Duka: Mos ia lini në dorë futbollin një klani politik! Fino është eksperiment që pati frikë të lerë mandatin!

616
Në fjalimin e fundit para asamblesë përpara se të nisë procesi i votimit, kreu i FSHF-së, Armando Duka ka sulmuar sërish Bashkim Finon, duke bërë thirrje për të mos votuar një tifoz dhe eksperiment si drejtues të këtij institucioni.
“Gjendem para jush dhe nuk e fsheh, plot emocion, për momentet historike që kemi kaluar bashkë, për ato momente të bukura dhe të vështira, por asnjëherë i vetëkënaqur, sepse jam i vetëdijshëm që mund të bëjmë më shumë. Ne e dimë mjaft mirë që si ata që na duartrokasin, edhe ata që na kritikojnë, futbolli i këtyre viteve ka qenë nga të paktat arritje që i ka bërë shqiptarët të thonë “o sa mirë me qen shqiptar””, tha Duka.
Sipas tij “FSHF është një institucion model në vendin tonë, kemi rritur me 30% numrin e lojtarëve të regjistruar. Kërkoj votën tuaj me besim të plotë më shumë se kurrë. Kemi ngritur stekën e suksesit tashmë, mjaft lart dhe duhet të bashkohemi për të mos zbritur asnjë centimetër më poshtë.
Sot keni një përgjegjësi të madhe historike dhe kombëtare. Do ishte papërgjegjshmëri t’ia lësh në dorë FSHF-në, një eksperimenti apo një klani të organizuar politik. Sot nuk votoni thjesht për postin e Presidentit të Federatës, keni në dorë ti jepni shoqërisë mesazhin e duhur ose mesazhin e shtrembër”.
Sigal