e mirë, por rezultati nuk ishte i mirë. Po të ishim pak më inteligjentë do ta kishim kaluar grupin, të ishim pak më të përgatitur psikologjikisht, sepse Europiani ka shumë emocion.

Ndoshta këtu e keni fjalën kryesisht për ndeshjen e parë me Italinë ku e nisëm me golin rekord të Bajramit?

Në disa intervista për mediat italiane kam thënë se Shqipëria fiton ndaj Italisë, dhe të dyja kalojmë grupin. Por nuk ndodhi kështu, sepse në sfidën me Italinë, pasi shënuam atë golin për rekord, ramë në emocion. Goli na futi nën presion, në atë ndeshje ku duhet të ishim të përgatitur psikologjikisht. Por në total jam i kënaqur.

Gjatë ndeshjeve të Europianit, ju si President i FSHF-së e kishit menduar kualifikimin apo eliminimin e Kombëtares sonë?

Diferencat me skuadrat e kualifikuara nuk janë të mëdha, kështu që edhe ne me më shumë zgjuarsi, apo me më pak emocion, mund dhe duhet ta kishim kaluar grupin. Ishim në “grupin e vdekjes”, por për ne ishin pranë edhe kualifikimi, edhe eleminimi.

Pse trajneri Silvinjo besoi më pak te Broja, mos ndoshta mes tyre ka ndonjë çarje?

Këtë nuk e besoj, por do të thoja se Broja është një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme, me kualitet shumë të mirë sidomos për ekipin tonë. Ai ka patur një dëmtim të rëndë, por është rikthyer dhe kaq minuta ka menduar trajneri. Unë mendoj se Broja do të jetë një mbështetje e madhe për Kombëtaren tonë në vazhdim.

Arbër Hoxhën e quani një zbulim të Silvinjos, apo një fat për Kombëtaren?

Zbulimet janë edhe fat për një kombëtare, kur ata rezultojnë pozitivë sikundër Arbri (Hoxha). Ai e ka ndihmuar shumë ekipin në të gjitha minutat që ka luajtur, dhe ka dhënë aq shumë. Për aq minuta sa ka luajtur, besoj se ka luajtur shkëlqyer.

U kualifikua Gjeorgjia, një skuadër që relativisht më poshtë se Kombëtarja jonë, si e shikoni këtë dallim?

Gjeorgjia ka skuadër të mirë dhe unë prisja që do të bënte diçka të mirë. Ajo që më kënaqi tek Gjeorgjia ishte grinta dhe dëshira, si dhe forca më të cilën luajti dhe e merituan rezultatin. Më pëlqeu që u kualifikua, sepse ka hapa pozitivë prej vitesh.

Nga të tria ndeshjet në Grupin B, në cilën prej tyre e keni menduar më afër fitoren tonë?

Në ndeshjen e dytë me Kroacinë kam përjetuar emocione të forta. Më shumë emocione se tek ajo ndeshje nuk kam ndjerë asnjëherë në jetën time. Ne ishim 1-0, shkonim pranë golit dhe nuk shënonim, kjo ma shtonte më shumë ankthin. Dhe ata shënuan dy herë. Pastaj ekipi tregoi karakter që e barazoi dhe mund ta përmbyste rezultatin.

Nëse mundeni, nga një vlerësim për Kombëtaren, trajnerin e tifozerinë, cilët janë?

Unë mendoj se të gjithë ata që ishin pjesë e fushës, të gjithë ata shqiptarë dhe jo vetëm që kishin udhëtuar për të parë Kombëtaren, por edhe stafi teknik e manaxherial, meritojnë falenderime dhe vlerësime të larta. Unë them se gjithçka e mirë u përjetua si një ansambël në fushë e në shkallët e stadiumit.

Për golat e shënuar, por edhe për performancat e tyre, ju si i vlerësoni lojtarët në veçanti në këtë Europian?

Për çdo shqiptar, goli më i bukur i shënuar nga lojtarët e Kombëtares sonë në këtë Europian, besoj se është i Bajramit në sekondën e 23-të në ndeshjen e parë me Italinë. Të gjithë lojtarët tanë dhanë gjithçka të mirë në fushë, por veç kapitenit Gjimshiti, mendoj se lojtari më i mirë nga ekipi ynë ishte Asllani.

Tifozeria shqiptare është vlerësuar nga më të mirat në Europian, si ndikoi kjo te performanca e skuadrës sonë?

Dashuria e tifozëve për Kombëtaren është e pashpjegueshme. E kam thënë se tifozeria shqiptare në Gjermani për mua ka qenë 10 me yll, sepse jo vetëm se ishte në numër të paimagjinueshëm për një vend kaq të vogël sa ne, por edhe për dekorin që kanë krijuar, për atmosferën në të tre qytetet që kanë pasur. Ka qenë vërtet fantastike. Tifozeria jonë dhe ajo holandeze ishin më të bukurat në Europian.

Të kalojmë te dënimet nga UEFA, sa ndikojnë në financat e FSHF-së, por edhe në imazhin negativ që krijojnë?

Dënimet janë të patolerueshme, sepse ato ngrihen mbi fakte që edhe janë parë live apo në ekrane. Ne nuk i diskutojmë ato, por se na duhet që të tregohemi më të kujdesshëm, edhe pse këto dënime nuk ja ulin vlerat gjithçkaje të mirë, që skuadra dhe tifozeria shpalosën në tre stadiumet gjermane.

Ka zëra për një largim të trajnerit Silvinjo, pse ende nuk jeni bërë bashkë për nënshkrimin e një kontrate të re?

Kontrata me trajnerin ka mbaruar pas Europianit, por ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Them së shpejti do e finalizojmë, besoj në ndeshjen finale të Europianit ku edhe do të jemi së bashku. Por nëse atij i vjen një mundësi më fitimprurëse, edhe mund të shkojë, sepse kontrata i ka përfunduar.

Si i bëni dallimet e Kombëtares, mes Euro 2016 dhe Euro 2024

Kam ndjerë shumë më shumë presion tani, sepse ndjen më shumë presion kur vërtetë beson më shumë. Në Euro 2016 isha shumë i lumtur që shkuam në Francë, në një lloj mënyre e pabesueshme dhe nuk kisha ndonjë presion për rezultatin. Tani nuk e di pse, por kisha shumë presion edhe për rezultatin. Të gjitha këto mendoj se janë dallime mes dy eventeve të njëjta, në kohë të ndryshme për ne.

E keni një parashikim se cila mund të jetë skuadra që do ta fitojë trofeun e Europianit “Gjermani 2024”?

Sapo ka nisur faza me eleminim direkt dhe mendoj se është e vështirë që të përcaktosh. Por unë mendoj e besoj se dy ekipet më të forta janë Anglia dhe Franca. Nuk përjashtohet edhe ndonjë surprizë, futbolli i pranon, por parashikimi më i saktë është: Të presim!

Dy herë të kualifikuar në finale të Kampionateve Europianë dhe asnjëherë në një botëror, e keni objektiv edhe këtë?

Kur të shkojmë në Botëror, ne prapë do themi që luajmë për fitore. Ky është objektivi dhe ne aty duhet të besojmë, duke menduar më parë se si të përgatitemi më mirë, dhe te skuadra duhet të injektojmë besimin për fitore. Të gjithë duhet të besojmë te kualifikimi ynë që në ndeshjet e radhës për këtë event.

 

Futbolli shqiptar humb një Legjendë!

“I pikëlluar pas lajmit të ndarjes nga jeta të Bejkush Birçes!

Kemi humbur një nga njerëzit me më shumë kontribute në futbollin shqiptar, si lojtar, trajner e drejtues në FSHF. Kemi humbur një njeri me karakter të fortë, një mik dhe një familjar shumë të mirë. Në emrin tim dhe të komunitetit të futbollit shqiptar, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes, të afërmve dhe miqve, të cilët kanë humbur një njeri shumë të dashur për ta. U prehsh në paqe Bejkush Birçe!”, kështu shkruajti dje në statusin e tij Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Me këtë Ngushëllim bashkohet edhe Redaksia e Gazetës “Telegraf”.

 

Pas tre viteve, Gjyqin me KOKSH e kemi të fituar

 

Në datë 18 qershor, FSHF-ja bëri publik fitimin e gjyqit kundër KOKSH-it në KAS në Lozanë, që ka vendosur në favor të FSHF-së duke shpallur të pavlefshme asamblenë e datës 10 janar 2021 dhe të gjitha vendimet e marra në të, duke përfshirë ndryshimet në statut, zgjedhjen e Presidentit të Ri dhe të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH, si dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit. “Po, ne si FSHF e kemi fituar gjyqin me KOKSH-in, e tashmë po bëhet njohja e vendimit të huaj. Do bëhet kallëzim penal për pengimin e ekzekutimit gjyqësor, për të cilin janë njoftuar IOC dhe EOC. Vetë KOKSH-i, që të bëjë ankimim në gjykatë, duhet të parapaguajë të gjitha shpenzimet që ne do bëjmë”, kështu tregoi Duka për këtë fitore në KAS Lozanë ndaj KOKSH-it.

 

NDESHJET E SHQIPËRISË

GRUPI B

E shtunë, 15 qershor 2024

Itali-Shqipëri                2-1

(Signal Iduna Park, Dortmund)

Shënues: Bajrami 23”

E mërkurë, 19 qershor 2024

Kroaci-Shqipëri           2-2

(Volksparkstadion, Hamburg)

Shënues: Laçi 11’, Gjasula 90+5’

E hënë, 24 qershor 2024

Shqipëri-Spanjë           0-1

(Merkur Spiel-Arena, Dyseldorf)

Shënues: F. Torres 13’

RENDITJA

Skuadrat            Nd    Pikë

Spanja                 3       9

Italia                    3       4

Kroacia                3       2

Shqipëria            3       1

Të ardhurat dhe gjobat e Europianit

Një nga momentet më të prekshëm të këtij kampionati europian, midis shumë të tjerëve, është edhe zbatimi i Rregullores, e cila në brendësinë e saj përcakton edhe shpërblimet, por edhe gjobat që jepen për shkelje të ndryshme. “… Rregullorja ishte e qartë, se kur humbet një ndeshje nuk ka premio, por për një ndeshje të barazuar ka shpërblim. Të ardhurat tona nga pjesëmarrje në Europian  janë 9.25 milionë euro, barazimi me Kroacinë 500 mijë euro, por shpenzimet e Europianit janë më të mëdha. Ndërkohë që jeni njohur edhe me gjobat që na janë dhënë nga UEFA, ku pas ndeshjes me Italinë u ndëshkuam me 37,375 Euro, pas ndeshjes me Kroacinë u ndëshkuam me 47,500 Euro dhe pas ndeshjes me Spanjën ka qënë një gjobë shumë e madhe prej 86,500 Euro …”.

“Reuters” për Kombëtaren tonë dhe tifozerinë kuqezi

“… Shqipëria kthehet në shtëpi si skuadra e fundit e grupit B në Euro 2024 me vetëm një pikë. Por këto fakte nuk tregojnë asgjë për kontributin e saj të shkëlqyeshëm në turne, në betejat pasionante kundër tre prej skuadrave kryesore të turneut. Me Shqipërinë në Gjermani, përballë kampionëve në fuqi, Italisë në ndeshjen e tyre hapëse, trajneri brazilian Sylvinho nuk mund ta imagjinonte kurrë në ëndrrat e tij më të çmendura se sa mirë do të fillonte ky turneu i dytë Europian në histori për “kuqezinjtë”. Nga nisja e ndeshjes, Shqipëria bëri tre pasime, Italia gaboi nga rivënia dhe Nedim Bajrami u hodh për të goditur topin, duke shënuar pas vetëm 23 sekondave lojë dhe duke realizuar golin më të shpejtë në historinë e Europianëve…”Edhe media të tjera e kanë zbardhur Shqipërinë kuqezi në Gjermani.