Edi Reja mendon për rinovimin por e pret një kalendar ferri

504
Sigal

Dy ndeshje, një humbje, një fitore, një goditje në portë, një gol i pësuar, dy të shënuar, ky është bilanci i Edi Rejas në krye të përfaqësueses shqiptar, një ecuri e cila me sa duket e kënaq teknikun italian, por jo plotësisht. Me atë që dhuroi ekipi në transfertë kundër Islandës, Shqipëria mund të merrte mbase diçka më shumë.

Reja u largua nga Shqipëria me një shije të mirë, i vetëdijshëm për grupin që ka në dispozicion, ekip me të cilin mund ti luaj deri në fund kualifikueset “Euro2020”. Reja ka shprehur dëshirën për të vijuar më gjatë bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit, gjithnjë nëse të dy palët do të bien dakord për rinovimin e kontratës e cila skadon në nëntor, pas përfundimit të kualifikueseve.

Deri në atë pikë ka ende kohë pasi Reja dhe Kombëtarja Shqiptare duhet të bëjnë llogaritë me një kalander shumë të vështirë. 3 nga 4 sfidat e ardhshme, Shqipëria do ti luaj në transfertë. Më 7 shtator udhëton drejtë Francës ku do të përballet me kampionët e botës ndërsa 3 ditë më pas pret Islandën. Në tetor kalendari rezervon dhe dy transferta të tjera të vështira, fillimisht luan me Moldavinë, më pas në transfertë kundër Turqisë. Edi Reja respekton çdo kundërshtar por nuk ka frikë askënd, sipas tij ndeshjet fillimisht duhen luajtur e më pas bëhen llogaritë.