Me 3 javë nga fundi i kampionatit, Tirana vijon të kryesojë e shkëputur me 4 pikë nga Kukësi ndjekës dhe shumë pranë titullit kampion, ndërsa nesër do të përballet me Flamurtarin në “Selman Stërmasi”, ku do të ketë mundësi të vërë një dorë mbi trofeun që mungon prej një dekade. Trajneri i bardhebluve Emanuel Egbo foli me superlativa për kundërshtarin dhe e cilësoi një skuadër që mund t’u hapë shumë punë nëse nënvlerësohet.
“Unë e kam thënë gjithmonë, që ndaj këtyre ekipeve, është një nga ndeshjet më të vështira që mund të luaj një ekip pretendent. Edhe Flamurtari edhe Luftëtari, apo ekipet e tjera që janë poshtë, janë njësoj për ne si ato që janë në vend të dytë apo poshtë nesh. Ndeshja duhet të vlerësohet maksimalisht nga ekipi dhe lojtarët tanë. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe e kemi vlerësuar maksimalisht, pasi nuk e kemi luksin ta nënvlerësojmë apo të gabojmë.
Ngarkesa psikologjike? Jo vetëm ne, por të gjithë ekipet, edhe ata që luftojnë për mbijetesë, edhe ata që luftojnë për kampionat. Mesi po presin të gjithë ekipet që të mbarojë sa më shpejt. Është diçka e pritshme në fund të kampionatit”, u shpreh Egbo.





















