“Dinamo rikthehet”, Pinari parashikon edhe elitën: Ja kur vendoset titulli

116
Sigal

Dinamo pretendon rikthimin në elitë, teksa aktualisht renditet në vendin e dytë me 41 pikë në Kategorinë e Parë. Dinamovitët po zhvillojnë një sezon pozitiv, pavarësisht ulje-ngritjeve që mund të konsiderohen normale.

Zëvendës-trajneri i ekipit nga kryeqyteti, Luan Pinari i ka dhënë fund shumë enigmave, në një intervistë.

Pinari, jeni 4 hapa larg elitës, do rikthehet Dinamo? Cila është pengesa më e madhe?

Mendoj se do të rikthehet dhe pengesa më e madhe jemi vetvetja. Kemi gabuar në momente kur nuk duhej ta bënim. Jo gjithçka ka qenë në dorën tonë. Nuk kanë qenë kushtet ku jemi mësuar të luajmë. Sa i përket rikthimit, mendoj se do të rikthehet, pasi gjërat e vështira të shijojnë më shumë në fund. Ky kampionat është shumë i vështirë, në fund do rikthehemi në Superligë.

Si ndihesh personalisht në këtë aventurë Pinari, je ikone e këtij klubi, ndjen presion?

Ndjej kënaqësi që jam pjesë e klubit. Mund të them se presioni është pjesë e punës, pa presion nuk të shijojnë gjërat në fund. Presioni është diçka që e ke gjatë gjithë jetës. Mendoj se edhe presioni ka bërë punën e vet.

Luftë është edhe në kategorinë e parë Pinari, këtu janë tre ekipe në garë, ekipe me shumë traditë, presim në sezon më të bukur sezonin e ri.

 E kam thënë që emrat që marrin pjesë në Kategorinë e Parë po i japin tonin e duhur kampionatit. Superliga është jashtëzakonisht e mirë. Skuadrat kryeqytetase po garojnë për titullin kampion, bëhet garë e bukur pasi një herë gabon njëra e një herë gabon tjetra. Ky kampionat mund të zgjidhet në derbi. Vllaznia ka kualitet, por është disi larg. Mund të ketë edhe surpriza. Ekipet e kryeqytetit janë të vështira për t’u kaluar.

Pinari e prisje një garë të tillë për titull në Superiore ketë sezon, tetë javë përpara fundit, kë sheh favoritë?

Tirana është favorite sepse është dy pikë më shumë. Para javës së 28-të, mendoja Partizani. Duke parë skuadrat dhe ecurinë apo edhe kalendarin, mendoj se Partizani e ka kalendarin më të favorshëm.

8 javë para fundit, e prisnit një garë të tillë? Skuadrat janë shumë afër me njëra-tjetrën

 E kam pritur. Këtë luftë të fortë e prisja. Ekipet kanë qenë aty-aty me elementë. Nuk ka shumë diferenca mes skuadrave. Më pëlqen shumë rivaliteti edhe në fundin e tabelës, nuk dihet sesi do i vijë fundi.

Kush skuadër shkon në Europë dhe kush skuadër bie nga Kategoria?

Unë e kam thënë edhe në fillim, Bylis dhe Kastrioti. Laçi dhe Erzeni në Play Out. Ky është mendimi im sa i takon rënies nga Kategoria.

Sa i takon Europës, shikoj Vllazninë, Partizanin dhe Tiranën. Pastaj do të ketë një vend mes Egnatias dhe Teutës, nëse do të arrijë të fitojë Kupën.

E fundit, çfarë shije të la kërcënimi i gjyqtarit Juxhin Xhaja, sa e trazon garën, mbi të gjitha garën për mbijetesë?

Fjala kërcënim është e rëndë, janë organe kompetente që do të përgjigjen. Presione te gjyqtarët padyshim se ka. Në vitet 94’ apo 95’, ka patur mjaft problematika dhe mjaft kërcënime. Ky është një profesion që është mësuar me presionet. Mendoj se presione do të ketë, për hir të së vërtetës. Ne i kërkojmë llogari ndonjëherë arbitrave, edhe ky është një lloj presioni. Diçka e tillë nuk lë shije të mirë, le të shijojmë sportin.