Raul Albiol është goditja e madhe e Villarealit në këtë merkato vere.
Mbrojtësi spanjoll la përfundimisht Napolin pas plot 6 sezonesh, duke u rikthyer në Spanjë.
Albiol ka firmosur për 3 vite me Villarealin dhe me eksperiencën e tij pritet t’i japë një ndihmë të madhe skuadrës për të luftuar për zonën e Kupave të Europës dhe jo për të diskutuar më mbijetesën.
Për Albiol, Villareali pagoi 3,6 milionë euro në arkat e Napolit. Vendin e spanjollit te të kaltrit e ka marrë greku Kostas Manolas, i transferuar pak ditë më parë nga Roma.
Për largimin e spanjollit nga Napoli, ka reaguar edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, i cili e falenderon Albiolin për kohën që kanë kaluar bashkë.
“Faleminderit për këto vite të mrekullueshme që kemi kaluar së bashku, ju më keni ndihmuar shumë në fushë, dhe ju falënderoj për gjithçka. Të uroj suksese dhe fat në të ardhmen”, shkruan Hysaj.





















