Dorjan Bubeqi: Një kampionat me 14 skuadra, për cilësi më të mirë

28

KATEGORIA E PARË/ Dorjan Bubeqi analizon Besën e sezonit që u mbyll, kërkon ndryshim formule

Sigal

Agron Kaja

Traineri i Besës së Kavajës, Dorian Bubeqi, i përket brezit të specialistëve të rinj dhe me shumë ambicie në trajningun e futbollit shqiptar. Nga një karrierë elitare si futbollist, tashmë një trajner me shumë pasion, ai mbetet edhe si pikë referimi për mbijetesën e skuadrës kavajase në Kategorinë e Parë. Për gazetën “Telegraf”, Bubeqi deklaroi dje se ai nuk e kishte menduar që skuadra e drejtuar prej tij të luante në Play-off. “Unë në llogaritë e mia që kisha bërë pas javës së 19-të kur mora drejtimin e Besës, nuk e kisha menduar se do të shkonim në Play-out. Në 14 javë grumbulluam 19 pikë, por prisja të paktën edhe tre më shumë. Ky parashikim nuk doli, sepse një pjesë e skuadrave që mendoheshin rivale me ne morën pikë në momentet e fundit dhe i shpëtuan zonës së mbijetesës”, kështu e nisi bisedën trajneri i Besës, Dorian Bubeqi, i cili si arsye tjetër që skuadra e drejtuar prej tij luajti për mbijetesë, ishte edhe largimi i disa lojtarëve në merkaton e janarit. “Në muajin janar u larguan tre futbollistë që ishin shtylla e skuadrës për vazhdimësinë. Unë këtu e shoh një nga arsyet pse skuadra e Besës shkoi në Play-out, sepse boshti i saj në pjesën tjetër të sezonit u prish. Ndoshta edhe për faktin se psikologjia e humbjes kishte zënë vënd tek disa lojtarë, të cilët gradualisht e kuptuan se mundësitë dhe aftësitë e tyre e mbanin Besën në Kategorinë e Parë, madje edhe për të synuar zonën në pjesët e sipërme të renditjes”. Ndërkohë që në këtë analizë, Bubeqi ka edhe një mendim që lidhet me strukturën e kampionatit të Kategorisë së Parë në vazhdimësi. “Një kampionat si ky që u mbyll me 12 skuadra në përbërje, mendoj se nuk u jep shumë hapësirë me ndeshje të shumta skuadrave, e njëherësh nuk i shërben rritjes së cilësisë në këtë kategori, ku ka futbollistë që do të bënin diferencën edhe në Superiore. Një kategori e Parë me 14 skuadra në përbërje, dhe nga ana tjetër një Superiore me 12 skuadra, kjo do të ishte forma më ideale për kushtet e standartet e futbollit tonë”. Duke qënë se sezoni është mbyllur në mesin e këtij muaji maj, Bubeqi deklaron se skuadra është në pushime, por ai ende nuk e di nëse do të jetë në bankinë për sezonin tjetër. “Unë jam në pritje të një sinjali nga Presidenti, nëse do të vazhdojmë bashkëpunimin për sezonin e ardhshëm. Për Besën jam i gatshëm në çdo kohë, madje edhe kur kam drejtuar skuadra të tjera, më mëndje e zemër kam qënë te futbolli kavajas. Besoj e shpresoj që të ndërtohet një skuadër që të shohë kreun e tabelës së renditjes”, kështu e mbyll bisedën Dorian Bubeqi, në këtë analizë të skuadrës që ai drejtoi në sezonin që u mbyll në Kategorinë e Parë.

Legjionarët në prag Europiani “GJERMANI 2024”

“Kumbulla është gati”, menaxheri Vitali optimist

Marrash Kumbulla pati një mbyllje jo pozitive te Sasuolo, por menaxheri i tij Xhani Vitali mendon se gjithçka lidhet me situatën që ka kaluar futbollisti pas dëmtimit që e la gjatë jashtë fushës. Në një intervistë për mediat italiane, ai deklaroi mes të tjerash se mbrojtësi pret që të jetë një protagonist në “Euro 2024” në Gjermani.  “Atij i vjen keq për atë që ndodhi dhe pas dëmtimit i duhej kohë për t’u rikthyer. Por gjëndjen fizike e ka të mirë dhe unë pres që Marashi të jetë gati për t’u përballur me një grup të vështirë në Europian me Shqipërinë. Më pas, do takojmë edhe drejtorin e ri sportiv të Romës dhe do të shohim në të ardhmen. Sa për Europianin, unë besoj se Shqipëria mund të jetë surprizë në një grup vërtet të komplikuar. Ka lojtarë të rëndësishëm dhe interesantë dhe do t’i duhet të përballet seriozisht në fushën e lojës, edhe pse ka vlera të rëndësishme në skuadër”.

Pas fitores në Europa Ligë, Gjimshiti mendon Kombëtaren

Për kapitenin e skuadrës sonë Kombëtare, Berat Gjimshitin, kjo javë ka qënë shumë e ngarkuar me ndeshje dhe trofe, pasi Atalanta ku ai bën pjesë fitoi Kupën në UEFA Europa Ligë. Si kapiten, ai është treguar i tillë në fushë e jashtë saj, teksa pas gëzimit të fitores e kërkon kalimin e vëmendjes te Kombëtarja. “Është e magjishme, një Kupë e madhe për klubin dhe për ekipin. Faleminderit të gjithëve, tani mendoj për Europianin”, ishin këto disa nga fjalët e Gjimshitit dhënë mediave sportive italiane, të cilat janë shprehur se ai është kthyer në një motiv krenarie për shqiptarët anembanë botës, si shqiptari i parë që ngre lart një trofe kaq të rëndësishëm, dhe si kapiten i skuadrës. Ndërsa trajneri Gasperini i dhuroi një përqafim të veçantë pas ndeshjes, ai është vlerësuar gjerësisht nga “Sofascore”, që e ka përfshirë në formacionin më të mirë të të gjithë sezonit në Europa Ligë.

Flamurtari e nis me merkaton, Pollozhani me dorë të lirë

Pasi dështoi ngjitjen në Superiore, Presidenti i Flamurtarit ka nisur të mendojë për sezonin e ri, dhe këtë e ka filluar me merkaton. Por në krye të saj ai ka caktuar ish-kapitenin Artim Pollozhani, i cili rikthehet në Vlorë për të marrë një detyrë të rëndësishme në klub, drejtor ose trajner i ri. Kjo nuk është vendosur, por atij do t’i lihet dorë e lirë nisur nga merkato e verës që të ndërtojë skuadrën e re.

KATEGORIA E PARË

VERDIKTET 2023-2024

U ngjitën në Superiore

AF Elbasani Kampion

Bylisi Nënkampion

Zbritën në Kateg. Dytë

Luzi 2008 dhe Tomori

 

SKUADRAT 2024-2025

1.Erzeni / Nga Superiorja

2.Kukësi / Nga Superiorja

3.Flamurtari     Vëndi 3

4.Vora             Vëndi 4

5.Apolonia                  Vëndi 5

6.Korabi                      Vëndi 6

7.Kastrioti                   Vëndi 7

8.Burreli                      Vëndi 8

9.Lushnja                    Vëndi 9

10.Besa                       Vëndi 10

11.Valbona/ Kateg. Dytë

12.Pogradeci/ Kateg. Dytë

Arian Bellai nuk i ndahet të Parës, merr drejtimin e Vorës

Nga dje, Arian Bellai nuk do të jetë më trajner i Bylisit në Abissnet Superiore, sepse ai ka menduar të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Ky vendimi i tij duket paksa i çuditshëm, sepse vjen në një kohë kur skuadra që ai drejtoi sezonin e kaluar u ngjit në Superiore. Në mesditën e djeshme, Bellai është zyrtararizuar si trajner i Vorës në Kategorinë e Parë, e pasi ka firmosur është treguar optimist dhe se i pëlqejnë sfidat. “Me Bylisin, objektivi u arrit dhe kjo ishte një arritje e përbashkët. Mua më pëlqejnë sfidat e reja dhe këtu më pëlqeu projekti, por edhe objektivi. Ndaj edhe vendosa të bashkohem me Vorën”, -u shpreh Ballai pas nënshkrimit të kontratës.