Berisha: Familjarët e mi dolën në rrugë, më thanë që tërmeti nuk po mbaronte kurrë

545
Sigal

Etrit Berisha ka treguar për mediat italiane, dhe më konkretisht për “AdnKronos”, të gjithë situatën në Shqipëri, si po përjetohet kjo tragjedi dhe natyrisht edhe si po e përballojnë situatën të prekurit, që kanë vëmendjen e gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe shteteve të huaja.

“Tërmeti që ka goditur Shqipërinë është një tragjedi e madhe, sepse lëkundjet vetëm vazhdojnë, nuk ndalojnë. Populli është i frikësuar nga kjo situatë, dhe e keqja është se ato vazhdojnë. Ndihma po vjen nga të gjitha anët, dhe në veçanti populli kosovar po ndihmon shumë. Ata kanë filluar të marrin në shtëpitë e tyre shumë shqiptarë që janë prekur nga tërmeti,” theksoi Berisha.

Por edhe në Itali, klubet e Serisë A kanë nisur solidarizimin, e para Lacio. “Në këtë situatë kaq të vështirë, ky gjest është shumë i bukur. Gjithashtu edhe Lacio ka qenë gjithmonë afër këtyre situatave. Ata kanë filluar të mbledhin fonde dhe me këtë gjest kanë treguar se janë një klub i madh dhe një ekip që gjithmonë është i gatshëm të ndihmojë”.

Më pas, Berisha rrëfen sesi e kanë përjetuar të njohurit e tij tërmetin. “Kam folur me miq në Durrës dhe më kanë thënë se kishte lëkundje për 30 sekonda, të cilat dukeshin se nuk do të mbaronin kurrë. Edhe familjarët e mi që ndodhen në Prishtinë i kanë ndjerë lëkundjet dhe dolën në rrugë natën duke qëndruar në makina, për të qenë më të sigurt”.