Dritan Mehmeti: Nga një “klasike” në “derbi”, nuk mendoj për surpriza

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, analizon teknikisht Superioren

Agron KAJA

Sigal

Superiorja e luajti javën e 8-të me pesë ndeshjet e saj, si i përshkruani rezultatet?

Besoj se të gjitha rezultatet e javës së 8-të ishin brënda pritshmërive, sepse skuadrat më në formë kishin rezultatet pozitive. Skuadrat e mirëndërtuara, si Vllaznia, Dinamo, Egnatia, Teuta dhe Elbasani kishin stabilitet edhe në këtë javë.

Në këndvështrimin tuaj teknik, ku ishin pritshmëritë më të afërta në këtë javë?

Teknikisht, skuadrat që kanë bërë më pak lëvizje dhe e kanë ruajtur boshtin e skuadrës së vitit të kaluar, edhe në këtë javë ishin më të qëndrueshme në rezultat. Më ka surprizuar Vllaznia në rezultate, por edhe në interptretimin e lojës.

Që do të thotë se nuk kishim ndonjë surprizë në këto ndeshje të javës së 8-të?

Nuk kishim surpriza, sepse unë mendoj që rezultatet dolën brënda pritshmërive. Të gjitha skuadrat e kreut treguan diferenca, si Vllaznia, Dinamo, Elbasani dhe Egnatia, e cila ka një lojë me ritëm dhe po vuan në sulm pët finalizimin.

Keni një ndeshje të veçantë që mund ta ketë marrë statusin e kryendeshjes?

Sipas zhvillimit të saj, si kryendeshje ishte Vllaznia-Tirana, edhe pse bardheblutë nuk ishin në pritshmëritë që priten. Unë mendoj se ishte një “klasike”, ku Tirana nuk u ngjit në nivelin që pretendon, ndërsa Vllaznia u shpreh shumë qartë në fushë.

Të martën dhe të mërkurën luhet java e 9-të dhe mbyllet faza e parë, çfarë presim këtë javë?

Është një javë ku të gjitha ndeshjet janë të vështira, por sfida Partizani-Dinamo, jo vetëm si “derbi”, mbetet si kryendeshje. Unë e mendoj kështu edhe ndeshjen Bylis-Vora, pasi aty duhet parë se si do të jetë pjesa e poshtme e tabelës së renditjes.

Në këtë javë të 9-të luhet edhe “derbi” i kryeqytetit Dinamo-Partizani, cili është parashikimi juaj?

Mendoj se në aspektin emocional e profesional, në “derbi”-in Dinamo-Partizani,  Dinamo vjen me përqindje më të madhe stabiliteti në të gjithë treguesit. Ndërsa Partizani ka përqindje më të ulët, kryesisht nga lëvizjet e shumta në staf e lojtarë.

Duke qënë se ju i keni drejtuar të dyja skuadrat, për cilën prej tyre bëni tifo?

Unë jam specialist futbolli dhe të dyja këto skuadra (Dinamon e Partizanin) i kam drejtuar, duke ruajtur konsideratat më të larta. Por “derbi” është “derbi” dhe mbetet i paparashikueshëm. Unë nuk bëj tifo, do dëshiroja një “derbi” me nivel loje.

Veç “derbi”-it të kryeqytetit, nisur nga renditja në 8 javë, mund ti quajmë të gjitha ndeshjet e tjera si kryendeshje?

Më sipër u shpreha se të gjitha ndeshjet e javës së 9-të janë të vështira dhe e marrin në vetvete statusin e kryendeshjes, së bashku me “derbi”-in. Nëse i shohim kështu nisur nga renditja aktuale, qartë duken ndeshje me koefiçient të lartë vështirësie.

Duke qënë se me javën e 9-të mbyllet faza e parë, si e mendoni renditjen në të dyja anët e tabelës?

Renditja nuk do ketë shumë surpriza edhe në mbyllje të fazës së parë. Dhe këtu, mendoj se jo pozitive do jenë Partizani dhe Tirana, të cilat janë jashtë çdo pritshmërie. Vetë renditja e tyre i nxjerr nga çdo synim për vëndet e kreut.

HISTORI                             

Ndeshja e parë

Viti 1950

Partizani-Dinamo        2-2

Ndeshja e fundit

10 maj 2024

Partizani-Dinamo        1-2

 

BILANC

Janë luajtur                  179

Fitore Dinamo             50

Barazime                     54

Fitore Partizani            75

Golat                   191:240

Ndeshja e rradhës       180

 

AKTUALITET

Në 8 javë kampionat

Dinamo                       14 pikë

Renditja                      Vendi 5

Golavarazhi                 9:4

Partizani                      8 pikë

Renditja                      Vëndi 7

Golavarazhi                 4:11

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026  

Ndeshjet-Java e 9-të 

E martë, 28 tetor 2025

Bylis-Vora                               14:00

Egnatia-Teuta                          17:00

E mërkurë, 29 tetor 2025

Flamurtari-Vllaznia                 17:00

Dinamo City-Partizani            19:30

Tirana-AF Elbasani                 19:30

RENDITJA  

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    8          19

2.Egnatia                     8          15

3.Teuta                        8          14

4.AF Elbasani              8          14

5.Dinamo City             8          14

6.Vora                         8          10

7.Partizani                   8          8

8.Bylis                         8          6

9.Tirana                       8          6

10.Flamurtari               8          2

NDESHJET SOT

Bylis-Vora   14:00

Për herë të parë në Superiore, Vora beson te barazimi

Ndeshja e sotme në Ballsh, Bylis-Vora, e para mes tyre në Superiore, nuk do të jetë vetëm një ndeshje e zakonshme dhe e radhës për javën e 9-të. Kjo përballje, njëherësh do të vendosë shumë për renditjen e të dyja skuadrave. Bylisi me 6 pikë renditet në vëndin e 8-të, ndërsa vora me 10 pikë në vëndin e 6-të. Në këto pozicione, të dyja mbeten të orientuar në zonën e ftohtë, sepse mbijetesën sikur e kanë “privatizuar” Flamurtari me Tiranën, aty edhe Bylisi. Në kompanitë e basteve në Europë, kjo ndeshje është kuotuar në disa prej tyre, sepse më shumë rëndësi kuotimi kanë marrë ndeshjet e ditës së mërkurë. Por te Bylis-Vora, 45% kuotohet fitorja e vëndasve, 35% barazimi dhe 25% fitore në transfertë e Vorës. Dhe duke ju referuar deklarimeve të të dyja skuadrave, do jetë një ndeshje e hapur ku Vora beson edhe tek 1 pikë.

Egnatia-Teuta   17:00

Në Rrogozhinë luhet sfida për vëndin e dytë në renditje

Faza e parë e Abissnet Superiore mbyllet me ndeshjet e javës së 9-të, dhe këtu vëmëndje merr ndeshja e ditës së sotme Egnatia-Teuta. Gjeografikisht janë dy skuadra fqinje, në renditje po ashtu, në golavarazhin pas 8 javëve të luajtura të barabarta 7:4, ndërkohë që në synime janë të kundërta. Egnatia me 15 pikë renditet në vëndin e 2-të, ndërkohë që Teuta me 14 pikë renditet në vëndin e 3-të. Nisur nga këto pozicione në renditje, kjo është quajtur edhe si ndeshja që do të përcaktojë vëndin e 2-të në mbylljen e fazës së parë. Skuadra e Egnatias ka qënë pozitive në fushën e saj dhe ka regjistruar në 8 javë 4 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje në javën e parë ndaj Vllaznisë në Shkodër. Teuta është kampione e barazimeve, 5 në 8 javë, ndaj kjo mbetet sfida e vëndit të dytë në renditjen e fazës së parë.