Derbi i Veriut hap fazën e katërt, Tirana dhe Partizani me sytë nga verilindja

515
Nis edhe faza më e fortë e kampionatit, faza me fundit dhe sigurisht ajo më vendimtarja, ku do të shihen qartë ekipet që do të qëndrojnë deri në fund për një qëllim të vetëm, atë të fitimit të titullit. A do jetë Skënderbeu që aktualisht kryeson, a do të jetë Kukësi që ndjek nga pas, apo do të jetë njëri nga dy ekipet e kryeqytetit, kjo mbetet për tu parë, por deri më tani, të katër këto ekipe e kanë “vulosur” ecurinë e kampionatit, pasi kuptohet se janë të vetmet që do të marrin nderimet e fundit. Sigurisht që me atë që është parë deri më tani, më të predispozuara për të fituar janë Skënderbeu dhe Kukësi, që deri ma tani kanë edhe treguar se kanë një qëndrueshmëri më të madhe krahasuar me dy kryeqytetaset. Duke i marrë ndeshjet me radhë për këtë javë, qoftë në takimet e sotme apo ato të nesërmet. 
Kukësi-Vllaznia, derbi i Veriut
Në ndeshjet e sotme, vëmendjen më të madhe e merr takimi i Kukësit dhe Vllaznisë ku vendasit do të tentojnë përsëri për një tjetër fitore në kampionat, ku kujtojmë që deri më tani ndaj shkodranëve kanë arritur vetëm rezultate pozitive, duke shmangur kësisoj humbjen e pikëve ndaj një skuadre që cilësohet si e vështirë për tu mundur. Aktualisht Vllaznia po përjeton një fazë “ndryshimi” që me ardhjen e trajnerit Zmijani, duke e bërë ndoshta situatën për Kukësin pak të paparashikueshme. Një fitore është ajo që i duhet të besuarve të Shaqirit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të jenë në ndjekje të Skënderbeut dhe të mos humbin terrenin e fituar ndaj Partizanit apo Tiranës. 
Teuta-Flamurtari, vendasit synojnë fitoren për mbijetesë
Dy ekipe që po përjetojnë një situatë aspak të mirë në kampionat, ku si Teuta ashtu edhe Flamurtari vijnë pas shumë humbjesh, ndërkohë që po të dy këto ekipe kanë pretendime të ndryshme, pasi duke parë durrsakët, ata luajnë që t’i shmangen rënies nga kategoria dhe një fitore do të ishte tejet ngushëlluese në këtë aspekt, duke mbajtur gjithmonë të njëjtën largësi me pikë si ndaj Apolonisë ashtu edhe ndaj Elbasanit. Sa i takon Flamurtarit, ekipi vlonjat ka dalë jashtë çdo qëllimi për këtë sezon, ku nuk lufton më as për titull, por as për një vend në Europa Ligë. Qëllimi i vetëm i ekipit vlonjat është sezoni i ardhshëm, por në këtë sezon nuk ka asnjë pretendim, vetëm të fillojë që të ndërtojë skuadrën për të ardhmen. Një fitore ditën e sotme do të kishte vetëm një vlerë morale për ekipin vlonjat, duke parë që nuk rrezikon rënien nga kategoria, por as pikët e fituara nuk është se e rrisin në renditje duke parë që përpara është Laçi që ka 16 pikë më shumë.
Skënderbeu-Elbasani, vendi i parë me vendin e fundit
Një ndeshje diametralisht e kundërt, ku kryesuesit presin në shtëpinë e tyre ekipin e fundit të renditjes, duke shkuar kështu drejt një 3 pikëshi pothuaj të garantuar. Skënderbeu ka treguar se është një skuadër me ecuri shumë pozitive dhe që nuk fal në ndeshje të tilla, edhe pse duhet thënë se Elbasani, duke qenë se nuk ka asgjë për të humbur, mund të përbëjë një problem për korçarët, pasi nuk ju mbetet tjetër vetëm të provojnë në çdo ndeshje për të përfituar pikë që mund t’i ndihmojnë që të paktën të mbajnë gjallë shpresën për mbijetesë.
Apolonia-Tirana, ndeshja e mbijetesës dhe e titullit
Pa dyshim kjo mund të cilësohet si një nga ndeshjet më të bukura të kësaj jave, ku bashkë takohen dy ekipe që bëjnë lojë të bukur, por që kanë pasur rezultate të kundërta, ku Apolonia ndodhet në luftë për mbijetesë ndërsa Tirana në luftë për titull dhe me plot gojën mund të quhet se për të dy këto skuadra, ndeshja e nesërme është “treni i fundit” për synimet e tyre, prandaj është e një rëndësi jetike sezonale.
Partizani-Laçi, koha për “hakmarrje” e kryeqytetasve
Të besuarit e Duros nuk mund të kishin një shans më të mirë për tu hakmarrë ndaj Laçit, sesa në ndeshjen e nesërme, ku “demat” luajnë përballë një Laçi që ka arritur 7 fitore rresht në Superligë, me një ecuri brilante dhe të frikshme njëkohësisht, e nëse Partizani arrin që të mundë Laçin në formën më të mirë, mund edhe të “shlyejë” gabimet e Kupës. 
Takimet
SOT, 21.03.2015
Kukësi-Vllaznia 14:00
Teuta-Flamurtari 14:00
Skënderbeu-Elbasani 17:00 
NESËR, 22.03.2015
Apolonia-Tirana 14:00
Partizani-Laçi 17:00 
Renditja
1 Skënderbeu 
27 17 6 4 57
2 Kukësi
27 17 4 6 55
3 Partizani 
27 16 5 6 53
4 Tirana
27 15 6 6 51
5 Laçi
27 14 8 5 50
6 Flamurtari 
27 9 7 11 34
7 Vllaznia 
27 10 3 14 30
8 Teuta 
27 6 2 19 20
9 Apolonia 
27 4 4 19 16
10 Elbasani
27 4 1 22 13
Derbin e lë barazim Disiplina, gjobë për Partizanin dhe Tiranën
Nëse në fushën e lojës çdo gjë ka marrë nota pozitive për Partizanin, sa përket vendimeve të drejtësisë sportive, dënimi ishte i pashmangshëm, e kjo vetëm falë sjelljes së gabuar të tifozëve në disa raste. I mbledhur dje, Komisioni i Disiplinës pranë FSHF vendosi që të dënonte Partizanin me 200.000 lekë për shkak të sjelljes së gabuar të tifozerisë së saj, pasi hodhën mjete ndezëse në fushën e lojës, por pa shkaktuar akte dhune apo ndërprerje ndeshjeje. E njëjta situatë vlen edhe për klubin tjetër kryeqytetas, Tiranën, ku janë gjobitur me 100.000 lekë, po për shkak të veprimeve të gabuara të tifozerisë, duke hedhur mjete ndezëse në fushë, pa shkaktuar akte dhune. Ndërkohë, dënimi prek Apoloninëa, ose më saktë futbollistin e saj Eduar Mico që dënohet me një ndeshje pezullim për shkak të sjelljes së keqe gjatë ndeshjes me Laçin. Ndërkohë, sjellja e gabuar e tifozerive prek përsëri Kukësin, e këtë herë dënimi vazhdon të jetë në të njëjtën linjë, atë të sjelljes së gabuar të tifozëve, duke e gjobitur me 20.000 lekë. 
Gati Kombëtarja, të hënën zbardhet lista e futbollistëve nga De Biazi
E hëna do të jetë dita kur do të zbardhet e plotë lista e futbollistëve që do të thirren për ndeshjen ndaj Armenisë, më 29 mars. Konferenca për shtyp do të mbahet në ora 11:00 dhe De Biazi do të hedhë më shumë dritë mbi emrat që do të bëhen pjesë e ekipit, qoftë për herë të parë qoftë ata që rikthehen pas disa kohësh mungesë. Pritet që të mos mungojnë në këtë listë emrat e Gashit dhe Bashës, futbollistë që janë bërë kyç në ekipet e tyre, sidomos Gashi që shkëlqeu edhe në Ligën e Kampioneve. Ndeshja me Armeninë ka një vlerë jetike për ecurinë e Shqipërisë në shanset për kualifikimin në Euro 2016, në Francë. 
Sigal

Kategoria e Parë
Tre vendet e para të të dy grupeve, kokë për kokë

Tërbuni, Besëlidhja, Mamurrasi për grupin A dhe Lushnja, Bylis, Butrinti për grupin B janë tre ekipet që ndodhen më afër fitimit të titullit kampion për Kategorinë e Parë dhe dihet që vetëm dy ekipe do të fitojnë, një në njërin grup dhe një në tjetrin grup ku sigurisht më të predispozuarit për të fituar janë dy vendet e para në secilin grup, ku Tërbuni dhe Lushnja duket se kanë rrëmbyer vëmendjen deri më tani. 49 pikët e pukjanëve janë shumë krahasuar me 35 pikët e Lushnjës që është në vendin e parë në grupin B. Edhe pse janë dy ekipet që kanë bërë për vete vendet e para, siguria se do t’i shkojnë deri në fund kësaj rruge të nisur nuk është e plotë, pasi ndjekësit më të afërt janë me të vërtetë afër sa i përket pikëve, ku Besëlidhja dhe Mamurrasi nga një anë dhe Bylis e Butrinti nga ana tjetër kanë treguar se nuk dinë të lëshojnë pe, sepse ëndrra për një kategori më sipër i ka përfshirë plotësisht. Në grupin A ndodhet skuadra rekord, ajo që akoma deri më tani nuk ka humbur asnjë ndeshje, me 15 fitore dhe me katër barazime. Po kaq fitore ka edhe ekipi i Besëlidhjes, ndërkohë që Mamurrasi ndodhet në kuotën e 14 të tillave. Ndërkohë që në grupin B, situata ka qenë më e ngjeshur, ku rivaliteti mes ekipeve ka hasur një dendësi më të madhe, por gjithsesi Lushnja ia ka dalë që të grumbullojë 10 fitore, 1 më pak se vendi i dytë, Bylis, që ka 11 të tilla, por avantazhi i lushnjarëve qëndron tek humbjet që ka më pak, katër të tilla, kundrejt 6 të Bylisit. Si Lushnja ashtu edhe ballshiotët gjenden me pikë të barabarta, ku në këtë fazë vendimtare të kampionatit do të rrisin edhe më shumë synimet. Ndërkohë që Butrinti ndodhet 4 pikë më larg, që nuk janë asgjë në këtë stad të kampionatit. Gjithsesi, me treguesit e tyre, këto 6 ekipe kanë treguar se me të vërtetë e meritojnë të jenë në Superiore, por se kush do të jetë mbetet për tu parë, kur kanë ngelur edhe 8 javë të tjera për tu luajtur.