Degjeneron në dhunë Asambleja e Çiklizmit, kaos para votimit

671
Sigal

Skënder Anxhaku rizgjidhet president mes sherreve. Asnjë përfaqësues nga Ministria e Sporteve

Skënder Anxhaku fitoi mandatin e katërt rresht si President i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, me rezultatin 10 me 0 ndaj kandidatit tjetër, Zenel Hoxha, por Asambleja e përsëritur Zgjedhore (vetëm për presidentin) u shoqërua me incidente të shëmtuara dhe dhunë verbale nga përfaqësuesi i Tiranës, Besnik Musai. Anxhaku do të drejtojë edhe për katër vite të tjera “dyrotakët” kuqezinj, teksa është në detyrën e Presidentit nga viti 2000, pra do të jetë 16 vjet në krye të “biçikletës”. Në punime nuk morën pjesë anëtarët e Komitetit Drejtues (të dalë nga zgjedhjet e 10 nëntorit), ndërkohë që në procesin e votimeve nuk morën pjesë përfaqësuesi i Tiranës (Besnik Musai) dhe ai i Flamurtarit (Kastriot Mukaj).

 INDEFERENCA E MTKRS-së – Ndërkohë që punimet u ndoqën nga të deleguarit e Komitetit Kombëtar Olimpik Shqiptar (KOKSH), Viron Bezhani dhe Flobens Dilaveri, mungoi përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë handikap ka Ministri Aldo Bumçi. Sa për kujtesë, në punimet e Asamblesë e së 10 nëntorit mori pjesë zëvendësministri i Sporteve, Dashnor Bajaziti, i cili pranoi më pas publikisht se “në procesin zgjedhor të Federatës Shqiptare të Çiklizmit është bërë një gabim, pasi nuk është respektuar statuti i saj, përkatësisht pika numër 3. Nëse nuk plotësohen 2/3-at e votave, duhet të kalohet në raundin e 2-të dhe këta duhet të kalonin në raundin e 2-të”. Por, edhe pse u zhvillua për herë të dytë Asambleja e Çiklizmit (për zgjedhjen e presidentit) dhe ishte e vetmja që zhvillohej (më 27 dhjetor), asnjë përfaqësues i MTKRS-së, institucionit përgjegjës për sportet në vendin tonë, dhe që për më tepër akordon grantet (paratë) dhe financon aktivitetet (kombëtare dhe ndërkombëtare) asnjë i deleguar i saj nuk denjoi të merrte pjesë, duke mos marrë një pozicion në lidhje me qëndrimin e saj: ishte pro zhvillimit të Asamblesë së Çiklizmit, për datën e paravendosur, pra më 27 dhjetor 2012, apo për datën e re (të shtyrë tri herë), më 28 janar siç kishte vendosur Komiteti Drejtues i FSHÇ-së. Të pyetur nga gazeta “Telegraf”, në lidhje me arsyetimin e mungesës së

tyre, përfaqësuesit e Drejtorisë së Sporteve pranë MTKRS-së, pohuan se “nuk ishte një detyrim i tyre për të ndjekur punimet e çdo asambleje”, ndërkohë që pohuan se kishin pasur të tjera impenjime në axhendën e tyre. Në fakt, duket e çuditshme që Drejtoria e Sporteve me një numër punonjësish të mos koordinojë kohën dhe detyrat, për të ndjekur punimet e një prej federatave më problematike në procesin zgjedhor, sidomos të presidentit. Mungesa e tyre mund të lidhet edhe me faktin se, ata kanë marrë një vendim të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, për ta shtyrë atë në datën 28 janar 2012, kjo në bazë të statutit të asaj federate, por fakti që në asamble ndodheshin përfaqësuesit e KOKSH-it (Bezhani dhe Dilaveri), nuk lë shije të mirë, dhe të ofron pamjen e një loje të dyfishtë të institucionit përgjegjës për sportet, për të mos qenë i pranishme në një asamble që kishte paralajmëruar furtunë përmes deklarimeve në media të përfaqësueseve të “dyrrotakëve”. Fakti që, vetëm tri ditë para zhvillimi të Asamblesë së 27 dhjetorit, Komiteti Drejtues e zhvendosi më 28 janar e pohonte këtë.

 LOJA ME DATAT – Për shkak të shkeljes së Statutit të Federatës së Çiklizmit për zgjedhjen e presidentit, në Asamblenë Zgjedhore të mbajtur më 10 nëntor 2012, (fituesi Ervin Lika nuk mori dy të tretat e votave, mori 7 nga 12 votat e hedhura), Komiteti Drejtues i dalë nga ajo asamble vendosi fillimisht datën 10 dhjetor për të rizhvilluar punimet e Asamblesë, vetëm për zgjedhjen e presidentit të ri. Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve pranoi publikisht se procesi ishte i parregullt, dhe se, ai do të përsëritej në një datë tjetër (10 dhjetor). Veç institucionit më të lartë të sporteve, edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk e njohu si asamble dhe ka propozuar zhvillimin e një asambleje tjetër. Fituesi Ervin Lika dha dorëheqjen nga një kandidim i dytë (për motive personale), ndërkohë që në garë mbeti në ato momente vetëm presidenti në detyrë Skënder Anxhaku. Por, pas një vendimi të kryesisë së dalë nga zgjedhjet e Asamblesë së 10 nëntorit, anëtarët e së cilës (Bashkim Guma, Shefqet Dervishi, Genci Angjeli, dhe Palion Zarka), të mbledhur më 5 dhjetor, vendosën që ajo të zhvillohet më datë 27 dhjetor 2012. Për këtë u njoftua edhe Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, që e pranoi si datë të zhvillimit të Asamblesë (së dytë) së FSHÇ-së. Gjatë kësaj kohe u regjistruan në Federatën Shqiptare të Çiklizmit dy kandidatët për zgjedhjet e 27 dhjetorit: Skënder Anxhaku dhe Zenel Hoxha (i propozuar nga klubi shumësportësh “Tirana”). Prag asambleja u shoqërua nga tone të forta mediatike, ku nuk munguan edhe akuza. Por, më 24 dhjetor, pra vetëm tri ditë para zhvillimit të Asamblesë, Komiteti Drejtues i FSHÇ-së vendosi anulimin e Asamblesë të planifikuar më 27 dhjetor 2012 dhe zhvillimin e këtij procesi më 28 janar 2013 dhe pezullimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm, Alfred Tahiraj, duke njoftuar Ministrinë e Sporteve për shtyrjen e datës.

 INCIDENTET GJATË ASAMBLESË – Ndërsa Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Çiklizmit nuk denjoi ta konsideronte të vlefshme datën 27 dhjetor si ditën e punimeve të Asamblesë Zgjedhore, duke e bojkotuar atë, punimet e saj u shoqëruan me akte dhune psikologjike, por dhe me tensione. Ende pa filluar mirë asambleja në hotel “Tirana International”, përfaqësuesi i klubit të Tiranës, Besnik Musai, në shoqërinë e një gruaje hynë forcërisht në sallë, duke shkatërruar derën e konfrontuar me punonjësit e sigurisë së hotelit dhe të punimeve të Asamblesë. Për shkak të përkeqësimit të situatës, gjithnjë e më të tensionuar, sekretaria e zgjedhjeve, për të shmangur zmadhimin e debatit, vendosi të lërë sallën, duke u zhvendosur në një ambient tjetër të hotelit më të njohur kryeqytetas. Pikërisht, gjatë kësaj zhvendosje ndodhi edhe incidenti më i rëndë. Ndërsa të gjithë delegatët, mes tyre presidenti në detyrë, Skënder Anxhaku, sekretari i përgjithshëm Alfred Tahiraj, dhe dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it Viron Bezhani dhe Flobens Dilaveri i drejtohen sallës tjetër, përfaqësuesi i Tiranës, Besnik Musaj, u konfrontua me sekretarin Tahiraj duke i marrë atij procesverbalet e votimit dhe i gris. Pamjet ishin me të vërtetë të shëmtuara, me fletët e votimit në tokë, të grisura dhe të shkelura.

 VOTIMI i QETË – Pas përfundimit të sherrit dhe rikthimin të normalitetit, nisi dhe procesi i votimit gjatë të cilit u rikonfirmua Skënder Anxhaku, si president i “dyrrotakëve”. Në mungesë të kryesisë së votuar në Asamblenë e 10 nëntorit, punimet rinisën me fjalën e Pavli Karajt, përfaqësuesit të Partizanit, i cili dënoi më forcë aktet e dhunshme sipas tij të Besnik Musajt, njëherësh dhe bëri me dije se për çdo hap të marrë është në dijeni edhe Federata Botërore e Çiklizmit. Përfaqësuesi i lartë i Komitetit Kombëtar Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani, në fjalën e tij uroi për zhvillimin e një procesi normal dhe të qetë, ndërkohë që qartësoi pozicionin e tij, duke vënë theksin se ai kishte rol monitorues. Pas verifikimit të mandatave të autorizuara nga klubet, Komisioni i Votimit hapi zyrtarisht nisjen e procedurës së zgjedhjeve, në të cilën morën pjesë dhjetë anëtarë me të drejtë vote. Mungonin përfaqësuesi i Tiranës, Besnik Musai dhe Kastriot Mukaj i Flamurtarit (ky i fundit sipas Anxhakut nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore). Pas hapjes së kutisë së votimit dhe verifikimit të votave të hedhura, me dhjetë vota pro dhe asnjë kundër, Skënder Anxhaku u rikonfirmua president i Federatës për vitet 2012-2016.

 BASHKËJETESË E VËSHTIRË – Ndërsa Skënder Anxhaku pritet të njihet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ai nuk pritet të përballet me një bashkëjetesë të vështirë me Komitetin Drejtues. Ndërsa në kryesinë e mëparshme ishin : Vladimir Gjonaj, Jaho Delli, Ylmi Gjyzeli, Burhan Berisha, Eno Turku, Sokol Lulgjuraj, pas asamblesë së 10 nëntorit ajo përbëhet nga Bashkim Guma, Shefqet Dervishi, Genci Angjeli, dhe Palion Zarka. Me qëndrimet e vendimet e deritanishme të Komitetit të ri Drejtues duket qartësisht se nuk ka një qëndrim të ngrohtë ndaj Presidentit (të vjetër dhe të ri) Skënder Anxhaku. Në bazë të Statutit të FSHÇ-së, Komiteti Drejtues ka një rol të qartë dhe përcaktues të gjithë aktiviteteve, çka mund të shërbejë si një bazë për konflikte të reja dhe të vazhdueshme.