Dramë në Durrës, Skënderbeu shpëton në minutën e fundit

567
Sigal

Arapi i heq Teutës fitoren në minutën e 92-të. Durrsakët shënuan me penallti

Një gol i Renato Arapit në minutat shtesë shpëtoi Skënderbeun nga humbja me Teutën në “Niko Dovana”, në supersfidën e mbyllur në barazim 1-1 në ndeshjen përmbyllëse të javës së 19-të të Kategorisë Superiore. Një pikë e marrë me shumë mundim nga ana e kampionëve, që tani e shohin vetëm me +8 pikë nga Partizani i vendit të dytë (30 pikë). Ky ishte barazimi i dytë rresht i 4 herë kampionëve të Shqipërisë, pas atij 2-2 me Laçin, të arritur falë në goli të sulmuesit kroat Pero Pejiç, i cili shënoi në ekstrem. Durrsakët luajtën dukshëm më mirë, dhe mund të fajësojnë vetëm veten për rezultatin e djeshëm, pasi nuk e shfrytëzuan pasivitetin e korçarëve pas pësimit të golit nga pika e penalltisë, kur afrikani Samb mposhti Shehin. Teuta bëri lojë të kujdesshme në pjesën më të madhe të kohës para pushimit, ndërkohë që më pas rrezikoi dy herë me Joel, lojtari që fitoi edhe penalltinë. Durrsakët menduan shumë herët për të mbrojtur fitoren dhe kjo u pa qartë edhe në zëvendësimi i bërë nga trajneri Roberto Sorrentino, i cili e tërhoqi mjaft prapa skuadrën duke nxjerrë Joel e futur Nikën, ndërkohë që në tri minutat e fundit aktivizoi Daniel Xhafajn, shënuesi më i mirë i kampionatit. Në dhjetë minutat e fundit Teuta u mblodh para zonës së saj, duke i lënë terren Skënderbeut, që u shfaq i rrezikshëm me Ditmar Bicajn. Goditja erdhi në minutën e dytë shtesë, kur mbrojtja durrsake nuk arriti të largonte nga zona një top të gjatë të krosuar pothuajse, nga mesi i fushës nga Shkëmbi. Arapi u tregua i shpejtë, duke gjuajtur fort me të djathtën, pa i lënë mundësi reagimi Rizvanit, me këtë të fundit që përjetoi një moment dëshpërimi pas nxjerrjes së topit nga rrjeta. Me barazimin ndaj një kundërshtari direkt, si Teuta, Skënderbeu ecën më i sigurt drejt titullit të katërt rresht, që do të ishte edhe i pesti për korçarët. Gjithsesi, nga përfundimi i sezonit janë dhe 14 ndeshje, kështu që skenarët e betejës për titull janë të shumtë. S

Dje

Teuta-Skënderbeu 1-1

Samb 28 (p) / Arapi 92′

RENDITJA

1     Skënderbeu 19   +13 38

2     Partizani             19   +4   30

3     Teuta                  19   +4   29

4     Laçi                     19   +3   28

5     Besa                    19   +2   28

6     Kukësi         19   -1    27

7     Flamurtari           19   +1   26

8     Bylis                   19   +1   23

9     Vllaznia       19   -1    22

10   Kastrioti             19   -5    21

11   Tirana          19   -9    19

12   Lushnja        19   -12  19

Nevil Dede merr në dorëzim Kastriotin

 Nevil Dede ka marrë drejtimin e Kastriotit duke zëvendësuar Ramazan Ndreun, me këtë të fundit që vijon të bëjë detyrën e drejtorit teknik të klubit. Në fillim të këtij sezoni, Nevil Dede drejtoi Tiranën, por u shkarkua nga klubi bardheblu pas ndeshjes së javës së 8-të. Dede do të jetë trajneri i tretë sezonal i Kastriotit, pas Ramadan Ndreut (dy herë) dhe beratasit Kristaq Mile. Në stërvitjen e parë të javës anti-Skënderbe, Dede ka drejtuar krutanët duke treguar arsyet përse vendosi të marrë përsipër këtë detyrë. Fitorja ndaj Vllaznisë ndez shpresat e mbijetesës tek Kastrioti i cili me grupin e futbollistëve në përbërje beson tek objektivi i arritur. Kjo konfirmohet edhe nga trajneri i ri i skuadrës. Debutimi i ish-trajnerit të Tiranës në krye të Kastrioti do të vijë në Korçë ndaj kampionëve, një kundërshtar që Dede e njeh mjaft mirë edhe për faktin se ka punuar për një periudhë të shkurtër si asistent te bardhekuqtë.

Kastrioti është skuadra e katërt në karrierën e Dedes si trajner, pasi ka drejtuar më parë Laçi, Luftëtarin dhe Tiranën. Gjatë këtij sezoni janë pesë skuadra që i kanë ndryshuar trajnerët: Tirana (Dede, Gallo, Bulku, Magani); Kukësi (Cungu, Shensoi, Starova); Kastrioti (Ndreu, Mile, Dede); Partizani (Lika, Sanpaio) dhe Teuta (Magani, Sorrentino).

LARGIMET E TRAJNERËVE

SEZONI 2013-2014

TEUTA

(Gugash Magani, javët 1-11; Roberto Sorrentino, nga java 12)

PARTIZANI

(Hasan Lika 1-18; Marcio Sanpaio, nga java 19)

KUKËSI

(Armando Cungu 1-6; Naxhi Sensoi 7-18; Sulejman Starova, nga java 19)

KASTRIOTI

(Ramadan Ndreu 1-11; Kristaq Mile 12-16; Ramadan Ndreu 17-19. Nevil Dede, nga java 20)

TIRANA

(Nevil Dede 1-8; Alpin Gallo 9-14; Sokol Bulku 15, Gugash Magani nga java 16)

 Sanpaio: “Po më sulmojnë se duan stolin e Partizanit”

  Interesant është fakti se pas miqësores, i pyetur nga gazetarët, portugezi Sampaio është “hedhur në sulm”, duke shigjetuar ata që e kritikojnë, sepse sipas tij duan stolin e Partizanit. “Nuk e kuptoj se pse mediat, apo disa specialistë gjatë kësaj periudhe nuk analizojnë punën e Partizanit, se si skuadra sulmon apo mbron, se si kalon fazën e tranzicionit nga mbrojtja në sulm. Të gjithë merren vetëm me trajnerin. Ndoshta këtu ka një arsye. Me sa kuptoj këtu ka shumë trajnerë që dëshirojnë të drejtojnë Partizanin dhe për mua nuk përbën problem. E kam thënë që jam i lumtur të bëj detyrën e përgatitësit atletik. Po punoj me skuadrën njësoj si ditën e parë, asgjë nuk ka ndryshuar. Shpresoj që ish-trajneri Lika të jetë duke e parë këtë intervistë dhe mund t’ju konfirmojë edhe ai gjithçka do të them. Ditën që e shkarkuan trajnerin e mora në telefon dhe i thashë që nëse largohej ai do të largohesha edhe unë. Por Lika më tha: “Marcio, qëndro në skuadër, pasi duhesh aty. Edhe unë jam këtu për ta ndihmuar Partizanin. Kushdo që ka dëshirë dhe merr bekimin e presidentit mund ta marrë drejtimin e skuadrës. Unë do të bëj detyrën time deri në muajin maj, kur më përfundon kontrata”.

Miqësorja, Partizani-Llamkos Kosova 1-1

 Partizani e ka nis javën e re me një ndeshje miqësore, e cila është luajtur në Yrshek, ku edhe stërviten 15 herë kampionët e Shqipërisë. Kundërshtar i të kuqve ka qenë FC Llamkos Kosova. Ndeshja në fjalë, e zhvilluar në një ditë të shënuar për Kosovën, në 6-vjetorin e Pavarësisë së saj, është mbyllur në paqe, në barazimin 1-1. Për të kuqtë goli u shënua nga Nderim Nexhipi në minutën e 5-të, ndërsa për miqtë nga Kosova i barazoi shifrat me 11-metërsh Shala, në minutën e 79-të.