Altin Lala: “Pse e pranova ofertën e De Biazit”

438
Sigal

Ish-kapiteni i Kombëtares tani me kostumin e ndihmësit: “Me Xhanin do të merrem vesh shqip”

Altin Lala është ndihmësi i Xhani De Biazit, duke pasur kështu rolin e zëvendëstrajnerit në ekipin Kombëtar, një detyrë që ish-kapiteni i Kombëtares e priti me shumë kënaqësi. “Natyrisht, që është një eksperiencë krejt ndryshe nga ajo që kam përjetuar si lojtar. Do të mundohem të mësoj shumë gjëra nga De Biazi”, – tha Lala, i cili numëron 79 ndeshje me Kombëtaren, më shumë se kushdo tjetër në vendin tonë.

 – Altin, pse e pranove ofertën e De Biazit dhe si ndihesh tani, që po rikthehesh jo me tutat e Kombëtares, por me kostumin e saj?

– Ishte një eksperiencë e re për mua. Kështu që m’u bë qejfi shumë që trajneri ma bëri këtë ofertë. Ishte një krenari për mua që, më bëri këtë ofertë, duke më ofruar detyrën e zëvendëstrajnerit në Kombëtare. Jam shumë i lumtur. Natyrisht, që është një eksperiencë krejt ndryshe nga ajo që kam përjetuar si lojtar. Do të mundohem të mësoj shumë gjëra nga De Biazi. Unë kam luajtur vetë për shumë vite në Gjermani. Mentaliteti gjerman dhe ai italian, është i dy vendeve që dominojnë futbollin botëror. Shpresoj që, të mësoj nga De Biazi dhe të jem i suksesshëm.

– Duke qenë dhe vetë një futbollist, çfarë do t’u këshilloje futbollistëve të sotëm, një gjë që nuk duhet të bëjnë për trajnerin?

– Nuk ka gjë të re që duhet ta duhet ta shpikë unë tani. Është vetëm punë dhe seriozitet në punë. Dhe natyrisht, që ana shpirtërore që duhet ta sjellë çdo lojtar te një skuadër që të jetë i suksesshëm.

– Lala, një mendim për shortin, duke u nisur edhe nga fakti që pak vite më parë keni luajtur dhe vetë kundër Portugalisë dhe Danimarkës?

– Është një grup shumë i vështirë. Kemi katër skuadra të tjera kundërshtare, tre prej të cilave janë shumë të forta. Por, gjithsesi, nuk i dihet, pasi kam eksperiencë si lojtar, që mund të bëjmë surpriza. Gjithsesi, është një grup shumë i vështirë. E vetmja gjë pozitive është se skuadra që renditet e treta del në “play-off”. Kështu, që sido që të jetë nuk jemi pa shpresë fare, por është grup i vështirë.

– Altin, si jeni me gjuhën italiane, nisur edhe nga fakti që gjysma e familjes tënde është italiane (gruaja)?

– Edhe unë italishten gjysmë e flas (qesh). Kuptoj italisht më tepër, por duke pasur kontakte më duhet vetëm ta përmirësoj, ose përndryshe trajneri (De Biazi) të mësojë shqipen.

– A flisni italisht në shtëpi?

– Fëmijët e flasin në mënyrë perfekte, Unë e kuptoj dhe flas pak. Por, të jeni të qetë se unë nuk do të japë intervistë në italisht.

Batuta e Bushit

 Alban Bushi, ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares, golashënuesi i dytë më i mirë kuqezi, tashmë në rolin e menaxherit të përfaqësueses, shkëmbeu disa batuta me ish-shokun e ekipit. “Altinin e kërkonte Gjermania dhe Spanja, i ofruan 1,5 milionë euro, kështu që mezi ia mbushëm mendjen Lalës të pranonte të punonte me ne”, – tha me të qeshur Bushi. “Po, mo e vërtetë ishte, por ça të të bëja ty”, – ia ktheu Lala.

  Më pëlqen ndihmës

 Altin Lala njihet si njeriu që lëshon dhe pranon ngacmime, madje nuk nervozohet kurrë prej tyre. Tani ai është në rolin e ndihmësit të De Biazit, së bashku edhe me italianin Paolo Tramexani. “Altin, a do të shohim pas katër vjetësh në rolin e trajneri të Kombëtares?”, – e pyeti një nga gazetarët. “Jo, jo, nuk kam ndërmend, më pëlqen roli i ndihmësit. I njoh mirë rregulla”, – iu përgjigj Altin Lala.

  Miqësorja, Shqipëri-Hungari më 4 qershor

 Shqipëria siguron një miqësore për datën 4 qershor. Federata Shqiptare e Futbollit konfirmoi se në fillim të qershorit, përfaqësuesja kuqezi do të përballet në një test me Hungarinë. Miqësorja me përfaqësuesen lindore, do të jetë në vazhdën e përgatitjeve të skuadrës së De Biasit për eliminatoret e Euro 2016. Hungaria, shihet si një kundërshtar i përafërt në nivel me dy rivalët tanë në grup, Serbinë dhe Armeninë dhe nga kjo miqësore, trajneri do të përpiqet të kuptojë më shumë dhe gjendja e skuadrës së tij. Shqipëria dhe Hungaria kanë luajtur së bashku në eliminatoret e Botërorit, Afrikë e Jugut 2010 në të njëjtin grup me hungarezët që fituan të dyja takimet, 1-0 në “Qemal Stafa” me gol të Torghelles dhe 2-0 në Budapest po me Torghelle sërish për autor të golit të parë dhe Juhaz, i cili realizoi të dytin. Gjithashtu, me Hungarinë, Shqipëria ka dhe humbjen më të thellë në histori 12-0 më 23 Shtator 1950.

 Mançester Junatid kërkon Lorik Canën

 Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, është heroi i ditë te Lacio, pas golit me stil “biçiklete” të shënuar në Firence, i cili i dha fitoren skuadrës së tij me rezultatin e ngushtë 1-0. Por, nuk mbarin me kaq, sepse kapiteni kuqezi ka përfunduar në radarët e Manchester United, në kërkim të përforcimeve për sezonin e ardhshëm. “Football Direct Neës” i referohet një burimi nga klubi anglez, i cili thotë se “Djajtë e kuq” janë të interesuar për mesfushorin e konvertuar në mbrojtës, për të zëvendësuar Nemanja Vidiç, i cili do të shkojë tek Interi. Burimi shton se Moyes është admirues i lojtarit që ka pasur nofkën “Luftëtari” në kohën, kur luante me Sunderlandin. Por ndërkohë, babai i lojtarit, Agimi, njëherazi edhe agjent i tij, thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt me United apo ndonjë klub tjetër. Megjithatë, Agimi vë në dukje se Cana nuk është i kënaqur me stolin dhe se një ditë durimit mund t’i vijë fundi, duke kërcënuar tërthorazi me largim. “Cana ka një kontratë me Lacion deri më 2016 dhe nuk mendon për të ardhmen apo për zërat e merkatos”, thotë Agim Cana. “Askush nuk më ka telefonuar për të folur për Lorikun, as nga Manchester United dhe as nga ndonjë klub tjetër. Ai është i qetë, por nuk sigurisht që nuk mund të luajë një ndeshje në dy muaj, nuk e meriton këtë. I respektojmë zgjedhjet e trajnerit, por lojtari meriton më tepër. Tani nuk është momenti për të folur për këto gjëra, por pas një muaji do të flasim me shoqërinë, të cilën e respektojmë maksimalisht, për të kuptuar çfarë synimesh kanë. Unë jam përgjegjës për karrierën dhe të ardhmen e tij, një ditë durimi mund të mbarojë”.

 Alban Meha, lojtari i javës në Bundesligën 2

 Alban Meha shënoi dy gola të mrekullueshëm me goditje të lirë, duke ndihmuar ekipin e tij, Padebornin, të fitonte 4-1 me Bokumin, në javën e 23-të të Bundesligës 2 gjermane. Pikërisht, falë dy kryeveprave të tij, mesfushori i Kombëtares shqiptare, është përfshirë jo vetëm në 11-shin ideal të javës në Bundesligën 2 – për të është hera e katërt, por dhe është shpallur si lojtari më i mirë i javës nga revista gjermane “Kicker”. “Goditja e lira nga Alban Meha janë si bombat”, – thotë golashënuesi i Padebornit, Mahir Saglik. Kosovari 27-vjeçar vlerësohet në Gjermani me nofkën “magjistari”, pasi ai ka shënuar nga goditja e lirë, jo pak, por pesë nga nëntë gola e tij. Meha vlerësohet si një nga lojtarët më të mirë të Bundesligës 2, teksa ka shënuar vazhdimësi në katër ndeshjet e fundit. Albani është thirrur nga trajneri Xhani De Biazi për ndeshjen miqësore, teksa duhet të kujtojmë edhe një gol nga goditja e lirë në fitoren 4-1 kundër Lituanisë. Ndeshja kundër Maltës do të jetë e gjashta e tij me fanellën e Shqipërisë.