Sigal

Humbja më Skënderbeun ka lënë shije të hidhur të Flamurtari, për më tepër për mënyrën sesi erdhi. Trajneri i kuqezinjve, Ilir Daja, në prag të ndeshjes me Partizanin analizoi gjithçka nuk shkoi mirë të hënën që kaloi, por duke gjetur edhe anët pozitive në lojën e skuadrës së tij.

“E kemi analizuar në detaje ndeshjen me Skënderbeun. Nuk kemi bërë gjithçka gabim, deri në minutën e 75-të kundërshtari nuk erdhi në portën tonë, pavarësisht se kishte kontrollin e topit. Nuk bëmë mirë në fazën sulmuese. Jemi në vendin e dytë dhe kampionati ka luajtur vetëm 4 javë. Këtu jemi të gjithë të rinj, nuk e kam fjalën nga mosha, por nga koha që kemi patur në dispozicion.

Ashti siç gëzohemi kur marrin fitoret, i kërkoj publikut që të vuajmë bashkë. Në emër të ekipit më duhet t’u kërkoj ndjesë dhe t’i ftoj që të jenë të pranishëm në çdo ndeshje, janë lojtari ynë i 12-të. Kjo ndeshje i ka të tre rezultatet brenda, por të paktën në mendësinë time, por edhe të Flamurtarit dhe këtij qyteti, shkojmë për fitore në çdo ndeshje”, deklaroi Daja.

Në ndeshjen ndaj të kuqve, Daja konfirmoi se nuk do të ketë shërbimet e Allës dhe Hysenit.