Edmond Liçaj: Janë edhe 10 ndeshje, Flamurtari i ka shanset e tij

22
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Flet për “Telegraf” Edmond Liçaj, tregon situatën në skuadër para Kastriotit

Agron Kaja

Agron Kaja

 

NDRYSHON ORARI I NDESHJEVE

Ndeshjet e javës së 24-ët të Kategorisë së Parë do të luhen të gjashta në të njëjtën orë dhe datë. Kështu, do të jetë ora 14:00 ajo e startit të tyre, me ndeshjet të cilat luhen të gjitha ditën e shtunë, datë 9 mars 2024. Kjo është java e dytë e fazës së tretë (e 24-ta e kampionatit), e përcaktuar sipas skemës së FSHF-së.

Edmond Liçaj, ish-futbollist e trajner i Flamurtarit, pasi është rikthyer te kjo skuadër së bashku me Eqerem Memushin, ka dy javë që është në rolin e trajnerit të parë, pasi Memushi është i dënuar nga Komisioni Disiplinës në FSHF me 6 ndeshje. Dje për gazetën “Telegraf”, Liçaj u shpreh se në këto ndeshje të para, ata  kanë kërkuar që skuadra të tregohet më agresive e cinike në lojë. Sepse pas humbjes me Burrelin në javën e kaluar, Flamurtari do të duhet të përgatitet “shpirtërisht” për fazën “play off”, pasi sipas tij, shanset janë ende aty përderisa në lojë janë edhe 10 ndeshje. “Së bashku me trajnerin Memushi, që në fillim kur e morrëm drejtimin e Flamurtarit, u kemi kërkuar lojtarëve që të tregohen më agresivë në fushën e lojës. Mos të shohim më një skuadër sikur fle gjumë në fushë. Në këto ndeshje kemi parë një ndryshim te skuadra, edhe pse javën e kaluar kemi pësuar një humbje në fushën tonë. Dhe pas humbjes me Burrelin në javën e 23-të, Flamurtari po përgatitet “shpirtërisht” për fazën “play off”. Pas disfatës me Burrelin nuk ndjehemi të penalizuar për të arritur ngjitjen nga dy vendet e para. Shanset janë ende edhe për Flamurtarin, në lojë janë 10 ndeshje me 30 pikë”, kështu e nisi bisedën tekniku Edmond Liçaj, i cili tregoi edhe se si do të vazhdojë ecuria e skuadrës deri në mbyllje të kampionatit. “Ne në çdo ndeshje do hyjmë për fitore, kështu edhe në Krujë ndaj Kastriotit. Sepse kjo është detyra jonë. Gabuam me Burrelin dhe rivalët tanë në renditje e krijuan një distancë, por kjo nuk na pengon që ta ulim ritmin. Në këto 10 ndeshje, të gjithë duhet që të punojmë më fort që në çdo ndeshje të mbetur të marrim tri pikët”. Flamurtari luan të shtunën në transfertën e Kastriotit dhe Liçaj thotë se skuadra do të jetë e plotë. Ndërkohë që për këtë transfertë, pritet që Fabio Beqja të jetë plotësisht i gatshëm, njëherësh pritet edhe rikuperimi i kapitenit Pjeshka, Beji dhe Hasës. Tashmë skuadra vlonjate është 11 pikë larg vendit të dytë dhe pozicionohet e katërta në renditjen e Kategorisë së Parë, në zonën Play-off. Nisur nga renditja në vëndin e katërt me 42 pikë, Flamurtari synon katërshen që do të luajë në Play-off për Superiore, po edhe kreun e shikon afër, edhe pse janë 13 pikë larg Bylisit të vendit të parë dhe 11 pikë larg AF Elbasanit që renditet në vendin e dytë. Kategoria e Parë e këtij sezoni ka nisur fazën e tretë, e cila përcakton renditjen përfundimtare të të gjitha skuadrave.

 

LEGJIONARËT MË EUROPË

Myrto Uzuni në “shënjestër”, Sevilja ka gati ofertën

Me 7 gola të shënuar në kampionatin spanjoll La Liga, Myrto Uzuni është kryegolashënuesi i skuadrës së Granadës në 26 ndeshjet që kjo skuadër ka luajtur deri tani. Duke u renditur në vendin e parafundit në tabelën e La Liga, Granada është thuajse e zbritur në La Liga 2 të Spanjës, dhe ky është rasti që disa lojtarë të saj të “gjuhen” nga skuadrat e tjera. Njëri prej tyre është edhe Myrto Uzuni, i cili mendohet që në sezonin e ardhshëm të jetë jashtë Granadës, dhe sipas El.Mira.es, Sevilja është një nga skuadrat që ka bërë ofertë për të. Këtë e konfirmonte dje edhe Marca.com, ku thekson se ka kontrata deri në qershor 2026 dhe shitja e tij në këtë periudhë i sjell të ardhura skuadrës Granada.

Kuqezinjtë në Europa Ligë, vlerësimet mesatare

Mesjava që mbyllëm ka qënë e ngarkuar edhe për disa nga futbollistët e Kombëtares sonë. Të gjithë kanë luajtur vetëm në UEFA Europa Ligë, dhe fillimisht ishte mbrojtësi e kapiteni i Kombëtares sonë, Berat Gjimshiti, i cili luajti si titular për 90 minuta në sfidën e Atalantës me Sporting CP 1-1, dhe u vlerësua me 6.1. Ndryshe ishte aktivizimi i mbrojtësit kuqezi Qazim Laçi, i cili luan me Sparta Pragë dhe në humbjen 1-5 me Liverpulin, po në Europa Ligë, hyri në fushë në minutën e 65-të. Por nga Sofoscore, Laçi u vlerësua me notën 6.4, ndërsa Redon Xhixha nuk gjeti shumë hapësirë në përballjen e Karabak me Bajer Leverkuzën, ku trajneri bullgar Gurbanov e aktivizoi në minutën e 90-të të sfidës.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 24

E shtunë, 9 mars 2024

Lushnja-Apolonia                   14:00

Kastrioti-Flamurtari                14:00

Burreli-Vora                            14:00

Besa-AF Elbasani                   14:00

Luzi 2008-Bylis                      14:00

Korabi-Tomori                        14:00

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Bylis                         23        55

2.AF Elbasani              23        53

3.Vora                         23        45

4.Flamurtari                 23        42

5.Apolonia                  23        34

6.Korabi                      23        32

7.Lushnja                    23        26

8.Burreli                      23        25

9.Kastrioti                   23        23

10.Besa                       23        19

11.Luzi 2008               23        15

12.Tomori                    23        14