Sigal

Paris Saint Germain fitoi përballjen direkte me Liverpoolin dhe “preku” kualifikimin për në fazën e 1/8-ave, të cilin mund ta zyrtarizojë falë një fitoreje ndaj Crvena Zvezdës në Serbi, në ndeshjen e fundit.

Bernat dhe Neymar shënuan fillimisht për kryeqytetasit francezë, ndërsa Liverpooli rihapi takimin në minutën e parë shtesë të 45-minutëshit të parë, kur James Milner shënoi me anë të një penalltie të ekzekutuar saktë.

Napoli mori një fitore në dukje të lehtë ndaj serbëve të Crvena Zvezdës dhe hodhi një hap shumë të rëndësishëm drejt kualifikimit, që gjithsesi do të vuloset në ndeshjen e fundit, në “Anfield Road” përballë Liverpoolit.

Marek Hamsik hapi serinë e golave për skuadrën e drejtuar nga Carlo Ancelotti dhe më pas ishte belgu Dries Mertens që dërgoi dy herë topin në rrjetë, ndërsa vlen të përmendet se mbrojtësi shkodran i Napolit, Elseid Hysaj luajti 45-minutëshin e dytë të sfidës, pasi zëvendësoi Raul Albiolin.

Shkoi në Londër për të marrë një barazim, që i duhej për t’u kualifikuar, por Interi rezistoi vetëm 80 minuta në “Wembley” ndaj Tottenhamit, minutë në të cilën danezi Eriksen mposhti Handanoviç dhe u dha fitoren vendasve.

Me këtë humbje, Interi komplikon tërësisht rrugën drejt kualifikimit për në fazën e 1/8-ave, pasi në ndeshjen e fundit pret holandezët e PSV-së, ku edhe fitorja ndaj tyre mund të mos mjaftojë për të vijuar më tej, nëse Tottenhami arrin të fitojë në “Camp Bou” ndaj Barcelonës.

Kjo e fundit fitoi me rezultatin 1-2 mbrëmjen e sotme në Holandë ndaj PSV-së, me gola të shënuar nga Messi dhe Pique, ndërsa me këtë triumf shkoi në kuotën e 13 pikëve dhe siguroi kualifikimin si vendi i parë i grupit.

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti nuk e fsheh zhgënjimin për këtë humbje, ndërsa thekson se skuadra e tij menaxhoi mjaft mirë lojën dhe nuk i dha mundësi kundërshtarit të bëhet i rrezikshëm.

“Më vjen keq se si e humbëm këtë sfidë, pasi luajtëm me personalitet dhe e mbajtëm larg kundërshtarin, por mjaftoi një veprim i bukur i Sissoko dhe ne u ndëshkuam, ndoshta edhe për shkak të fatit. Më vjen keq, pasi mund të kishim shënuar ne më parë dhe të kishim bërë më shumë kujdes, por tashëm jemi para këtij fakti. Barcelona ka një seri fitoresh radhazi në shtëpi dhe nuk besoj se do ta prishë ndaj Tottenhamit, megjithatë të shohim”, deklaroi Spalletti.

Porto mposhti Schalke 04-ën me rezultatin 3-1 në Portugali, në një sfidë ku rezultati kishte pak rëndësi, pasi humbja e Galatasarayt më herët në Rusi ndaj Lokomotivës, i kishte kualifikuar për në fazën e 1/8-ave si portugezët, ashtu edhe gjermanët.

Borussia e Dortmundit nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në “Signal Iduna Park” përballë belgëve të Club Brugge, por ky rezultat i mjaftoi që bashkë me Atleticon e Madridit, të sigurojë kualifikimin për në fazën e 1/8-ave.