Ditmar Bicaj: Kampionati ka renditje të ngjeshur, vëndi katërt është objektiv

137
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Burrelit, Ditmar Bicaj kërkon mbylljen me fitore të fazës së parë

 

Agron KAJA

Agron Kaja

Për Ditmar Bicaj, kjo është eksperienca e parë në trajning, e nisur te skuadra e Burrelit në Kategorinë e Parë. Një ish-kampion dhe fitues i trofeve në elitë, sot në drejtimin e skuadrës matjane, për gazetën “Telegraf” ai thekson se ecuria e skuadrës në 10 javët e para ka qënë e mirë. “Ecuria e skuadrës në 10 javët e luajtura do thoja se është shumë e mirë. Jemi në vëndin e 4-ët në renditje me 15 pikë, edhe pse mund të kishim disa pikë më tepër. Në këto 10 javë, takimi më i dobët ishte ai ndaj Kastritotit në transfertë, ku ne i dhuruam tre pikët kundërtshtarit. Ishim të brishtë dhe të lehtë dhe ky mbetet takimi që më ka mbetur peng në 10 javë për mënyrën e lojës”, kështu e nisi dje bisedën trajneri Ditmar Bicaj për gazetën “Telegraf”, duke u ndalur më pas edhe te renditja, të cilën e mendon më të egër për fazën e dytë dhe të tretë. “Renditja nga vëndi 4-ët e deri te vëndi 9-të, është shumë e ngjeshur. Është e tillë sepse këto skuadra kanë dhënë më shumë nga vlerat e tyre, dhe këtu hyn edhe Burreli, të cilin në fundin e sezonit e synojmë të renditet në vëndet e zonës Play-off. Natyrisht që faza e dytë do jetë më edhe më e egër dhe me transferta të vështira për të gjitha skuadrat, por kjo nuk na bën aspak pesimistë që të tërhiqemi nga rruga për të arritur synimin tonë”. Në javën e 11-të që mbyll fazën e parë, Burreli pret në fushën e tij Kukësin, skuadër të cilën Bicaj nuk e nënvleftëson, ndërkohë që nuk harron të shprehë mendimin për “kryendeshjen” e javës së 11-të, Besa-Flamurtari. “Sa i takon sfidës Besa-Flamurtari që ju po e përcaktoni si kryendeshjen e javës së 11-të, edhe unë të tillë e mendoj. Unë kam qënë futbollist i Flamurtarit dhe kam shumë respekt për atë fanelë të madhe. Personalisht më bëhet qejfi për Flamurtarin që kryeson renditjen dhe fitorja me Besën do e mbajë në krye të renditjes. Takimi direkt me kavajasit do na japë mundësinë të kuptojmë se cila skuadër do ngjitet direkt në Superiore, por Flamurtari duket më i favorizuar”. Në mbyllje të bisedës, trajneri i Burrelit tregon edhe se si e mendon hartën e skuadrave në Kategorinë e Parë, për të parë më shumë futboll. “Do ishte shumë e bukur që të kishim një Kategori të Parë edhe me 14 ekipe, sepse do shikonim më shumë futboll dhe harta e futbollit shqiptar do zgjerohej më shumë. Ndoshta që në sezonin e ardhshëm FSHF-ja mund ta ketë në konsideratë si skemë. Gjithsesi, tani jemi të fokusuar në këtë kampionat me 12 skuadra, dhe rrugëtimin do synojmë ta arrijmë deri në fund”, kështu e mbylli bisedën trajneri i Burrelit, Ditmar Bicaj.

LEGJIONARËT

Muçi në Top-formë, Uzuni nostalgji për Ferencvarosh

Një fundjavë e veçantë ka qënë kjo për dy “gjahtarët” e golit në Kombëtaren tonë. Kështu, pas një fillimi të vështirë në kampionatin e Turqisë, futbollisti Ernest Muçi, duket se e ka gjetur shkëlqimin te skuadra e Beshiktash. Ai ishte autori i golit të vetëm në derbi për skuadrën e tij, e cila u mposht 2-1 nga Gallatasaraj, në javën e 10-të të Superligës. Muçi realizoi një gol të bukur në fund të ndeshjes, me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zone, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit kundërshtar. Ndërkohë, Myrto Uzuni, dje ka qënë në qëndër të vëmëndjes mediatike hungareze. Ato e kanë pyetur për ish-skuadrën e Ferencvarosh, prej nga kaloi në Spanjë me Grandën, si dhe për situatën në La Liga 2. “Ndihem shumë mirë në Granada. Qyteti, tifozët dhe skuadra janë të mrekullueshëm. Më mungon Ferencvaroshi, stadiumi, tifozët dhe çdo gjë. Në këto tre vite e kam ndjekur skuadrën, kam parë edhe ndeshje. Janë kujtime të paharrueshme, deklaroj se do rikthehem”.

Ivan Balliu drejt Valencias, Armando Broja gati rikthimin

Mbrojtësi i Kombëtares sonë Ivan Balliu, po kalon një formë të mirë në këtë sezon te skuadra e Rayo Vallekano. Ai është bërë protagonist te kjo skuadër, dhe si titular i padiskutueshëm ka lënë edhe gjurmët e tij edhe te skuadra të tjera në La Liga të Spanjës. Një ndër to është Valencia, e cila e kërkon Balliun që në merkaton e muajit janar 2025. Tashmë ai është një mbrojtës i djathtë me shumë eksperiencë dhe ndodhet te Rayo Vallekano prej verës së 2021. Ndërsa për Armando Brojën, trajneri i Evertonit, Shon Dajç, dje ka folur me nota positive për rikthimin e tij në fushë. “Ai po punon shumë, të dhënat e tij janë të mira, por ai është ende me ekipin e mjekëve. Kthesa do të ndodhë, ndoshta edhe javën e ardhshme, ku ai fillon me gjërat e lehta me ne, me nxehjen e lojërat me topin, dhe kjo ndërtohet në një udhëtim për të luajtur. Por ai ka qenë jashtë për një kohë të gjatë, dhe ai do të ketë nevojë për disa lojëra atje gjithashtu”, tha dje në konferencën për shtyp trajneri i Evertonit.

Mbyllet faza e parë, Flamurtari me 9 fitore resht

Në Kategorinë e Parë 2024-2025 janë luajtur 10 javë, ndërkohë që java e 11-të do të mbyllë edhe fazën e parë. Por, referuar rezultatit të ndeshjes Flamurtari-Lushnja 2-1, në javën e 10 erdhi fitorja e 9-të radhazi për skuadrën e vlonjate, e cila nëse e mbyll fazën e parë ndaj Besës me një fitore, do jetë një shifër rekord për një skuadër të Kategorisë së Parë në futbollin shqiptar.

FAZA E PARË

Me ndeshjet e javës së 11-të të Kategorisë së Parë, pas ndeshjes Besa-Flamurtari do mbyllet faza e parë e këtij kampionati

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 11

Datë 3 nëntor 2024

Burreli-Kukësi                         14:00

Erzeni-Vora                 14:00

Kastrioti-Korabi          14:00

Lushnja-Valbona         14:00

Pogradeci-Apoloni      14:00

Datë 5 nëntor 2024

Besa-Flamurtari           14:00

RENDITJA   

Skuadrat        Nd       Pikë    

1.Flamurtari     10        27

2.Vora             10        25

3.Besa             10        24

4.Burreli          10        15

5.Kastrioti       10        14

6.Apolonia      10        12

7.Lushnja        10        12

8.Pogradeci     10        12

9.Korabi          10        11

10.Kukësi        10        9

11.Valbona      10        6

12.Erzeni         10        2