Berisha çon Brisbejnin në finalen e Australisë

512
Sigal

Kosovari eliminon ekipin e tij të ardhshëm. Betejë shqiptarësh Berisha-Haliti në vendin e kangurëve

Besart Berisha ishte heroi i Brisbejnit në fitoren 1-0 ndaj Melburne Viktori, të vlefshme për gjysmëfinalet e “play-off”-it të Kampionatit Australian. Berisha shënoi në minutën e 58-të, duke nxjerrë jashtë luftës për titull pikërisht skuadrën me të cilën do të luajë sezonin e ardhshëm, pra me pak fjalë punëdhënësin e tij të ri. Ky ishte goli i tij 12-të në 19 ndeshje për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, duke pasur një mesatare të kënaqshme shënimi. “Ai (Berisha) është një lojtar përrallor, ju i patë vlerat e tij sot”, – tha trajneri i Brisbejnit, Majk Mulvej. Duke festuar golin e tij të 12-të sezonal, Berisha u pa tepër i emocionuar, duke i përshëndetur nxehtësisht tifozët vendës. “Ishte përfundimisht një ndjenjë e çuditshme”, – tha Berisha për mediat australiane duke përshkruar golin që shënoi kundër shokëve të tij të ardhshëm. “Por, unë kam një punë për të bërë për klubin tim. Nuk është një situatë e lehtë për mua”. Berisha mori vlerësime edhe nga trajneri kundërshtar, njëherësh edhe tekniku i tij i ardhshëm. “Ju e patë vetë atë që bëri, prandaj dhe ne firmosëm me të”, – tha trajneri i Viktori, Kevin Maskët. Berisha ka pasur një sezon kontradiktor, për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve, duke u bërë lojtari i parë që u ndëshkua tri herë me karton të kuq brenda një edicioni të A-League. Në finalen e 4 majit, Brisbejni do të përballet me Uestern Sidnej Uonderesin, që nga ana e tij mundi 2-0 në gjysmëfinalen tjetër Sentral Kost Marinersin. Me Uestern Sidnej Uonders luan kosovari Labinot Haliti, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe për Teutën e Durrësit. 29-vjeçari Haliti është aktivizuar 23 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol. Pra, në finalen e kampionatit australian, A-League, do të kemi një duel shqiptarësh: Besart Berisha-Labinot Haliti. Një gjë është e sigurt, Shqipëria do të ketë një kampion në Australi. Besart Berisha e ka fituar më parë titullin kampion në Australi në sezonin 2011-2012.

Sulmuesi i Kombëtares shënoi golin që, e mbajti skuadrën e tij në Superligën izraelite

 Mediat hebraike: “Hamdi Salihi, heroi i Hapoel Akos”

 Hamdi Salihi shënoi një gol historik për Hapoel Ako në fitoren minimale 1-0 ndaj Hapoel Haifa, që do të thotë se edhe sezonin tjetër skuadra izraelite do të jetë në kampionatin elitar. Kjo falë sulmuesit shkodran, që i dha fund dy muaj e gjysmë pa fitore ose tetë ndeshjesh. Ishte kjo fitorja që i mungonte Hapoel Akos. Dhe këtë e bëri sulmuesi i Kombëtares shqiptare. “Salihi pritet të qëndrojë edhe një sezon tjetër në Ako”, – shkruan portali sportiv izraelit Sport5.co.il. Mediat hebraike i bën jehonë të madhe qëndrimit të Hapol Ako, një skuadër modeste. Përveç Hamdi Salihit, priten të qëndrojnë në ekipe edhe të huajt e tjerë, të tillë si mesfushori kroat Mirko Oremus dhe mesfushori serb Branislav Jovanoviç, ndërkohë që sulmuesi serb Nenad Marinkoviç pritet të largohet. Sipas Sport5.co.il, edhe pse skuadra siguroi qëndrimin, e ardhmja trajnerit Juval Naim është ende e paqartë. “Hamdi Salihi rigjen veten, duke shënuar në kohën e duhur për Hapoel Ako. Pas tetë ndeshjesh pa fitore në Superligë, skuadra e Juval Naim fitoi 1-0 në shtëpi kundër Hapoel Haifas në javën e 31-të, duke iu larguar përfundimisht vijës së kuqe. Hamdi Salihi, i cili kishte vuajtur kohët e fundit, shënoi në minutën e 39-të dhe dy minuta më pas Stiven Kohen goditi shtyllën horizontale. Megjithë humbjen e tij, Hapoel Haifa qëndroi në Liga Ha’Al”, – shkruante portali Ynet.co.il. Në fakt, Salihi u përpoq shumë për të shënuar, si në minutën e 20-të dhe në atë 30-të, teksa shënoi në minutën e 39-të nga një distancë prej pesë metrash. Një gol i thjeshtë, por ai duhuri! Gol, që e mbajti Hapoel Akon në ligën e të mëdhenjve edhe për sezonin tjetër. Ky ishte goli i katërt sezonal i Hamdi Salihit, i cili mbërriti te Hapoel Ako në ditën e fundit të merkatos, duke u bërë kështu edhe lojtari më i shtrenjtë i blerë në historinë e klubit izraelit.

Cana: “Jemi në garë për Europën”

Etrit Berisha dhe Lorik Cana ishin protagonistë në fitoren 2-0 në transfertë të Lacios ndaj Livornos. Edhe pse mbrojtja e Lacios ishte më shumë një krijim emergjence, nuk vuajti shumë nga sulmet e kundërshtarëve. Duke folur për “Lazio Style Channel” pas fitores, Lorik Cana, u shpreh: “Nuk është kurrë e lehtë të vish e të luash jashtë shtëpisë, sidomos në Itali ku skuadrat që synojnë të shpëtojnë mbyllen në mbrojtje. Luajtëm mirë dhe e merituam fitoren. Përpara avantazhit tonë, Berisha bëri një pritje të madhe. Në pjesën e dytë e administruam, dhe të vjen keq që nuk shënuam edhe një gol të tretë. Dy apo tri herë Bardi bëri ndërhyrje të mrekullueshme. Tani janë dhe nëntë pikë në dispozicion, dy ndeshje në shtëpi, por duhet të mendojmë së pari për të mundur Veronën. Pozicioni jashtë loje i Kietës? Arbtri tha se ishin nisur dy: njëri ishte jashtë loje, tjetri jo”. Golat e Lacios u shënuan nga Mauri (15’) dhe Kandreva (51’, penallti). Pas kësaj fitoreje Lacio u ngjit në vendin e shtatë me kuotën e 52 pikëve, po aq sa Torino e Migjen Bashës, e gjashta. Vendi i pestë që të çon në Ligën e Europës mbahet nga Interi, i cili ka 57 pikë. Portieri Etrit Berisha u vlerësua me notën 7, më e mira për lojtarët e Lacios, për atë që dha në fushë, në të paktën dy raste, duke ruajtur të paprekur portën, sidomos në rastin e goditjes së topit më kokë nga na Biaxhantit. Loriku u vlerësua me notën 6.5. “I përqendruar, arrin të kufizojë mirë rezen e aksioneve të Paulionjos”, shkruante për Canën, portali Lalaziosiamonoi.it. “Suksesi i sotëm (i djeshëm) ishte edhe i lojtarëve si Cana e Ciani, por dhe Berishës që në pjesën e parë e mbrojti rezultatin”, – komentoi trajneri Edi Reja pas ndeshjes.

Padeborni i kapitenit Meha drejt Bundesligës 1

 Një kapiten shqiptar si Alban Meha drejton “anijen” e Padebornit drejt ngjitjes në Bundesligën 1, kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i kampionatit të Bundesligës 2. Padeborni siguroi një fitore të madhe 2-0 ndaj Sandhauzenin, duke kapur vendin e dytë dhe pasur tani dy pikë më shumë se Grojtheri Fyrthi i Mërgim Mavrajt i vendit të tretë (humbi të shtunën 2-1). Sandhauzeni luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 60-të, Dy golat e shënuar nga Koc (66’) dhe Saglik (83’, penallti) i siguruan një fitore komode Padebornit. Sipas formatit, dy vendet e para të Bundsligës 2 ngjiten direkt në Bundesligën 1, ndërkohë që vendi i tretë i Bundesligë 2 luan ndeshje “plasy-off”-i me vendin e tretë nga fundi të Bundesligës 1. Renditja aktuale është: Këlni (65), Padeborn (56) dhe Grojther Fyrth (54).

Shëlzen Gashi i shënon Baselit

 Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi vazhdon të shënojë në Superligën e Zvicrës. Kosovari realizoi golin e vetëm për Grashoppersin në barazimin 1-1 përballë kryesuesve të Bazelit, ekip ku luan edhe lojtari tjetër i përfaqësueses sonë, Taulant Xhaka. Gashi arriti të shënonte në minutën e 36-të duke zhbllokuar rezultatin, megjithatë 8 minuta më vonë Bazeli barazoi shifrat me futbollistin e kombëtares helvete Valentin Stoker. Gashi shfrytëzoi një krosim të Pavloviçit, për ta çuar me inteligjencë topin në rrjetë. Në fakt, në minutën e 25-të, Gashi pati një shans të artë, por gjuajtja e tij e menjëhershme edhe pse Shkëlzeni pati lojë ta stoponte dhe të përgatiste tipin përfundoi gati gjashtë metra mbi portë. Gashi ishte në një ditë të mirë, pasi punoi shumë në këtë takim, teksa në të paktën pesë raste të tjera ai shënjestroi portën e kundërshtarit. Në këtë sfidë përveç Gashit luajti si titullar edhe Amir Abrashi. Ky barazim nuk i bëri shumë punë Grashopperssit pasi këta të fundit vazhdojnë të qëndrojnë 4 pikë pas Bazelit kryesues kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga fundi i sezonit.